Euro bie nën 94 lekë për herë të parë në histori, kursi shënon rekord të ri

Kursi i këmbimit të lekut me euron ka pësuar një rënie të fortë gjatë ditës së sotme, duke zbritur për herë të parë në histori poshtë nivelit të 94 lekëve.

Sipas kursit zyrtar të publikuar nga Banka e Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 93.88 lekë, me një rënie prej 0.19 lekësh krahasuar me një ditë më parë. Kjo konsiderohet si rënia më e madhe ditore e euros gjatë këtij viti.

Në raport me fillimin e vitit 2026, euro është nënçmuar me rreth 3%, ose afro 3 lekë. Ndërkohë, mesatarja e kursit për periudhën 3 janar – 3 korrik rezulton 95.8 lekë për euro, nga 97.8 lekë që ishte mesatarja gjatë vitit 2025.

Rënia e monedhës europiane bëhet edhe më e dukshme në krahasim me vitin 2015, kur euro këmbehej mesatarisht me 139.7 lekë. Në më pak se një dekadë, ajo ka humbur rreth 31.4% të vlerës ndaj lekut, ose afro 44 lekë.

Sipas aktorëve të tregut valutor, zhvlerësimi i euros lidhet me disa faktorë, mes tyre fluksi i parave informale që kanë hyrë në vend pas vitit 2016 dhe janë investuar kryesisht në sektorin e ndërtimit.

Një tjetër ndikim të fortë ka pasur edhe rritja e turizmit. Vetëm gjatë vitit 2025, numri i turistëve të huaj që hynë në Shqipëri kaloi mbi 12 milionë vizitorë.

Ekspertët e tregut thonë se rënia e ditëve të fundit lidhet edhe me efektet sezonale të verës, por pranojnë se situata paraqitet e paqartë dhe e vështirë për t’u interpretuar.

Zhvlerësimi i euros ka sjellë pasoja negative për eksportuesit, sektorin e turizmit dhe remitancat e emigrantëve, pasi të ardhurat në euro konvertohen në më pak lekë.

Nga ana tjetër, situata është pozitive për importuesit, të cilëve u nevojiten më pak euro për të blerë mallra jashtë vendit, si edhe për buxhetin e shtetit, që përfiton nga ulja e kostos së borxhit të jashtëm. Po ashtu, qytetarët shqiptarë që udhëtojnë jashtë vendit për pushime përfitojnë nga fuqizimi i lekut.