Lëvizja qytetare në Tiranë, e cila po mban gjallë një cikël të gjatë dhe të qëndrueshëm protestash masive në kryeqytet, ka hedhur një hap të ri duke ndërkombëtarizuar aksionin e saj. Grupi koordinator i protestës i është drejtuar me një letër zyrtare ambasadorëve dhe shefave të misioneve të vendeve perëndimore të akredituar në Republikën e Shqipërisë, duke u parashtruar pesë kërkesa thelbësore drejtuar qeverisë.
Në krye të listës së kërkesave qëndron dorëheqja e Kryeministrit Edi Rama dhe e qeverisë aktuale, e cila cilësohet nga aktivistët si një hap thelbësor dhe i panegociueshëm drejt rinovimit demokratik të vendit.
Kjo kërkesë ndiqet nga propozimi për krijimin e një qeverie tranzitore teknokrate dhe jopartiake, e cila do të kishte një mandat 12-mujor me qëllim mbikëqyrjen e një procesi reformash të besueshëm dhe të paanshëm.
Pika e tretë fokusohet te një reformë kushtetuese gjithëpërfshirëse, e mbështetur në parimin e barazisë së plotë të qytetarëve para ligjit dhe që, sipas protestuesve, duhet të miratohet përmes një referendumi popullor. Dokumenti thekson se kjo reformë duhet të përfshijë reformimin e Kodit Zgjedhor, rishikimin e legjislacionit që rregullon financimin e partive politike dhe organizatave të shoqërisë civile, si edhe vendosjen e kufizimit të mandateve për postin e Kryeministrit, duke e kufizuar çdo individ në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë karrierës politike.
Si kërkesë të katërt, grupi koordinator kërkon korrigjime të menjëhershme legjislative. Sipas tyre, duhet të shfuqizohen ndryshimet e bëra në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Po ashtu, kërkohet anulimi i plotë i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe shfuqizimi i kuadrit ligjor që rregullon Investimet Strategjike.
Kërkesa e pestë dhe e fundit përmbledh vizionin e protestuesve për hartimin e një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit. Kjo kontratë, sipas tyre, duhet të marrë formë përmes konsultimeve të gjera me intelektualë të pavarur, ekspertë teknikë dhe përfaqësues jopartiakë të shoqërisë civile.
Letra, e cila shënon një zhvillim të rëndësishëm në këtë rezistencë maratonë, mban firmën e 13 përfaqësuesve të grupit koordinues: Entela Koja, Arben Kola, Megan Balaj, Edviol Kulluri, Luçjana Kokaj, Gentjan Progni, Gjon Ndoj, Etleva Merko, Everest Bardhi, Përparim Gjeka, Mevlan Mata, Ilir Xhemalaj dhe Marjen Rama.










