SHBA heq për 30 ditë sanksionet ndaj naftës iranian

Administrata Trump hoqi përkohësisht sanksionet mbi blerjen e naftës iraniane në det për 30 ditë, në përpjekjen e saj të fundit për të ulur çmimet e naftës që janë rritur nga lufta SHBA-Izrael kundër Iranit.

Heqja do të sjellë rreth 140 milionë fuçi naftë në tregjet globale dhe do të ndihmojë në lehtësimin e presionit mbi furnizimin me energji, postoi Sekretari i Thesarit Scott Bessent në X.

Ky veprim pasqyron shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë se rritja e çmimeve të naftës pas gati tre javësh sulmesh amerikane dhe izraelite ndaj Iranit do të dëmtojë bizneset dhe konsumatorët amerikanë përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit të nëntorit, kur republikanët e Presidentit Donald Trump shpresojnë të ruajnë kontrollin e Kongresit.

Licenca, e postuar në faqen e internetit të Departamentit të Thesarit, thotë se nafta iraniane mund të importohet në Shtetet e Bashkuara sipas përjashtimit kur është e nevojshme për të përfunduar shitjen ose dorëzimin e saj.

SHBA-të nuk kanë importuar naftë iraniane që kur Uashingtoni vendosi masa pas revolucionit të vitit 1979. Kuba, Koreja e Veriut dhe Krimea janë ndër rajonet e përjashtuara nga licenca, e cila do të mbetet në fuqi deri më 19 prill.

Ky veprim pritet t’i sjellë dobi Azisë, blerësit kryesor të naftës së Lindjes së Mesme. Sekretari i Energjisë Chris Wright tha se furnizimet mund të mbërrijnë në Azi brenda tre ose katër ditësh dhe të dalin në treg pasi të jenë rafinuar gjatë një muaji e gjysmë në vijim.

Rafineritë e pavarura kineze kanë qenë blerësit kryesorë të naftës iraniane të sanksionuar, duke përfituar nga zbritjet e mëdha pasi të tjerët shmangnin blerje të tilla. India, Koreja e Jugut, Japonia, Italia, Greqia, Tajvani dhe Turqia ishin gjithashtu blerës të mëdhenj të naftës bruto iraniane përpara se sanksionet e SHBA-së të rivendoseshin në vitin 2018.

Kjo është hera e tretë që Departamenti i Thesarit ka hequr dorë përkohësisht nga sanksionet mbi naftën nga kundërshtarët e SHBA-së në pak më shumë se dy javë. Lëvizjet janë pjesë e përpjekjeve të administratës për të zbutur çmimet e energjisë që janë rritur mbi 100 dollarë për fuçi në nivelet më të larta që nga viti 2022.

SHBA-të më parë lehtësuan sanksionet ndaj naftës ruse dhe të premten lëshuan një licencë të përgjithshme që lejon shitjen e naftës bruto iraniane dhe produkteve të naftës të ngarkuara në anije deri të premten.

“Në thelb, ne do t’i përdorim fuçitë iraniane kundër Teheranit për ta mbajtur çmimin të ulët ndërsa vazhdojmë Operacionin Epic Fury”, tha Bessent.

Çmimet e naftës janë rritur me rreth 50% që kur SHBA-të dhe Izraeli nisën sulmet e tyre më 28 shkurt.

Në përpjekje për të zbutur çmimet e naftës, administrata Trump njoftoi të mërkurën një heqje dorë 60-ditore të ligjit të transportit detar të Aktit Jones, duke lejuar përkohësisht anijet me flamur të huaj të lëvizin karburant, plehra dhe mallra të tjera midis porteve amerikane.

Miratohet dizajni i monedhës së artë me imazhin e Donald Trump, ngrihen pikëpyetje për ligjshmërinë

Një monedhë përkujtimore prej ari 24 karatësh, që mban imazhin e Donald Trump, është miratuar nga Komisioni i Arteve të Bukura në SHBA, anëtarët e të cilit votuan unanimisht për aprovimin e dizajnit. Vitin e kaluar, Trump shkarkoi anëtarët e këtij komisioni, duke i zëvendësuar me aleatë të tij.

