Sekuestrohen 5 monedha ari, 56 mijë euro dhe armë gjahu, arrestohet 31-vjeçari 

Vijon operacioni ”Sundimi i ligjit” në Berat. Sekuestrohen 5 monedha ari, një pajisje metalkërkuese, 56 650 euro që dyshohet se kanë burim veprimtari të kundërligjshme, 1 armë gjahu dhe municion për të. 

Arrestohet 31-vjeçari dhe procedohet penalisht babai i tij, posedues të këtyre sendeve.

Berat/Vijon operacioni policor “Sundimi i ligjit”, për goditjen e veprimtarive kriminale dhe sekuestrimin e aseteve të përfituara nga to.

Sekuestrohen 5 monedha ari, një pajisje metalkërkuese, 56 650 euro që dyshohet se kanë burim veprimtari të kundërligjshme, 1 armë gjahu dhe municion për të.

Arrestohet 31-vjeçari dhe procedohet penalisht babai i tij, posedues të këtyre sendeve.

Si rezultat i hetimeve dhe kontrolleve intensive të kryera nga Policia e Beratit, në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të implikuar në veprimtari të ndryshme kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Berat, goditën njëkohësisht paligjshmëri në disa fusha.

Për to u vu në pranga shtetasi D. V., 31 vjeç dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babanë e tij, shtetasin B. V., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Kutalli.

Nga kontrollet, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 31-vjeçarit, 5 monedha ari, një pajisje metalkërkuese dhe 56 650 euro që dyshohet se rrjedhin nga veprimtari të kundërligjshme, ndërsa në banesën e 56-vjeçarit gjetën 1 armë gjahu dhe disa fishekë, që posedoheshin pa leje.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Protestohet para fillimit të seancës për vrasjen e Liridona Ademajt

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murseli si dhe Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Para fillimit të kësaj seance në hyrje të Gjykatës janë parë edhe disa aktiviste për të drejtat e grave, të cilat kanë protestuar.

“Nuk ka paqe pa sigurinë e grave” – thuhet në pankartën që po e mbajën këto aktiviste.

Mori peng dhe plagosi një shtetas , arrestohet 40-vjeçari

Një 40-vjeçar përfundoi në prangat e policisë së Vlorës pasi akuzohet se ka dhunuar me sende të forta duke e plagosur rëndë një shtetas, ngjarje e ndodhur në fillim të këtij viti.

Operacioni “Sundimi i ligjit”, përfundoi me arrestimin e shtetasit, Alfred Ndoj. Ai është personi i katërt dhe i fundit që arrestohet nga policia për pengmarrjen dhe dhunimin barbar të një shtetasi, më 19 janar 2023.

Njoftimi:

Vijon operacioni policor i koduar “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Bashkëpunëtor për pengmarrjen e një shtetasi dhe për plagosjen e tij me sende të forta, ndalohet 40-vjeçari i shpallur në kërkim. Ndalimi i 40-vjeçarit, rezultat i koordinimit të informacioneve dhe bashkëpunimit ndërmjet Sektorit kundër Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës të DVP Vlorë dhe Policisë së Lezhës.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Pengmarrja”, të zhvilluar nga Policia e Vlorës, më datë 19.01.2023, si dhe i shkëmbimit të tyre me shërbimet e Policisë së Lezhës, u bë i mundur, në kuadër të operacionit policor kombëtar “Sundimi i ligjit”, ndalimi i shtetasit A. N., 40 vjeç.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë i ka caktuar 40-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e rëndë me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

Përmbledhja e rastit: Më datë 19.01.2023, shtetasi A. N. dhe 4 shtetas të tjerë (të arrestuar nga Policia e Vlorës, gjatë operacionit “Pengmarrja”), për motive të dobëta, kanë mbajtur me forcë, në automjet, shtetasin G. O., e kanë plagosur atë rëndë, me sende të forta, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Shkarkohet nga detyra dhe me pas arrestohet për dhunë në familje ish drejtori i burgut

Durim Tosku është arrestuar pas shkarkimit nga posti i drejtorit të burgut të Fushë-Krujës. 52 vjeçari dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja me propozim të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve urdhëroi shkarkimin e tij.

“Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka ndërmarë këtë hap, pas propozimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e bazuar vendimin në kritere etike dhe ligjore të cënuara nga Durim Toska. Vendimi vjen në përshtatje me objektivat e Ministrisë së Drejtësisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për përmirësimin e efikasitetit dhe integritetit në sistemin e drejtësisë. Ministri Manja shpreh besimin në vazhdimin e punës dhe angazhimin për të siguruar një administratë të fuqishme dhe të drejtë.” njoftoi ministria.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin Durim Tosku, 52 vjeç, banues në fshatin Piskupat, Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij iu gjet një armë zjarri tip pistoletë me municion luftarak, të cilën 52-vjeçari e posedonte pa leje.“, njofton policia.

Renia e prodhimit te vajit të ullirit “fik” industrinë

Çmimit i vajit të ullirit arrin në 800 lekë për litër nga mungesa e prodhimit. Por deri tani, nga fabrikat nuk është grumbulluar asnjë litër vaj. Për industrinë, çmimi është i paleverdishëm, si për shitje në supermarkete edhe për eksport. Edhe për këtë vit, vaji i ullirit vijon të shitet masivisht në bidonë nga fermerët. Përpunuesit kërkojnë sërish zgjidhje për investime në kapacitete ruajtëse. Për ekspertët, ruajtja e cilësisë dhe vlerës së shitjes duhet të nisë që me krijimin e klasterave që do të kërkojë disa vite…
Dorina Azo

Kujtim Kadiu, fermer i fshatit Dushk të Lushnjës, i cili zotëron 300 rrënjë ullinj, krahasuar me vjet ka prodhuar 40% më pak vaj ulliri.

Pavarësisht se i ka shtuar shërbimet ndaj pemës së ullirit, rënia e prodhimit u ndikua nga paqëndrueshmëria e motit dhe futja me vonesë e rrënjëve të reja në prodhim.

Mesatarisht, rendimenti për pemë varion nga 10 deri në 15 kg, ndërsa vitin e kaluar, ishte 20 deri në 25 kg ullinj për rrënjë. Kujtim Kadiu pohoi për “Monitor” se vajin e prodhuar e mban të depozituar në bidonë plastikë në shtëpi dhe pret ta shesë vetë në tregun e brendshëm me çmim 800 lekë për litër.

Ndërsa Zhazivar Lila, fermer nga Peqini, i cili zotëron 800 rrënjë ullinj, do t’i shesë individualisht për eksport në Itali 500 litra vaj ulliri të prodhuar, me çmim 8 euro për litër.

Sipas tij, shitja e vajit me këtë çmim është shumë e leverdishme për fermerin, pasi arrin t’u sigurojë fitimet e munguara të vitit 2022.

“Këtë vit, prodhimi është 40 deri në 50% më i ulët se vjet, por çmimi është shumë i kënaqshëm për ne fermerët. Me këtë çmim do të mund të mbulojmë humbjet e vitit të kaluar.

Vjet e shitëm vajin me çmim 350 deri në 400 lekë për litër, totalisht nën koston e prodhimit”, nënvizoi ai.

Në total, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në vitin 2022 u prodhuan 29.230 vaj ulliri. Krahasuar me vjet, prodhimi i vajit të ullirit u rrit me 13%.

Për 2022, rendimenti i prodhimit për rrënjë ulliri, sipas të dhënave të INSTAT ishte 17,2 kg. Krahasuar me 2021, rendimenti për rrënjë u shtua me 37%.

Vitin e kaluar shtim pati edhe te numri i rrënjëve të ullirit. Në raport me 2021, numri i rrënjëve të ullirit u rrit rreth 2%.

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Për vitin 2023, mungesa e prodhimit ka dyfishuar çmimin e shitjes së vajit të ullirit krahasuar me vjet. Vaji i ullirit po tregtohet nga fermeri me çmim që varion nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.

