Kryebashkiaku i Nju Jorkut: Po shqyrtojmë arrestimin e Netanyahut nëse vjen në OKB

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Zohran Mamdani, ka deklaruar se administrata e tij po shqyrton mundësinë e arrestimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, nëse ai udhëton në qytet për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në muajin shtator.

Në një deklaratë publike, Mamdani u shpreh se beson se Netanyahu duhet të përballet me drejtësinë ndërkombëtare.

“Unë besoj se kryeministri Netanyahu duhet të gjykohet në Hagë”, tha ai, duke shtuar se kryeministri izraelit është “një kriminel lufte i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale”.

Deklarata vjen në prag të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku pritet pjesëmarrja e dhjetëra liderëve botërorë, ndërsa urdhër-arresti i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ndaj Netanyahut vijon të jetë objekt debatesh në arenën ndërkombëtare.

Autoritetet amerikane nuk kanë njoftuar ndonjë vendim zyrtar lidhur me një skenar të tillë, ndërsa mbetet e paqartë nëse Netanyahu do të marrë pjesë personalisht në punimet e Asamblesë.