Zv.presidenti i PE në protestën në Tiranë:“Politikanët bien kur njerëzit ngrihen”

Një nga momentet më të forta të protestës masive përpara Kryeministrisë ishte fjalimi i zëvendëspresidentit të Parlamentit Europian, Nicolae Ștefănuță, i cili iu bashkua protestuesve në Tiranë dhe mbajti një mesazh të drejtpërdrejtë kundër korrupsionit dhe tranzicionit të zgjatur politik në Shqipëri.

Eurodeputeti rumun u shfaq në skenë me qeleshe shqiptare në kokë, një simbol që, sipas tij, përfaqëson respektin dhe afërsinë me shqiptarët. Në nisje të fjalës, ai kujtoi përvojën personale gjatë rënies së diktaturës komuniste në Rumani dhe bëri paralelizma me historinë e Shqipërisë.

“Mirëmbrëma Shqipëri! Jam zv.president i Parlamentit Europian, por jam edhe biri i një bariu që ka rritur dele në Rumani. Shqipëria është kombi ynë motër. Isha vetëm 9 vjeç kur pashë rënien e Çausheskut. Ju nuk keni pse të duroni më diktaturën, mjaft me tranzicionin, mjaft me korrupsionin”, deklaroi Ștefănuță mes duartrokitjeve të protestuesve.

Ai tregoi se në Rumani kishte organizuar protesta që nisën për çështje mjedisore, por më pas u kthyen në lëvizje të mëdha qytetare kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin.

“Kur nisëm protestat në Rumani, ato ishin ambientaliste, por më pas u bashkuan të gjithë njerëzit, edhe diaspora. Nuk ishte më vetëm një protestë për natyrën, por një protestë europiane. Mos besoni ata që ju thonë se energjia juaj do të mbarojë. Fuqia e vërtetë është te njerëzit”, u shpreh ai.

Në fund të fjalimit, zëvendëspresidenti i Parlamentit Europian komentoi edhe mungesën e kryeministrit Edi Rama në protestë, duke lëshuar një tjetër mesazh të fortë politik.

“Pse janë europianët këtu dhe pse nuk është Edi Rama? Ndoshta ka frikë. Nëse ai ka frikë, ju nuk duhet të keni frikë. Rruga mund të jetë e gjatë, por ju jeni në anën e duhur të historisë”, deklaroi Ștefănuță.

Fjalimi i tij u prit me ovacione nga protestuesit e mbledhur përpara Kryeministrisë, ndërsa prania e zyrtarëve europianë në tubim u konsiderua nga organizatorët si një sinjal mbështetjeje ndërkombëtare për kauzat e ngritura në protestë.