Edhe këtë të hënë, tregtarët e tregut të fruta-perimeve në Vlorë janë ngritur sërish në protestë përpara Bashkisë, pas mbylljes së plotë të tregut ku ushtronin aktivitetin prej vitesh.
Tregtarët kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet lokale për vendosjen e tyre në një hapësirë të re, duke theksuar se kanë mbetur pa mundësi pune dhe të ardhura.
Sipas raportimeve, nga zona janë larguar tashmë edhe dyqanet, ndërsa tregu është mbyllur totalisht në kuadër të një projekti rehabilitimi urban pranë zonës së Sahatit.
Projekti është pjesë e planit për rikualifikimin e qendrës së qytetit të Vlorës, por tregtarët shprehen se nuk janë informuar në kohë dhe se ende nuk u është ofruar një alternativë konkrete për vijimin e aktivitetit të tyre.










