Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Fier ka dhënë vendimin për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 10 shtator 2024 në fshatin Kurjan, ku mbetën të vrarë Gramos dhe Lavdimir Kurtaj.
Trupi gjykues dënoi me burgim të përjetshëm Astrit Kurtajn, i akuzuar si autor i vrasjes së dyfishtë, ndërsa dy djemtë e tij, Eduart Kurtaj dhe Edison Kurtaj, u dënuan respektivisht me 27 dhe 30 vite burg për bashkëpunim në krim.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, konflikti nisi pas një sherri fizik mes djemve të Astrit Kurtajt dhe viktimave, për t’u përshkallëzuar më pas në përdorimin e armëve të zjarrit. Hetimet zbuluan se gjatë ngjarjes është përdorur një automatik i modelit “56”, ndërsa rolet e secilit prej të pandehurve janë përcaktuar në dosjen hetimore.
Gjykata i shpalli fajtorë për akuzën e “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim”, si edhe për vepra të tjera penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje dhe plagosjen e lehtë me dashje.
Çështja u shqyrtua nga gjyqtarët Alfred Konomi, Genci Busho dhe Vladimir Cjapi, ndërsa prokuroria u përfaqësua nga Eljon Mustafaj dhe Elona Gixhari.
Vendimi mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm brenda 15 ditëve nga njoftimi.










