Situata para Kuvendit ka nisur të tensionohet që në orët e para të mëngjesit, ende pa shënuar ora 10:00, ndërsa në zonë kanë mbërritur protestuesit e parë.
Masat e sigurisë janë shtuar ndjeshëm, me gardh metalik, autoblinda dhe autobotë me ujë të vendosur në perimetrin e Parlamentit. Pavarësisht pranisë së forcave të shumta të policisë, incidentet e para nuk kanë munguar.
Në momentin e mbërritjes së automjetit të Kryetarit të Parlamentit, Niko Peleshi, një protestuese ka hedhur miell në drejtim të makinës së tij, duke rritur më tej tensionin në zonë.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka nisur shoqërimet e para të qytetarëve që ndodheshin pranë protestës. Sipas informacioneve paraprake, disa persona janë ndaluar teksa qëndronin në anë të rrugës, pranë një biznesi afër Kuvendit.
Mes të shoqëruarve raportohet se ndodhet edhe eksperti i IT-së dhe aktivisti Gent Progni.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura arsyet zyrtare të shoqërimit të tij, ndërsa situata në perimetrin e Kuvendit vijon të mbetet e tensionuar.










