U v*a me armë zjarri në Suedi ,trupi i 21-vjeçarit shqiptar nga Fieri, mbërrin në atdhe

Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin shqiptar në Suedi, pasi një i ri nga Fieri ka humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në qytetin Helsingborg.

Ngjarja ndodhi pak para mesnatës, kur autoritetet suedeze morën njoftim për të shtëna me armë. Menjëherë pas sinjalizimit, policia rrethoi zonën dhe nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.

Si pasojë e të shtënave humbi jetën Mateo Llupi, 21 vjeç, me origjinë nga Fieri, i cili prej vitesh jetonte në Suedi së bashku me familjen e tij.

Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një vajzë rreth 25 vjeçe, e cila ndodhej në shoqërinë e të riut në momentin e ngjarjes. Sipas policisë suedeze, deri më tani nuk ka persona të identifikuar apo të arrestuar, ndërsa hetimet janë përqendruar në disa pista.

Ndërkohë, trupi i pajetë i 21-vjeçarit është transportuar drejt Shqipërisë dhe ka mbërritur në Fier, ku familja Llupi ka hapur dyert e mortit.

Ceremonia mortore për përcjelljen e të riut në banesën e fundit pritet të zhvillohet ditën e premte.