Portugalia vendosi rekord të ri me një temperaturë prej 40.3 gradësh në maj, duke thyer rekordin e mëparshëm prej 40°C të vendosur në maj të vitit 2001. Vala e të nxehtit ka përfshirë pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore, duke shkaktuar probleme nga Franca në Itali.
Kryeministri francez Sebastien Le Corneille kryesoi një takim ministrash për të diskutuar përgatitjen e vendit për nxehtësinë ekstreme. Temat përfshinin planet për të luftuar zjarret në pyje dhe për të siguruar furnizime të mjaftueshme me ujë gjatë verës.
Në Paris, ku temperaturat pritet të shkojnë mbi 34°C, dhe autoritetet kanë njoftuar kufizime të trafikut prej kwsaj fundjavë. Vetëm makinat me emetim të ulët do të lejohen në rrugë, kufijtë e shpejtësisë do të ulen dhe do të ofrohet një biletë e vetme për transportin publik. Një alarm portokalli, i cili bën thirrje për “kujdes të madh”, është në fuqi për 17 departamente në veriperëndim të vendit, përfshirë Parisin.
Autoritetet italiane kanë lëshuar një alarm të kuq, të parin e këtij lloji këtë vit, për disa qytete, duke përfshirë Romën, Firencen, Bolonjën, Breshian dhe Torinon. Paralajmërimi tregon “pasoja të mundshme negative shëndetësore edhe për njerëzit e shëndetshëm dhe aktivë”. Në Romë, temperaturat mund të arrijnë 32°C të enjten.
Spanja pritet gjithashtu të përjetojë temperatura të larta, me Madridin që pritet të arrijë 35°C gjatë fundjavës. Edhe pse kjo periudhë nuk konsiderohet zyrtarisht si valë e të nxehtit në Spanjë, shërbimi kombëtar meteorologjik thotë se një nxehtësi e tillë është tipike për korrikun dhe gushtin.










