Marta Kos: Shqipëria dhe Mali i Zi mund të bëhen anëtare në BE deri në 2029

Procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor duket se po hyn në një fazë të re, me Shqipërinë që renditet mes vendeve kryesuese në rrugën drejt anëtarësimit.

Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se ritmi i zgjerimit të unionit është përshpejtuar ndjeshëm dhe se brenda mandatit të saj, i cili përfundon në vitin 2029, Bashkimi Evropian pritet të ketë anëtarë të rinj.

Sipas saj, dinamika e procesit ka ndryshuar dukshëm krahasuar me vitet e kaluara, ndërsa periudha e ardhshme do të jetë vendimtare për vendet kandidate, ku Shqipëria dhe Mali i Zi konsiderohen në vijën e parë.

“Mund të them se Mali i Zi do të jetë anëtari i ardhshëm gjatë mandatit tim. Nëse Islanda i rikthehet procesit të anëtarësimit dhe qytetarët e mbështesin këtë në referendum, do të jem gjithashtu e lumtur. Shqipëria tashmë ka nisur të mbyllë kapitujt e negociatave. Lëvizja në procesin e zgjerimit është tani më e madhe se në 15 vitet e fundit”, u shpreh Kos.

Komisionerja i bëri këto deklarata gjatë Konferencës për Rimëkëmbjen e Ukrainës, e mbajtur në Gdansk të Polonisë.

Shqipëria synon të përmbyllë procesin e negociatave dhe të arrijë anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.