AMP publikon bilancin: 11 punonjës të strukturave të sigurisë të arrestuar, 232 policë të referuar në Prokurori

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka publikuar bilancin e veprimtarisë për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, duke raportuar arrestime, masa disiplinore dhe procedime ndaj punonjësve të strukturave të sigurisë.

Sipas AMP-së, nga janari deri në qershor janë arrestuar 9 efektivë të Policisë së Shtetit, 1 efektiv i Gardës së Republikës dhe 1 punonjës i shërbimit zjarrfikës, të dyshuar për vepra të ndryshme penale.

Gjatë së njëjtës periudhë, 24 efektivë policie janë përjashtuar nga detyra pas hetimeve disiplinore, ndërsa 25 të tjerë janë proceduar për shkelje të rënda disiplinore.

AMP bën me dije se janë kryer 196 referime penale në Prokurori, që lidhen me veprimet e dyshuara të 232 punonjësve të Policisë së Shtetit.

Në gjashtë muajt e parë të vitit, institucioni ka administruar 752 ankesa dhe kërkesa ndaj punonjësve të policisë. Nga këto, 434 raste rezultuan të pabazuara, për 251 raste nuk u siguruan prova të mjaftueshme, ndërsa për 15 raste janë regjistruar procedime penale.

Sipas AMP-së, denoncimet më të shumta kanë të bëjnë me efektivët që janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët, kryesisht punonjësit e Policisë Rrugore, të Rendit dhe forcave “Shqiponja”.

Rasti më i fundit i bërë publik është arrestimi i dy efektivëve të Komisariatit nr. 3 në Tiranë, të dyshuar për “korrupsion pasiv” dhe “shpërdorim detyre”, pas publikimit të një videoje ku dyshohet se morën para nga një drejtues mjeti për të shmangur ndëshkimin për një shkelje rrugore.