Monedha synon të shënojë 250-vjetorin e SHBA-së më 4 korrik dhe paraqet Trump në një pozë të fortë, me grushtet të mbështetura mbi atë që duket si tavolina Resolute. Dizajni bazohet në një fotografi të realizuar nga fotografi kryesor i Shtëpisë së Bardhë për të.

Në pjesën e sipërme të monedhës është shkruar “LIBERTY”, ndërsa poshtë saj janë vendosur datat 1776–2026. Megjithatë, janë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e saj, pasi ligji federal nuk lejon që një president në detyrë të shfaqet në valutën amerikane.

Një panel dypartiak më parë e ka refuzuar një ide të tillë, ndërsa kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Ritchie Torres, propozoi projektligjin “Trump Act” për të ndaluar presidentët të emetojnë valutë me portretin e tyre. Ky projektligj nuk është miratuar.

Nga ana tjetër, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, pritet të japë miratimin përfundimtar për prodhimin, pasi United States Mint të përcaktojë përmasat finale.

Sipas Megan Sullivan, drejtuesja në detyrë e menaxhimit të dizajnit në US Mint, Sekretari i Thesarit ka autoritetin për të autorizuar prodhimin dhe emetimin e monedhave.

Ndërkohë, arkëtari i SHBA-së, Brandon Beach, u shpreh se, në kuadër të 250-vjetorit, po përgatiten monedha që përfaqësojnë shpirtin e vendit, duke theksuar se nuk ka profil më përfaqësues për pjesën e përparme sesa ai i presidentit në detyrë.

Kritikët kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të shkëputur nga realiteti, ndërsa bëhet e ditur se monedha do të jetë pjesë e një prodhimi shumë të kufizuar, pa një numër të përcaktuar ende.

Recep Tayyip Erdoğan: “Zoti e shkat*rroftë Izraelin”, deklaratë e fortë gjatë Fitër Bajramit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë një deklaratë të fortë këtë të premte në kuadër të festës së Fitër Bajramit.

Sipas raportimit të Anadolu Agency, ai i bëri këto komente pas faljes së namazit në një xhami në Rize, qytet nga i cili ka origjinën familja e tij.

Në fjalën e tij, Erdoğan përdori termin “Al-Kahrar”, një nga emrat në traditën islame që i referohet Zotit, me kuptimin “Dominuesi” apo “Ai që nënshtron”.

“Ai, ‘Dominuesi’ (Al-Kahrar), e shtyptë dhe shkatërroftë Izraelin”, u shpreh presidenti turk.

Më tej, ai shtoi: “Zoti na mbroftë dhe na ruajtë sa më shpejt të jetë e mundur nga fatkeqësia sioniste”.

Rama mbledh neser Asamblenë e PS-së

Socialistët mblidhen të shtunën në Durrës, fokusi te organizimi i brendshëm dhe zgjedhjet në parti

E shtuna e kësaj jave nuk pritet të jetë pushim për socialistët, pasi është thirrur mbledhja e radhës e Asamblesë Kombëtare në Durrës, në orën 10:00.

Njoftimi u është dërguar anëtarëve të Asamblesë, ndërsa mbledhja ishte paralajmëruar më herët nga Edi Rama gjatë takimit të fundit të kryesisë së Partisë Socialiste. Sipas tij, fokusi kryesor tashmë do të jetë tek organizimi i brendshëm i partisë.

Rama u ka kërkuar strukturave socialiste të angazhohen në një dialog të gjerë dhe të përgatiten për zgjedhjet e brendshme në nivel organizatash.

Sipas burimeve, edhe pse ende nuk është publikuar një agjendë zyrtare, mbledhja pritet të hapet nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, ndërsa më pas fjalën do ta marrë kryesocialisti dhe njëkohësisht Kryeministri, Edi Rama.

Aksident në aksin Berat–Dimal, pl*gosen dy drejtues mjetesh pas një parakalimi

Një aksident rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin nacional Berat–Dimal, në zonën e Moravës, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën gjatë një tentative për parakalim.

