Mbyllja e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Bujqësisë 2026 ka shënuar një rënie të fortë të interesit nga fermerët, pas heqjes së mbështetjes me naftë falas.
Sipas të dhënave, deri më 6 korrik janë regjistruar 41.706 aplikime, ndërsa një vit më parë numri kishte arritur në 69.917. Kjo përkthehet në rreth 29 mijë kërkesa më pak krahasuar me vitin e kaluar.
Masa më e kërkuar mbetet subvencioni për sipërfaqet e mbjella, që zëvendësoi skemën e naftës. Për këtë kategori kanë aplikuar 19.642 fermerë. Një vit më parë vetëm skema e naftës falas kishte tërhequr rreth 53 mijë aplikime.
Nga ana tjetër, sektori i blegtorisë ka shënuar rritje të interesit, pas ndryshimeve të bëra nga Ministria e Bujqësisë për uljen e kriterit të numrit të krerëve për përfitim. Për mbështetje në dele dhe dhi kanë aplikuar 7.177 fermerë.
Rritje ka edhe në sektorin e bletarisë, ku 6.923 persona kanë kërkuar subvencionim, ndërsa për gjedhët janë regjistruar 6.657 aplikime.
Interesi më i ulët mbetet për bujqësinë organike dhe fermerët e pajisur me certifikatën Global GAP, ku janë regjistruar vetëm 14 aplikime.
Për herë të parë, skema përfshin edhe mbështetje për fermat e derrave. Në këtë kategori janë regjistruar 263 aplikime.
Ndërkohë, 267 fermerë të rinj kanë kërkuar financim për investime deri në 10 milionë lekë në ferma. Sipas raportimeve, procedurat pranë AZHBR-së mund të kenë ndikuar në uljen e interesit për këtë masë. Po ashtu, 26 fermerë kanë aplikuar për ndërtim stanesh dhe 172 për blerje makinerish bujqësore.
Fondi i parashikuar për Skemën Kombëtare 2026 është 5.2 miliardë lekë, por burime për Top Channel bëjnë me dije se kërkesat totale mund të arrijnë në rreth 7 miliardë lekë, duke krijuar nevojë për financime shtesë nga buxheti i shtetit.