Por shtrenjtimi i çmimit që erdhi nga mungesa e prodhimit po penalizon fabrikat e grumbullimit dhe eksportuesit.

Drejtuesit e pikave të përpunimit dhe grumbullimit të zonave ku është përqendruar prodhimi i lartë i ullirit, si: Elbasan, Mallakastër, Vlorë dhe Lushnjë njëzëri pohojnë se deri tani nuk kanë depozituar asnjë litër vaj për ambalazhim, me qëllim shitjen e tij në tregun e brendshëm dhe eksport, pasi çmimi është i paleverdishëm.

Sipas tyre, çmimi i vajit të ullirit, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit dhe transportit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Për këto arsye, vaji i ullirit si çdo vit, përveçse nuk po ruhet me standarde, vijon të shitet në informalitet me bidonë nga fermeri, duke mos krijuar vlerë të shtuar për ekonominë.

Deri në mbylljen e sezonit të vjeljes dhe përpunimit të ullirit (periudha nëntor-dhjetor) parashikohet që sasia e vajit të prodhuar për zona të caktuara të bjerë 30 deri në 70% krahasuar me vjet.

Prodhuesit dhe përpunuesit thanë se rënia e prodhimit u ndikua jo vetëm nga kushtet klimatike, peridiociteti i prodhimtarisë, karakteristikë për pemën e ullirit, por edhe nga mungesa e shërbimeve, për shkak të kostos së lartë të pesticideve dhe rritjes së kostos për fuqinë punëtore.

Agron Çakalli, administratori i Federatës Bujqësore Elbasan (F.B.E) tha për “Monitor” se deri tani nuk ka grumbulluar asnjë litër vaj ulliri nga fermerët me qëllim ambalazhimin dhe tregtimin me markën “Valmi”.

Z. Çakalli pohon se çmimi i shitjes 700 lekë për litër është i paleverdishëm si për shitjen e vajit “Valmi” në tregun e brendshëm, edhe për eksport.

Federata Bujqësore e Elbasanit, që deri vjet ka funksionuar si federatë e bashkuar për marrjen e prodhimit të 125 fermerëve, këtë fillim sezoni të vjeljes së ullirit është shndërruar vetëm në një “mulli” për përpunimin e ullirit në vaj, që më tej transportohet në shtëpi nga fermerët.

60% e sasisë së vajit të prodhuar nga F.B.E eksportohej, pjesa e mbetur shitej në dyqane të vogla ushqimore, restorante dhe supermarkete.

“Nuk ka ndodhur asnjëherë që të grumbullojmë vaj ulliri me shumicë me çmim 700 lekë për litër. Çmimi është i paleverdishëm, si për tregtimin e tij në tregun e brendshëm, edhe për eksport.

Duke përfshirë koston e ambalazhimit, etiketimit, etj., çmimi i vajit të ullirit arrin 1,200 deri në 1,300 lekë për litër. Me këtë çmim nuk e blen asnjë dyqan apo supermarket për shitje.

Çmimi është shumë i lartë edhe për eksport. Për këtë arsye nuk kemi grumbulluar asnjë litër vaj për ambalazhim”, pohon ai.

Drejtuesi i FEB pohon se prodhimi i vajit të ullirit deri tani është 70% më pak se vjet. Situata ishte e pritshme sipas tij, për shkak të kushteve klimatike të pafavorshme, periodicitetit të prodhimit dhe mungesës së shërbimeve nga fermerët.

Ai thotë se vitin tjetër parashikohet që prodhimi i vajit të ullirit të rritet me 60%, çka automatikisht do t’i krijonte humbje financiare edhe nëse do ta depozitonte prodhimin e ri për ta shitur pas një viti.

Burimi: Doganat

Situata me mungesën e prodhimit dhe mosgrumbullimit të vajit nga industria është e njëjtë edhe në zonat e tjera të Shqipërisë.

Luan Satka, i cili zotëron një pikë të grumbullimit të ullirit në Lushnjë, thotë se prodhimi sivjet është 60% më pak krahasuar me sezonin e kaluar.