Si pasojë e përplasjes, janë plagosur drejtuesit e të dy mjeteve, Kristaq Stefa, 69 vjeç, banues në Kuçovë, dhe shtetasi me inicialet S.Z., 52 vjeç, banues në Berat. Të lënduarit janë transportuar fillimisht drejt Spitalit Rajonal Berat, ku morën ndihmën e parë mjekësore, dhe më pas janë dërguar për trajtim më të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forca të shumta policore, të cilat kanë kryer veprimet e nevojshme për dokumentimin e aksidentit dhe përcaktimin e shkaqeve dhe rrethanave të tij.

Arrestohet në Fier 29-vjeçari i shpallur në kërkim për “vr*sje” të mbetur në tentativë

DVP Fier / Ekzekutohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda një urdhër ndalimi.

I shpallur në kërkim për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, vihet në pranga një 29-vjeçar.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier ekzekutuan urdhrin e ndalimit për shtetasin F. Ç., 29 vjeç, banues në Fier.

Ky shtetas, më datë 26.02.2026, dyshohet se, pas një konflikti për motive të dobëta, ka përplasur me qëllim, me automjetin e tij, shtetasin S. N., 45 vjeç, dhe bashkëshorten e tij, shtetasen E. N. (M)., 35 vjeçe. Të dëmtuarit morën ndihmë mjekësore në spital dhe më pas u larguan për në banesë.

Në vijim të veprimeve proceduriale u ndalua shtetasi F. Ç., 29 vjeç, banues në Fier, për veprën penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Lirohet drejtori i Burgut të Rrogozhinës akuzuar per shtepine e barit

Drejtori i burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa, është liruar nga paraburgimi, ndërsa hetimet për dy magazinat e kanabisit të zbuluara në Peqin do të vazhdojnë në gjendje të lirë. Për rastin, është shpallur në kërkim vëllai i tij.

Policia njoftoi se gjatë operacionit të zhvilluar të enjten në fshatin Kurtaj, njësia administrative Gjocaj, u kontrollua bodrumi i një magazine, ku u gjetën dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me llamba, me rreth 4,000 bimë kanabis.

“Bazuar në informacionet operative dhe në kuadër të planit për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, shërbimet e Policisë, në kuadër të operacionit të koduar ‘Kurtaj’, ushtruan kontrollin në bodrumin e magazinës. Ambienti rezultoi në pronësi të shtetasit Bilal Hasa, i cili u shpall në kërkim. Po ashtu, për veprën penale ‘Shpërdorimi i detyrës’, është shpallur në kërkim edhe shtetasi E. M., përgjegjës i OSHEE-së për zonën e Peqinit”, njoftoi Policia e Shtetit.

Nafta 214 lekë, Qeveria rikthen Bordin e Transparences

Qeveria ka vendosur të ngrejë Bordin e Transparencës pasi çmimi i naftës në treg arriti në 214 lekë.Deklaratën e bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimi gjatë një lidhje live në Top Story në Top Channel.

“Sapo kam dalë nga një mbledhje e gjatë në Kryeministri, me kryeministrin, ministrin e Financave, ministrin e Energjetikës, për të analizuar në detaje situatën. Duke parë ecurinë e ditëve të fundit dhe ndikimin e sulmeve të ditëve të fundit kemi vendosur të ngremë Bordin e Transparencës. Bordi ngrihet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ne kemi vendosur të ndërhyjmë edhe në çmimin e akcizës duke e reduktuar në 20%. Janë dy akte të cilat do t’i kalojnë Këshillit të Ministrave. Akciza është te 40 lekë dhe do të ulet te 20%. Do të marrim parasysh taksat dhe për çmimin e shumicës do të ketë një marzh 3 lekë për litër, ndërsa për pakicën 12 lekë për litër. Me anë të këtij mekanizmi garantojmë që çmimet do të jenë të kontrolluara dhe nuk do të ketë asnjë abuzim”, deklaroi Ibrahimaj.Bordi mblidhet sa herë ka një ndryshim të qenësishëm të çmimit të bursës për përcaktimin e çmimeve që janë tavan dhe mbi të cilat nuk mund të tregtohet. Shkelja nga ana e tregtarëve e çmimeve të miratuara nga Bordi i Transparencës përbën një penalitet që çon në pezullimin e licencës”.