Instituti i Sigurimeve Shoqërore po i fton përfituesit që të kalojnë marrjen e pensionit nga sportelet tradicionale postare drejt sistemit bankar. Me anë të një deklarate në rrjete sociale, ISSH thekson se kjo iniciativë synon të shmangë radhët e gjata në postë dhe të ofrojë një zgjidhje më të shpejtë, të sigurt dhe të rehatshme për qytetarët, sidomos për moshën e tretë.
Për ta realizuar këtë kalim, qytetarët duhet të hapin një llogari në një nga bankat e nivelit të dytë me të cilat ISSH ka marrëveshje bashkëpunimi. Llogaria duhet të jetë specifike për pagesën e pensionit. Pasi të jetë hapur llogaria, përfituesit duhet të plotësojnë një kërkesë online përmes portalit e-Albania, duke zgjedhur shërbimin “Kërkesë për transferim dosjeje përfitimi”.
Gjithsej janë 10 banka që Instituti I Sigurimeve Shoqërore ka nënshkruar marrëveshje për pagesën e pensioneve në Shqiëpri.
Ky proces jo vetëm që e modernizon sistemin e shpërndarjes së pensioneve, por edhe rrit sigurinë dhe lehtëson jetën e qytetarëve në një epokë kur teknologjia po bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Përfituesit e pensionit tashmë mund ta marrin pagesën e tyre në kohë, pa radhë dhe pa stres, thjesht, nëpërmjet bankës.
Ligji për llogaritë bazike, që ka si synim rritjen e depërtimit të shërbimeve bankare e financiare në popullatë dhe që parashikon përfitime për kategoritë në nevojë, ka nisur nga zbatimi në muajin prill 2024.
Ligji i ri për llogaritë bazike, ku përcaktohen kategoritë që përfitojnë shërbime me tarifa të reduktuara ose me tarifë zero, përcakton edhe opsionin e transferimit të llogarisë, nga llogari normale në atë bankare bazike.
Ndërkohë më tarifë zero janë edhe shërbimet si hapja dhe mbyllja e llogarive bankare, tërheqjet në ATM, debitimet direkte; transaksionet e pagesave përmes një karte, përfshirë pagesat on-line; transfertat e kreditit, përfshirë pagesat periodike, aty ku është e zbatueshme, në terminale dhe në sportelet e bankës dhe nëpërmjet platformave on-line.
Referuar të dhënave të vitit të kaluar, ishin rreth 74 mijë pensionistë, të cilët merrnin pensionin përmes bankave dhe rreth 666 mijë të tjerë në postë.