Zbardhet ngjarja -Efektivi i policisë u pl*gos aksidentalisht,në kërkim 2 vëllezër

Policia ka zbardhur detaje të reja nga ngjarja e ndodhur gjatë mesnatës në zonën e Shkozës, ku mbeti i plagosur aksidentalisht një punonjës policie jashtë shërbimit. Si autorë të dyshuar të atentatit janë shpallur në kërkim dy vëllezër, Aldo Lika, 33 vjeç dhe Ali Lika, 22 vjeç.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ata kanë qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në drejtim të 31-vjeçarit Kejdi Spaja, i cili ndodhej pranë banesës së tij, së bashku me Anxhelo Kumarakun dhe një shtetas tjetër me iniciale L. D.

Si pasojë e të shtënave, është plagosur në këmbë Anxhelo Kumaraku, 30 vjeç, efektiv policie jashtë detyrës. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Nga verifikimet e kryera rezultoi se Kejdi Spaja kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur më parë nga gjykata për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Për këtë arsye, ai është arrestuar nga policia.

Pas ngjarjes, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëroi pezullimin e menjëhershëm nga detyra të efektivit Anxhelo Kumaraku. Ndaj tij ka nisur hetim disiplinor, pasi dyshohet se ka qenë në shoqërinë e një personi që kishte thyer masën e sigurisë dhe nuk ka njoftuar strukturat përkatëse.

Hetimet po vijojnë nga Policia e Tiranës, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa po punohet për kapjen e dy autorëve të shpallur në kërkim.