Vr*s*a e Jani Aliajt në burgun e Koridhalos, hetimet marrin drejtim të ri

Hetimet për vrasjen e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e Koridhalos në Greqi po vijojnë, ndërsa autoritetet greke kanë hapur një pistë të re hetimore lidhur me rrethanat e ngjarjes.

Sipas burimeve policore, në kuadër të verifikimeve po merret në shqyrtim edhe 44-vjeçari Xhuliano Halili, i cili ndodhej në të njëjtin sektor me viktimën dhe rezulton i plagosur pas ngjarjes. Ai ishte i sistemuar në qeli pranë Aliajt, fakt që e ka futur në rrethin e personave që po hetohen.

Fillimisht, përgjegjësinë për vrasjen e mori një i burgosur grek, Kristos Vardhuniotis (27 vjeç), i cili u paraqit vetë në polici dhe deklaroi se ishte autor i krimit. Megjithatë, nga verifikimet e para është konstatuar se në vendngjarje nuk janë gjetur shenja përleshjeje, çka ka bërë që autoritetet të shqyrtojnë edhe skenarë të tjerë.

Burime nga ambientet e burgut kanë bërë me dije se po analizohen disa versione alternative, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar për autorësinë reale të ngjarjes.

Pista e së shkuarës së viktimës

Jani Aliaj ka qenë prej vitesh në vëmendjen e autoriteteve greke për lidhje të mundshme me rrethe kriminale, veçanërisht në konfliktet mes grupeve që veprojnë në jetën e natës në Greqi. Këto dyshime nuk janë provuar zyrtarisht, por po merren në konsideratë në kuadër të hetimit.

Profil i personit të verifikuar

Xhuliano Halili është i dënuar në Greqi me burgim të përjetshëm për ngjarje të rënda të ndodhura në të kaluarën. Ai është përfshirë në disa dosje penale, përfshirë edhe incidente të ndodhura brenda burgut të Koridhalos, çka e bën një person me profil të lartë rrezikshmërie për autoritetet.

Policia greke bën me dije se:

“Hetimet janë në vijim dhe çdo pistë po verifikohet.”

Zhvillime të tjera priten në orët dhe ditët në vijim.

Era e fortë shkakton probleme në qarkullim në rrugën Vlorë–Zvërnec

Era e fortë që ka përfshirë zonën e Vlorës ka shkaktuar rënie pemësh në segmentin rrugor Vlorë–Zvërnec, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e automjeteve.

Si pasojë, lëvizja në këtë aks është bërë e kufizuar përkohësisht. Në terren kanë mbërritur shërbimet përkatëse për largimin e pengesave dhe normalizimin e qarkullimit.

Ligji “Made in Albania” këtë vit, fokus te eksportet dhe mbrojtja e produkteve shqiptare

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka deklaruar se brenda këtij viti do të miratohet ligji i ri për produktet “Made in Albania”, i cili synon të promovojë prodhimin vendas dhe të rrisë eksportet e produkteve shqiptare.

Sipas Ibrahimajt, ligji do të krijojë një kuadër të ri për ndërtimin dhe mbrojtjen e markës “Made in Albania”, si në tregun vendas ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

“Ky ligj synon promovimin e produkteve vendase brenda dhe jashtë vendit, ndërtimin dhe mbrojtjen e brandit ‘Made in Albania’ dhe nxitjen e eksporteve të produktit shqiptar,” u shpreh ministrja.

Bizneset shqiptare do të mbështeten gjithashtu përmes Bankës së Zhvillimit, e cila do të ofrojë instrumente financiare për investime, certifikim produktesh, teknologji dhe digjitalizim, me fokus të veçantë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.

Në lidhje me sektorin fason, që prej vitesh ndodhet në vështirësi, Ibrahimaj theksoi se kjo industri ka nevojë për reformim të thellë, duke përfshirë modernizimin e makinerive, automatizimin dhe kalimin drejt prodhimit me cikël të mbyllur.

“Ky sektor duhet të kalojë nga thjesht përpunimi në prodhim të plotë, dhe ne jemi të gatshëm ta mbështesim në këtë drejtim,” tha ajo.

Ndërkohë, të dhënat zyrtare tregojnë se viti 2025 është mbyllur me bilanc negativ në tregtinë e jashtme. Eksportet arritën në 3.4 miliardë euro, me rënie 6.1% krahasuar me vitin 2024, kur shënuan 3.6 miliardë euro.

Epoka e telefonisë fikse po mbyllet/ AKEP: Interneti kthehet në shërbimin kryesor të komunikimit në vend

Interneti po konsolidohet gjithnjë e më shumë si mjeti kryesor i komunikimit në Shqipëri, ndërsa shërbimet tradicionale po humbasin gradualisht përdorues. Këtë e konfirmojnë të dhënat e fundit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për tremujorin e tretë të vitit 2025, të cilat tregojnë një zhvendosje të qartë të qytetarëve drejt shërbimeve digjitale.

