Balluku nuk harron Dibrën, shtron iftar në Maqellarë

Drejtuesja politike e qarkut Fier e PS, Belinda Balluku, ka zhvilluar një vizitë në Dibër, ku në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit ka shtruar një iftar për besimtarët dhe banorët e zonës së Maqellarës.

Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, Balluku u bashkua me dhjetëra besimtarë në tryezën e iftarit, duke ndarë me ta momentin e çeljes së agjërimit dhe duke përcjellë mesazhe solidariteti, respekti dhe bashkimi në këtë muaj të bekuar.

Takimi u karakterizua nga fryma e bashkëpunimit dhe vlerësimit të traditave, ndërsa pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e këtyre momenteve që forcojnë lidhjet në komunitet gjatë Ramazanit

Postimi i Belinda Ballukut

N’shpi 📍 Dibër – Maqellarë, mes njerëzve të dashur e bujarë, mes besimtarëve të mirë e të devotshëm, iftari merr një tjetër kuptim. Nuk është thjesht momenti i mbylljes së agjërimit, por një çast i mbushur me ngrohtësi, respekt dhe mirënjohje për njëri-tjetrin.
Së bashku me shumë besimtarë dhe banorë të zonës në një tryezë, ku ndarja e bukës dhe e duave krijoi një atmosferë të veçantë vëllazërie e solidariteti. Momente të tilla tregojnë forcën e komunitetit dhe bukurinë e bashkimit në këtë muaj të bekuar.

19-vjeçari gjendet pa shenja jete në oborrin e banesës

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme në Shkodër. Sipas Policisë, rreth orës 20:50, në fshatin Juban, familjarët kanë gjetur në oborrin e banesës së tij pa shenja jete shtetasin L. P., 19 vjeç.

Nga të dhënat paraprake dyshohet se i riu mund të ketë kryer vetëvrasje.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.

Aksident në Fier, “Audi” përplaset me kamionçinën, plag*sen 3 persona

Screenshot

Një aksident rrugor është regjistruar pak minuta më parë në rrugën dytësore që të çon drejt fshatit Baltëz, në Fier.

Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Audi”, me drejtues shtetasin Rrapi Mile, është përplasur me një automjet tip “Nissan” kamionçinë, që drejtohej nga shtetasi Alban Hebeja.

Si pasojë e përplasjes së fortë, drejtuesi i kamionçinës dhe dy pasagjerët që udhëtonin me të kanë mbetur të lënduar. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën mjekësore dhe, sipas burimeve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. 

Rrëzohet një avion ushtarak amerikan në Irak, humbin jetën 6 anëtarë të ekuipazhit

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka konfirmuar se gjashtë anëtarë të ekuipazhit kanë humbur jetën pas rrëzimit të një avioni ushtarak në perëndim të Irakut.

Sipas një njoftimi të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në rrjetet sociale, bëhet fjalë për një avion furnizimi me karburant në ajër të tipit KC-135, i cili u rrëzua gjatë një misioni.

Autoritetet ushtarake amerikane bëjnë të ditur se të gjithë personat që ndodheshin në bord janë konfirmuar të vdekur.

“Rrethanat e incidentit janë ende nën hetim. Megjithatë, humbja e avionit nuk ka ardhur si pasojë e zjarrit armik apo zjarrit miqësor”, thuhet në deklaratën e Komandës Qendrore të SHBA-së, e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

Me këtë incident, numri i përgjithshëm i viktimave amerikane të konfirmuara në operacionin kundër Iranit shkon në 13.

Shuarja e masës së pezullimit nga detyra, GJKKO rrëzon kërkesën e Belinda Ballukut

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka rrëzuar kërkesën e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për shuarjen e masës së sigurisë “pezullim nga detyra”.Kërkesa e saj u shqyrtua nga gjyqtari Erion Çela, i cili vendosi të lërë në fuqi masën e vendosur më herët ndaj Ballukut në kuadër të hetimeve që po zhvillon SPAK.

Masa e sigurisë “pezullim nga detyra” ishte vendosur nga GJKKO në nëntor, kohë kur Balluku mbante postin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama njoftoi shkarkimin e saj nga detyra.

Edhe pse tashmë e shkarkuar, Balluku kërkoi shuarjen e masës së pezullimit, duke argumentuar se ajo nuk ushtron më funksion publik. Megjithatë, gjykata vendosi që masa të mbetet në fuqi, ndërsa hetimet e SPAK vijojnë.

Balluku kërkesë në GJKKO për heqje të masës së sigurisë “pezullim nga detyra”

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka depozituar në GJKKO kërkesë për heqje të masës së sigurisë “pezullim nga detyra” vendosur ndaj saj lidhur me hetimet qe po kryen SPAK.

Gjyqtari që do shqyrtojë kërkesën është Erion Çela, i cili më herët ka firmosur masat e sigurisë ndaj saj dhe dy ish-vartësve të saj Erald Elezi dhe Gentian Gjyli.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion firmosi vendimin për “pezullim nga detyra” e zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë për Belinda Ballukun në nëntor. Më 26 shkurt, kryeministri Edi Rama lajmëroi shkarkimin e saj nga detyra.

Pavarësisht shkarkimit, kërkesa për heqjen e masës së sigurisë lidhet me faktin se pezullimi nga detyra është një vendim gjyqësor që mbetet në fuqi deri sa të shfuqizohet nga gjykata. Juridikisht, kjo masë mund të kufizojë ushtrimin e funksioneve të tjera publike dhe përdoret nga prokuroria për të shmangur ndikimin e mundshëm në hetime.

Në këto kushte, GJKKO pritet të vendosë nëse masa e sigurisë do të vazhdojë të mbetet në fuqi apo do të hiqet, ndërsa hetimet e SPAK ndaj ish-zv.kryeministres vijojnë.

Policia e Fierit arreston një drejtues mjeti në gjendje të dehur, procedohen disa shtetas për vepra të ndryshme

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin I. H., 38 vjeç, banues në Roskovec, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal:
-për shtetasin L. G., 54 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka tentuar të djegë një mjet në pronësi të një subjekti;
-për dy 16-vjeçare, pasi dyshohet se janë konfliktuar me grushte, me një bashkëmoshatare.

Dje, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në banesën e shtetases F. A., në fshatin Portëz. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Shp*rthim i kontrolluar në rrugën Llogara–Palasë, ARRSH njofton ndërhyrje për punimet në trasenë e rrugës

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se sot, rreth orës 12:00, në segmentin rrugor Llogara–Palasë do të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në kuadër të punimeve për hapjen e trasesë së rrugës.

Sipas njoftimit, ndërhyrja do të realizohet rreth 850 metra nga dalja e tunelit të Llogarasë në drejtim të Palasës. Procesi do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim garantimin e sigurisë dhe menaxhimin e qarkullimit të mjeteve në këtë segment.

ARRSH u bën thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve për mirëkuptim deri në përfundim të procesit të punimeve, duke theksuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurinë gjatë zhvillimit të ndërhyrjes.