16 gjoba pas protestës së studentëve në Tiranë, 5 mijë lekë për secilin kundërvajtës

Policia e Tiranës ka vendosur 16 masa administrative pas protestës së zhvilluar një ditë më parë përpara Kryeministrisë, në zbatim të Aktit Normativ për tubimet dhe dhunën në protesta, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama si pjesë e paketës anti-dhunë.

Sipas Policisë, gjobat janë vendosur për bllokimin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit” dhe pengimin e qarkullimit të automjeteve, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të efektivëve për lirimin e rrugës.

Nga 16 masat administrative, 14 janë vendosur ndaj protestuesve të shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjera pas identifikimit të personave përmes pamjeve filmike. Për secilin prej tyre është vendosur gjobë në vlerën 5 mijë lekë.

Ndërkohë, Policia ka referuar në Prokurori materialet për dy të mitur, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal. Ata dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar, kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës studentore të 2 nëntorit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.