Zjarri në Tiranë, debat për kompensimin: 270 mln € pagesa për sigurime, vetëm 86 mln € dëmshpërblime

Zjarri që përfshiu një pallat në Tiranë ka rikthyer debatin mbi mënyrën e kompensimit të dëmeve, duke ngritur pikëpyetjen nëse qytetarët duhet të mbështeten te sigurimet private apo te ndihma nga shteti.

Kryeministri Edi Rama ka hedhur idenë që në raste të tilla dëmet të mbulohen nga sigurimet, duke përjashtuar mbështetjen direkte nga buxheti i shtetit. Por të dhënat nga tregu i sigurimeve tregojnë një raport të ulët kthimi për qytetarët.

Gjatë vitit të fundit, shqiptarët kanë paguar rreth 270 milionë euro për sigurime, ndërsa kompanitë kanë kthyer vetëm 86 milionë euro si dëmshpërblime. Diferenca përfaqëson kostot administrative dhe fitimet e kompanive.

Edhe në sigurimin e pronës nga zjarri, raporti mbetet i ulët. Nga fondet e paguara në prime, vetëm rreth 20% rikthehen si kompensim për dëmet, çka nënkupton se mbulimi i humbjeve të mëdha mbetet i kufizuar.

Nga ana tjetër, ndihma nga buxheti i shtetit shihet si një alternativë për përballimin e situatave të tilla, pasi kostoja shpërndahet mes taksapaguesve. Megjithatë, edhe kjo formë mbështetjeje shoqërohet me problematika që lidhen me menaxhimin e fondeve publike.

Debati mbetet i hapur mes dy alternativave, në një kohë kur të dyja paraqesin kosto të konsiderueshme për qytetarët.