Shqipëria kryeson rajonin për sipërfaqet e djegura nga zjarret – mbi 55 mijë hektarë të shkrumbuara
Tiranë, 19 gusht 2025 – Shqipëria po përballet me një nga vitet më të vështira përsa i përket zjarreve në dekadën e fundit. Sipas të dhënave të publikuara nga Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), deri tani në vend janë djegur 55,154 hektarë tokë, duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon për sipërfaqet e shkatërruara nga flakët.
Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipërfaqja e djegur ishte 46,623 ha, ndërsa vitet pararendëse kishin shifra më të ulëta. Megjithatë, rekordi më i zi për Shqipërinë mbetet viti 2007, kur u dogjën plot 127,491 hektarë.
Nga krahasimi me vendet e tjera të Ballkanit, tabloja e vitit 2025 paraqitet kështu:
- Shqipëria – 55,154 ha
- Bosnje-Hercegovina – 26,705 ha
- Maqedonia e Veriut – 26,522 ha
- Mali i Zi – 24,054 ha
- Serbia – 21,211 ha
- Kosova – 11,892 ha
- Kroacia – 2,944 ha
Krahasuar me fqinjët, Shqipëria ka pothuajse dyfishin e sipërfaqeve të djegura ndaj vendit të dytë më të prekur, Bosnje-Hercegovinës.
Zonat më të prekura ditët e fundit kanë qenë Delvina dhe disa fshatra të Gramshit, ndërsa disa vatra mbeten ende aktive por nën kontroll.
Ekspertët theksojnë se dëmet nuk kufizohen vetëm te pyjet, por shtrihen edhe në bujqësi, biodiversitet dhe ekonomi rurale, duke sjellë pasoja afatgjata për vendin.