IKMT ,aksion për objektet pa leje në Himarë, prishen disa godina në Jalë dhe Dhërmi

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur një aksion për prishjen e objekteve pa leje në bashkinë e Himarës.Mbrëmjen e së dielës janë prishur katër objekte në Jalë, ndërsa sot ka nisur prishja e pesë objekteve në zonën e Dhërmiut. Forca të policisë ndodhen në mbështetje të punonjësve të IKMT, ndërkohë që nuk ka pas kundërshtime nga pronarët.

Po ashtu, për këtë situatë, pra lejimin e ndërtimeve të këtyre godinave, kreu i bashkisë së Himarës, Tavo ka shkarkuar nga detyra punonjësit e IMTsë.

Ajola Xoxa paraqitet sot në SPAK.

Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, është paraqitur ditën e sotme në ambientet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK.

Bashkëshortja e Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është në hetim nga SPAK për korrupsion pasiv, pastrim të parave e fshehje të pasurisë dhe po hetohet nën masën detyrim paraqitje.

Sakaq, Erion Veliaj sot kërkon lirinë nga paraburgimi i Durrësit, ku qëndron prej 10 shkurtit, në Gjykatën e Apelit të Posaçëm. Seanca e Veliajt fillon në orën 14:00, teksa çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Engert Pëllumbi.

Veliaj po hetohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 episode dhe pastrim parash. Ai u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe që prej asaj kohe ka kërkuar disa herë lirimin nga paraburgimi, pa sukses.

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën negativisht duke pësuar gjatë fundjavës një rënie të fortë të vlerës duke u blerë sot mëngjes me 84.8 lekë dhe duke u shitur me 86.1 lekë në raport me javën që lamë pas.

Sipas kursit të këmbimit lokal monedha europiane është blerë mëngjes e sotëm me 97.2 lekë dhe është shitur me 98.2 lekë duke vijuar të ruaj relativisht po të njëjtat vlera edhe këtë fillim jave.

Franga zvicerane ka regjistruar një zbritje të ndjeshme të vlerës nga java e shkuar duke u blerë këtë të hënë me 103.2 lekë dhe duke u shitur me 105 lekë referuar tregut të brendshëm valutor.

Paundi britanik ndërkaq ka pasur një rritje të lehtë të vlerës gjatë këtyre dy ditëve duke e nisur javën në rritje teksa është blerë sot me 115 lekë dhe është shitur me 116.2 lekë.

Kujdes!Mesazhe në telefon në emër të Postës Shqiptare, AKSK: Domaini i rrezikshëm, mos jepni të dhënat tuaja bankare

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike ka ndërmarrë menjëherë të gjitha masat për të bllokuar një skemë mashtruese që synonte vjedhjen e të dhënave bankare përmes mesazheve të rreme në emër të Postës Shqiptare.Domaini i rrezikshëm është raportuar dhe dërguar për bllokim te AKEP. AKSK njofton qyetetarët të bëjnë kujdes dhe të mos japin në asnjë rast të dhënat e tyre bankare apo të kartës përmes formave të dyshimta.

AKSK vijon monitorimin dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucionet përgjegjëse për të parandaluar çdo përpjekje për mashtrim digjital.

Gjenden në një park trupat e pa jetë të një gruaje dhe një foshnje 6-muajshe, nisin menjëherë hetimet

Një pasdite vere në parkun Villa Doria Pamphili u kthye në skenë makthi pas zbulimit të dy trupave të pajetë, një foshnje dhe një gruaje.Ngjarja ka tronditur banorët e zonës dhe ka vënë në lëvizje hetuesit italianë në kërkim të së vërtetës pas këtij misteri të errët.

Rreth orës 16:30 të së shtunës, në një zonë të parkut të kthyer në vendgrumbullim mbeturinash, u gjet trupi i një vajze të vogël, rreth gjashtë muajshe.

Dy kalimtare fillimisht menduan se bëhej fjalë për një kukull, por pas afrohen një burri, e kuptuan të vërtetën tronditëse. Foshnja ishte lakuriq, me shenja traume në krahun dhe këmbën e djathtë.

Vetëm katër orë më vonë dhe rreth 100 metra larg, një tjetër zbulim makabër: trupi i një gruaje, i fshehur në një thes të zi nën një rresht me oleandra. Gruaja ishte e veshur, por pa dokumente identifikimi.

Një lidhje e mundshme: nënë dhe bijë?

Hetuesit dyshojnë se të dy viktimat mund të jenë të lidhura – ndoshta nënë e bijë – dhe se të dy trupat janë braktisur nga i njëjti person. “Është një histori absurde,” deklaroi prokurori Antonio Verdi, që mbërriti në vendin e ngjarjes mbrëmjen vonë. Ai shtoi se do të bëhen analiza ADN-je për të përcaktuar lidhjen mes viktimave dhe për të ndriçuar shkaqet e vdekjes.

Sipas vlerësimeve të para mjeko-ligjore, gruaja ka ndërruar jetë më parë se foshnja, por nxehtësia brenda çantës ku u gjet mund të ketë përshpejtuar dekompozimin e trupit të saj.

Dëshmi, dyshime dhe kamera sigurie

Një familje që po luante volejboll në park zbuloi trupin e gruas kur topi përfundoi në shkurre. Njëri prej tyre, Giacinto Tito, tha se ndjenin një erë të keqe dhe menjëherë lajmëruan policinë. Disa metra më tutje ndodhet një gardh i dëmtuar që shikon nga një rrugë e jashtme – një pikë e mundshme hyrjeje për personin që braktisi trupat.

Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar pamjet nga kamerat e sigurisë përreth parkut për të identifikuar lëvizjet e dyshimta në ditët e fundit. Po ashtu, po kontrollohen spitalet për të parë nëse ndonjëra prej viktimave është paraqitur më herët për trajtim mjekësor.

Gruaja e panjohur në urë – një pistë e re?

Rreth orës 18:40, dy gra që po shëtisnin në park panë një grua të re në gjendje të hutuar mbi një urë në qendër të parkut. “Ajo mbante duart në tëmtha dhe tundte kokën. Ishte me një fustan të errët dhe flokë ngjyrë kafe të çelët”, tha njëra prej dëshmitareve për gazetën La Repubblica.

Ky dëshmitar mund të jetë çelësi për të kuptuar më shumë rreth identitetit të viktimave apo personit përgjegjës.

Përfundimi i një dite makthi

Në orën 21:30, parkut iu shtuan dritat e forta të zjarrfikësve për të ndihmuar hetuesit dhe mjekun ligjor gjatë inspektimeve. Disa kalimtarë, të hutuar nga prania e shiritave të policisë, pyetën nëse po xhirohej ndonjë film. Por të vërtetën e hidhur e mësuan vetëm kur u afruan më shumë.

Villa Doria Pamphili, një nga parqet më të dashura të Romës, është tashmë skenë e një hetimi të ndërlikuar, me shumë pyetje të hapura dhe me vetëm disa fije shprese për të zbuluar çfarë ndodhi vërtet.

Policia shqiptare ‘përcjell’ në Rinas skuadrën serbe.

Pas përfundimit të ndeshjes, skuadra serbe është shoqëruar nga forcat e policisë shqiptare drejt Aeroportit të Rinasit.Masat e sigurisë ishin të shtuara për të garantuar një largim të qetë dhe pa probleme të ekipit.

Pavarësisht tensioneve të mundshme, nuk u shënua asnjë incident gjatë rrugës apo në ambientet e aeroportit.Skuadra serbe është futur në terminal dhe ka vijuar udhëtimin drejt Serbisë në mënyrë të rregullt dhe të sigurt.

Policia shqiptare ka treguar përkushtim maksimal për të siguruar rendin dhe qetësinë gjatë gjithë procesit të largimit të ekipit.

Shqipëria ruan vendin e “play off”-it për në Botëror! Renditja aktuale në Grupin K

Pas barazimit me Serbinë pa gola, Shqipëria ruan vendin e dytë në grup me 4 pikë të grumbulluara në 3 ndeshje.Ekipi i Kombëtares nuk arriti të marrë më shumë se një pikë në përballjen me Serbinë, ndeshje e cila përfundoi me rezultatin 0-0.

Ndërkohë Anglia ka forcuar pozitën e saj në vendin e parë, pasi ka arritur të mundë me rezultatin minimal 0-1 kundër Andorrës.Vendin e tretë momentalisht e mban Letonia me 3 pikë të grumbulluara në 2 ndeshje, e katërta është Serbia me 1 pikë, e cila me ndeshjen e sotme nisi misionin e saj për kualifikim në Botërorin 2026 në SHBA.

Ndërkohë, Andorra është e fundit në grup pasi nuk ka grumbulluar asnjë pikë në 3 ndeshjet e para.

Nëse kjo do ishte renditja përfundimtare, Shqipëria do e shihte veten të kualifikuar për në Botërorin e 2026-ës.

RENDITJA

Mediat serbe:“Futbollistët tanë mezi shpëtuan jetët e tyre”

Mediat serbe kane egzagjeruar deri dhe mashtruar me titujt për lajmet e ndeshjes së sotme në Tiranë, në përballjen Shqipëri-Serbi, me rezultatin 0-0.Kurir e ka pasqyruar të gjithë ndeshjen me termat “terror, skandal, po na sulmojnë lojtarët tanë”.

Gjestin e fëmijëve kur bënë me duar shqiponjën dykrenare, në mënyrë fëminore dhe të entuziazmuar, e kanë përshkruar kështu: sa urrejtje në Tiranë! Skandalet nuk mbarojnë kurrë… fëmijët treguan shqiponjën shqiptare gjatë këndimit të himnit tonë kombëtar, shikoni skenat e tmerrshme që i tmerruan të gjithë!FUTBOLLISTËT SERBË MEZI SHPËTOJNË JETËT E TYRE NË TIRANË: Një ndeshje skandaloze që duhej të NDALOHEJ! Gjorgje Petrović na solli një pikë kundër Shqipërisë”, është ky titulli i lajmit të përmbylljes së ndeshjes.

Duket se kujtesa e mediave serbe është e shkurtër, duke harruar dhunën që shkaktuan ndaj futbollistëve tanë 11 vite më parë në Beograd, çka solli ndërprerjen e ndeshjes dhe fitoren 0-3 në tavolinë për Shqipërinë.

Blic shkruan: “Edhe pse nuk dukej se do të ishte kështu, veçanërisht kur shikon atmosferën para ndeshjes, skuadra e Dragan Stojkoviç i mbijetoi një ferri të vërtetë. Tre herë djemtë tanë u goditën në kokë, Davide Massa ndërpreu shkurt duelin, por ai nuk pati guximin t’u tregonte lojtarëve rrugën për në dhomën e zhveshjes. Le të mos flasim për skandalin para ndeshjes, kur fëmijët treguan një shqiponjë dykrenare në fushë”.