Monitorim intensiv në Fier/ Mbi 1,500 gjoba për shpejtësi, 8 të arrestuar nga Policia Rrugore

Policia Rrugore Fier ka intensifikuar monitorimin me pajisje inteligjente në akset kryesore rrugore dhe në pikat hyrëse-dalëse të qarkut, me synim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut.

Gjatë kësaj jave, për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor janë proceduar penalisht 26 shtetas. Nga këta, 8 persona janë arrestuar në flagrancë për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 18 drejtues të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje.

Në kuadër të kontrolleve parandaluese në rrugët urbane dhe lokale, policia ka vendosur gjithsej 2,220 masa administrative. Pjesa më e madhe lidhet me tejkalimin e shpejtësisë, ku janë regjistruar 1,567 gjoba në rrugët interurbane dhe në autostradën A2.

Po ashtu, janë vendosur 57 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit, 23 për përdorim të celularit gjatë drejtimit, 68 për parakalime të gabuara dhe 26 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit. Ndërkohë, 479 masa të tjera administrative janë vendosur për shkelje të ndryshme që konsiderohen burim aksidentesh.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe 21 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse.

Policia Rrugore Fier u bën apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, për të garantuar sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar aksidentet.