Z. Satka, i cili çdo vit nënshkruan kontrata me 2,500 fermerë të zonës për grumbullimin e ullirit që pasi përpunohet, ruhet dhe ambalazhohet tregtohet në markën “BioLive”, parashikon që këtë vit, të realizojë 10 deri në 20% të tyre, pasi mungesa e prodhimit ka rritur çmimin e shitjes me shumicë të vajit nga fermeri.

“Sivjet prodhimi i ullirit është 60% më pak se vitin e kaluar. Rënia e prodhimit është tërësisht për shkak të kushteve klimatike, pasi në periudhën e lulëzimit të pemës pati reshje të vazhdueshme.

Në anën tjetër, fermeri përkundrazi ka rritur shërbimet për këtë kulturë.

Mungesa e prodhimit ka sjellë rritje të çmimit të shitjes që nis nga 600, 700 deri në 800 lekë për litër.

Çmimi është pozitiv për fermerin, por rëndon industrinë, pasi çmimi minimal i shitjes, duke përfshirë koston e ambalazhimit, paketimit, etj., llogaritet të jetë 1,000 lekë për litër.

Aktualisht nuk po grumbullojmë ullinj, sepse është shumë i shtrenjtë”, pohon ai.

Pika e grumbullimit në Lushnjë zotëron depozita me kapacitet deri në 100 tonë vaj ulliri. Një pjesë e vajit të kësaj pike grumbullimi eksportohet edhe në Itali.

Për drejtuesit e pikës së grumbullimit, çmimi i vajit është i leverdishëm për eksport, nëse është mbi 600 lekë për litër. Fermerët nuk parashikojnë ta shesin vajin e ullirit nën këtë çmim.

Burimi: INSTAT

Digjet një makinë pranë Rinasit, dyshohet se u përdor nga autorët në atentatin e Lezhës

Një makinë është gjetur e djegur afër Rinasit, menjëherë pas ngjarjes së rëndë, ku u vra me armë zjarri Eno Nikulaj, kushëriri i biznesmenit Ardian Nikulaj, i cili u ekzekutua në muajin prill në lokalin e tij në Shëngjin.

Pas ngjarjes, në afërsi të Rinasit është djegur një makinë, e cila dyshohet të jetë përdorur nga autorët e krimit mafioz.Makina e perfshire nga flakët u gjet shumë pranë vendit ku u vra Admir Murataj, në aksionin dhe përplasjen me policinë, pas grabitjes së parave në Rinas, në prill të 2019. Brenda makinës në vendin e parë dyshohet për një kallash të shkrumbuar

Iu bë atentat, humb jetën në spital 40 vjecari Eno Nikulaj

Pak minuta pas atentatit, ka humbur jetën në spitalin e Lezhës 40-vjeçari Eno Nikulaj. Ai u transportua me shenja jete në spital, por nuk mundi të mbijetojë për shkak të plumbave të shumtë, që ka marrë në trup.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri shtetasi E. N., ju informojmë se:Ky shtetas, si pasojë e plagëve të marra, pavarësisht ndihmës dhe trajtimit të menjëhershëm mjekësor, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Lezhës”, njoftoi policia.

Ai është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin. Paraprakisht mendohet se në atentat kanë marrë pjesë dy persona, ndërsa policia ka ngritur pika të shumta kontrolli për identifikimin dhe kapjen e tyre

Të shtëna me armë zjarri në Lezhë, 1 person ka mbetur i plagosur rende

Një person ka mbetur i plagosur rëndë mbrëmjen e sotme në Lezhë pas disa të shtënave me armë zjarri.

Mësohet se i plagosuri është Eno Nikulaj, i cili është qëlluar me kallashnikov mbrëmjen e sotme.

Eno Nikulaj është djali i xhaxhait të Ardian Nikulajt, biznesmenit që u vra disa muaj më parë në Shëngjin.

Besohet se ky atentat ka ardhur si pasojë e gjakmarrjes, arsye për të cilën u vra edhe biznesmeni Nikulaj në prill të këtij viti nga një grup personash me pagesë.