Sipas raportit, numri i pajtimtarëve me akses broadband nga rrjetet fikse ka arritur në rreth 711 mijë, duke shënuar rritje të qëndrueshme si në krahasim me tremujorin e mëparshëm, ashtu edhe me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rritje lidhet kryesisht me nevojën në rritje për internet në familje, për punë, arsim, shërbime online dhe argëtim.

Zgjedhja më e shpeshtë e qytetarëve mbetet paketa “Vetëm Internet”, e cila përdoret nga mbi gjysma e pajtimtarëve. Në të njëjtën kohë, interesimi për paketat e kombinuara që përfshijnë edhe telefoninë fikse vijon të bjerë, duke reflektuar një ndryshim të qartë në mënyrën e komunikimit. Ndërkaq, paketat që bashkojnë internetin me televizionin mbajnë ende peshën kryesore mes ofertave të integruara.

Në kahun tjetër, telefonia fikse po përjeton rënie të vazhdueshme. Numri i përdoruesve ka zbritur në rreth 155 mijë, një tregues i qartë se ky shërbim po braktiset gjithnjë e më shumë nga qytetarët, të cilët po e zëvendësojnë me komunikimin përmes internetit dhe telefonisë celulare.

Ndryshime vërehen edhe në tregun celular. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025 ka pasur rritje të përdoruesve krahasuar me tremujorin e mëparshëm, megjithatë në krahasim vjetor shifrat mbeten më të ulëta. Pavarësisht kësaj, përdorimi i internetit nga rrjetet celulare po zgjerohet ndjeshëm dhe tashmë shumica e përdoruesve celularë janë aktivë online, kryesisht për rrjete sociale, aplikacione komunikimi dhe shërbime digjitale.

Të dhënat tregojnë se tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri po kalon një transformim të qartë drejt shërbimeve digjitale, ndërsa format klasike të komunikimit po humbasin gradualisht rëndësinë e tyre në jetën e përditshme të qytetarëve.

SCAN

Turizmi shqiptar promovohet në panairin ne Madrid

Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrid, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim miqësor me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorin e turizmit, si dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe modeleve të suksesshme mes dy vendeve.

Gjatë takimit, palët u ndalën në forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit turistik.

Në këtë kontekst, u theksua potenciali në rritje i Shqipërisë si destinacion turistik. Gjithashtu, u vlerësua rëndësia e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe ndërtimin e bashkëpunimit afatgjatë.

Ndërkohë, në këtë panair në stendën shqiptare prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare. Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.

Ky panair mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në pas protestës kombëtare të opozitës

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas protestës kombëtare të opozitës, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike gjatë përplasjeve. Rama shprehu gjithashtu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që u plagosën gjatë protestës.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë theksoi se protesta është një e drejtë demokratike, por sipas tij, dhuna e organizuar dhe sulmet ndaj institucioneve nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes.

“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona.

Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, shkroi Rama.

PD protestë para Kryeministrisë, policia përgjigjet me g*z lotsjellës

Ka nisur protesta e dytë kombëtare e Partisë Demokratike përpara Kryeministrisë.Kryedemokrati Sali Berisha ka kërkuar nga qytetarët që sot “t’i bëjnë gjyqin kryeministrit”, duke marrë pjesë në protestën e thirrur në orën 17:00 para Kryeministrisë.

Pak orë para protestës, Berisha u ka bërë thirrje të rinjve që të “ngrihen në lartësinë e këtij misioni”.“I bëj thirrje të rinjve të ngriheni në lartësinë e këtij misioni. Sot ju keni shansin e madh të riktheni edhe njëherë shpresën, besimin, lirinë, të drejtat, të ardhmen tuaj dhe të shqiptarëve.”-shkruan Berisha.

Përmes protestës PD kërkon largimin e Edi Ramës, ndërsa detajet e këtij tubimi po mbahen ende diskrete.

Policia e Tiranës ndërkohë ka merr masa, duke nxjerrë në terren 1300 forca policore për ruajtjen e rendit dhe sigurisë politike. Kryeministria nga ana tjetër ka fortifikuar dyert dhe është e rrethuar. Pritet të ketë prezencë dhe të zjarrfikësve dhe ambulancës sipas protokollit.

Protestuesit tentojnë të futen brenda në godinë

Protesta e opozitës është zhvendosur nga Kryeministria drejt godinës së Kuvendit.Përplasjet nuk kanë munguar me policinë, pasi protestuesit kanë tentuar të futen brenda në godinë.

Gjatë tensioneve edhe deputetët e PD-së u përplasën me policinë, ndërsa këta të fundit hodhën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.