Makabriteti në Frashër të Fierit: Vajza mbyt të atin me tel, i dashuri dhe e ëma ndihmojnë në krim
Zbardhen detaje tronditëse nga vrasja e rëndë që ndodhi në Frashër të Fierit, ku një 26-vjeçare dyshohet se ka mbytur babanë e saj, Anesti Rama, me ndihmën e të ëmës dhe një bashkëpunëtori, me të cilin dyshohet se kishte lidhje intime.
Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ndodhur në banesën e familjes. Vajza fillimisht e ka goditur të atin në organet gjenitale, duke e rrëzuar në tokë. Më pas, Çlirim Dogani – nje 56 vjecar nga fshati Arapaj Roskovec dhe personi me të cilin 26-vjeçarja dyshohet se kishte një raport intim – e ka mbajtur viktimën nga duart, ndërsa vajza e mbyti me tel.
Dyshohet gjithashtu se janë përdorur edhe mjete të forta dhe mjete prerëse në këtë akt të dhunshëm. Nëna e 26-vjeçares nuk ka qëndruar jashtë ngjarjes – ajo dyshohet se ka ndihmuar për të fshehur gjurmët, duke pastruar trupin e pajetë të bashkëshortit.
Zbulimi i krimit erdhi falë përgjimeve telefonike pas ngjarjes, ku autorja ka komunikuar me Doganin, tashmë të identifikuar si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Ky i fundit është i martuar dhe baba i dy fëmijëve.
Policia dhe Prokuroria e Fierit po vijojnë hetimet për të zbardhur të plotë motivet dhe rolin e secilit në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.