Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq shtetasit R.L. dhe E.V., të akuzuar për veprën penale “Shfrytëzim i prostitucionit”, ndërsa shtetasi K.D. akuzohet për “Moskallëzim të krimit”.
Sipas Prokurorisë, nga hetimet e procedimit penal nr.256 të vitit 2025 rezultoi se dy të pandehurit kanë bashkëpunuar për të shfrytëzuar për prostitucion shtetasen Y.Sh.
Nga dëshmia e saj mësohet se ajo ushtronte prostitucion, ndërsa bashkëjetuesi i saj, R.L., kishte dijeni të plotë dhe merrte paratë e përfituara nga kjo veprimtari. Sipas hetimeve, klientët i siguroheshin nga E.V., pronar i lokalit të natës “Star”, ku ajo punonte si balerinë.
Vetë R.L. ka pranuar gjatë hetimeve se e kishte shtyrë bashkëjetuesen të ofronte shërbime seksuale për shkak të vështirësive ekonomike, ndërsa në disa raste e ndihmonte edhe për gjetjen e klientëve.
Prokuroria vlerëson se R.L. ka pasur rolin kryesor në organizimin e aktivitetit kriminal, duke siguruar klientët, përcaktuar vendet ku do të ushtronte prostitucion viktima dhe çmimet e shërbimeve seksuale.
Ndërkohë, E.V. akuzohet se e ka punësuar shtetasen Y.Sh. në lokalin e tij si valltare, duke e përdorur këtë rol si mbulim për shfrytëzimin e saj për prostitucion me klientët e klubit.










