Rënia e gurëve i merr jetën 42-vjeçarit në aksin Prrenjas–Librazhd

Një aksident tragjik është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në aksin rrugor Prrenjas–Librazhd, në fshatin Hotolisht, Njësia Administrative Hotolisht, Bashkia Librazhd, ku një 42-vjeçar humbi jetën pasi automjeti me të cilin udhëtonte u godit nga një gur i shkëputur nga shpati i kodrës.

Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:30. Dyshohet se një gur me përmasa të mëdha është shkëputur nga shpati mbi rrugë dhe ka rënë mbi automjetin tip “Benz”, që drejtohej nga shtetasi Arjan Hoxha, 42 vjeç, banues në fshatin Gjergjan të Elbasanit.

Për pasojë, drejtuesi i mjetit ka humbur jetën në vendngjarje si pasojë e goditjes së fortë.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.