Vrasja në burgun e Peqinit/ Misteri i armës që siguroi në burg...

Vrasja në burgun e Peqinit/ Misteri i armës që siguroi në burg Sokol Mjacaj, takimet e tij me Ildën që i sillte ushqimet

204
SHPËRNDAJE

Në dëshminë e tij para hetuesve, drejtori i burgut të Peqinit, Kamber Hoxha, ka treguar edhe për 5 takimet e fundit të Sokol Mjacajt nga 1 shtatori deri më 16 nëntor. Sipas tij, në takimin e parë në shtator ushqimet ia ka sjellë në burg i vëllai i tij, kurse në 4 takimet e fundit ka qenë një vajzë, e cila në 4 raste është prezantuar si kushërirë, kurse në takimin e fundit si mikeshë e tij.

“Nga verifikimet që bëra sot pas ngjarjes, për vitin 2023 ka bërë 5 (pesë) takime dhe i fundit ka qenë në datën 25 gusht 2023. Nga verifikimi për futjen e ushqimeve, nga data 01.09.2023 deri sot ka futur ushqime në datën 01.09.2023, 14.09.2023, 22.09.2023, 03.10.2023 dhe 16.11.2023. Në datën 01.09.2023, i ka sjellë i vëllai Paulin Mjaca, kurse në rastet e tjera i ka sjellë kushërira e tij me emrin Ilda Rapo. Kjo shtetase në katër raste është prezantuar si kushërirë dhe në datën 16.11.2023 është prezantuar si mikeshë. Personi që sjell ushqimet regjistrohet nëpërmjet kartës së identitetit dhe pyetet i burgosuri nëse është dakord që t’i pranojë ose jo ushqimet. Për rastin konkret, për periudhën që unë jam në detyrë nuk ka pasur rast të tillë, duke u bazuar në informacionin paraprak që kam marrë. Në dijeninë time për këtë periudhë nuk ka pasur asnjë konflikt.”

Drejtori Hoxha thekson se nuk e di si si është futur arma në burg, por thekson neglizhencën e punonjësve. Ai tregon sesi funksionin procesi i kontrollit të vizitorëve, ndërsa skaneri ka qenë me defekt.

“Bëhet regjistri i të dhënave të personit, i cili sjell ushqimet te postblloku në hyrje të rrethimit të jashtëm të IEVP-së. Shoqërohet personi për në vendin e kontrollit që është para hyrjes në regjimin e brendshëm. Atje bëhet kontrolli i të gjitha sendeve dhe i kalohen të burgosurit nga punonjës policie me detyrë kontrollor dhe i jepen të burgosurit. Po skanohen, por skaneri ka qenë me defekt që nga data 21.10.2023. Skaneri është rregulluar përpara 3-4 ditësh. Monitorimi kryhet me kamera sigurie dhe me punonjës policie të cilët bëjnë vëzhgimin nga sipër. Ambientet monitorohen me punonjës policie dhe me kamera. Kontrollet bëhen periodike, sipas informacioneve që kemi. Shtetasi Sokol Mjaca kishte tri ditë. Unë kam komunikuar me Sokolin për rreth një orë e gjysmë, pasi ai u fut tek dhoma e takimit. Në komunikim ishte shumë i qetë. Më tha se armën e kam futur para një muaji dhe e kam mbajtur të fshehur në kutinë e qumështit. E bëra këtë kur mora lajmin nga mediat që u futa në 41-Biz. Nuk mund ta sqaroj se si ka ndodhur, pasi kontrolli është kryer, por mund të ketë pasur neglizhencë në ndonjë moment të caktuar nga punonjësit e policisë të cilët kanë kryer kontrollin. Kontrolli kryhet kryesisht me dorë duke i kontrolluar një për një sendet dhe me dedektor dore”.

Kujtojmë se në datën 15 dhjetor opinioni publik u trondit nga ngjarja e ndodhur në burgun e Peqinit, i burgosuri Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri të dënuarin e përjetshëm Arben Lleshi.

S'KA KOMENTE