Ulet çmimi i sigurimit për shoferët korrektë, rrit penalitetet për shkelësit

Skema e re e sigurimit të makinave “bonus-malus”, e zbatuar që prej vitit të kaluar, ka nisur të japë efektet e para në tregun shqiptar të sigurimeve. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë një ndryshim të qartë në mënyrën si llogariten dhe shpërndahen kostot për drejtuesit e mjeteve.

Sipas skemës, primi i siguracionit përcaktohet mbi bazën e disa faktorëve të riskut, përfshirë historikun e aksidenteve (nga viti 2025 e në vijim), fuqinë motorike, moshën dhe eksperiencën e drejtuesit, vjetërsinë e mjetit, qarkun e regjistrimit dhe statusin e pronësisë (individ apo biznes).

Statistikat e fundit të AMF-së tregojnë se, megjithëse totali i primeve nga sigurimi i detyrueshëm MTPL është rritur me 7%, primi mesatar ka pësuar një rënie prej 2.5%. Ky zhvillim lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e faktorëve të riskut, veçanërisht historikun e dëmeve.

Në praktikë, kjo do të thotë se drejtuesit që nuk kanë shkaktuar aksidente gjatë vitit 2025 po përfitojnë ulje të tarifave, ndërsa ata që kanë shkaktuar dëme po përballen me rritje të kostove të sigurimit.

Sigurimi i detyrueshëm vijon të dominojë tregun, duke zënë mbi gjysmën e totalit të primeve, ndërsa rritje kanë shënuar edhe sigurimet vullnetare, sidomos ato të përgjegjësisë dhe sektorit detar. Ndërkohë, sigurimi i jetës ka njohur një rritje prej 6%, i nxitur kryesisht nga kërkesat e bankave për sigurimin e kredimarrësve.

Sa i përket dëmeve, AMF raporton se pagesat janë përqendruar kryesisht në rastet e zjarreve, fatkeqësive natyrore dhe dëmeve në pronë.