Pas shumë ditësh me temperatura përvëluese mbi 40 gradë Celsius në qershorin e dytë më të nxehtë prej vitit 2010 bashkë me atë të vjetshmin, meteorologët grekë paralajmërojnë për një valë të re të nxehti prej fundit të kësaj jave dhe ditëve në vazhdim.Sipas tyre gjatë javës që vjen pritet një rritje e shpejtë e temperaturave, me termometrin që do të arrijë – në shumë zona – deri në 43 gradë Celsius.
Pavarësisht se kjo valë e të nxehtit do tërhiqet nga Evropa Qendrore në 24 orët e ardhshme, Greqia do të gjendet sërish nën ndikimin e masave ajrore shumë të nxehta- thonë ata.Kulmi i saj pritet të jetë mes së hënës dhe së enjtes, nga 7 deri më 10 korrik, me kushtet meteorologjike që do të bëhen veçanërisht të rrezikshme, sidomos në qendrat urbane dhe zonat kontinentale, ku temperatura do të mbetet e lartë edhe gjatë natës.Autoritetet greke kanë marrë masa për përballimin e valës së të nxehtit prej muajit të kaluar sidomos në zonat turistike si Akropoli, ku ka pasur një kujdes të veçantë për shkak të numrit të madh të turistëve.
Gjithashtu bashkia ka hapur qendra me ajër të kondicionuar në dispozicion të njerëzve ,ndërsa ka edhe një numër telefoni për këdo që ka nevojë për këshilla mjekësore për shkak të të nxehtit.
Mjekët këshillojnë banorët të mos hedhin mbeturina gjatë orëve më të nxehta të ditës, të qëndrojnë të hidratuar, të shmangin alkoolin dhe të kufizojnë lëvizjet e tyre.
Autoritetet kanë ndaluar punën për disa profesione në ambiente të hapur si ndërtuesit dhe shpërndarësit e porosive nga ora 12:00 deri në 17:00 me orën lokale.
Greqia shpesh përjeton vera të nxehta dhe të thata, por valët e motit të nxehtë me shumë ditë dhe temperatura tepër të larta janë bërë më të shpeshta vitet e fundit, së bashku me zjarret pyjore, si pasojë e ndryshimeve klimatike.
Vetëm në ditët e fundit qindra zjarrfikës grekë janë përballur me tre zjarre të mëdha në ishullin Kios , në periferinë e Athinës dhe në disa zona rreth Selanikut.