Debat brenda grupit të PD/ Disa deputetë kundër Berishës për bojkotin e Reformës Territoriale dhe asaj Zgjedhore

Debat brenda grupit parlamentar të PD-së për bojkotin e reformave Zgjedhore dhe Territoriale

Në mbledhjen e mbyllur të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, disa deputetë shprehën kundërshtimin ndaj vendimit për bojkotin e reformave Zgjedhore dhe Territoriale.

Mesohet se, mes deputetëve që kërkuan pjesëmarrjen në komisionet përkatëse janë Bledjon Nallbati, Xhelal Mziu, Oerd Bylykbashi, Ina Zhupa, Tritan Shehu, Bledi Himçi, Enno Bozdo, Luan Baçi dhe Arjan Ndoja. Ata argumentuan se pjesëmarrja në proceset e reformës është e domosdoshme për përfaqësimin e opozitës dhe ndikimin në proces.

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, i cili udhëhoqi mbledhjen, deklaroi se vendimi përfundimtar mbi bojkotin e reformave do të merret nga Kryesia e partisë, duke lënë të hapur diskutimin brenda radhëve të deputetëve.

Valë arrestimesh dhe procedimesh në qarkun e Fierit, një vikt*më në Divjakë

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasit E. K., 37 vjeç, dhe L. D., 29 vjeç, pasi janë konfliktuar fizikisht dhe me sende të forta, me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë arrestuan shtetasin K. M., 68 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. C., 42 vjeç, banues në Divjakë, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, i është afruar ish-bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. H., 42 vjeçe, banuese në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. D., 22 vjeç, banues në Rrogozhinë, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 18 vjeç, banues në fshatin Krutje, Lushnjë, pasi drejtonte pa leje drejtimi, një motomjet pa targa.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Divjakë/Dje, në fshatin Fierseman, është gjetur nga familjarët, pa shenja jete, shtetasi G. S., 54 vjeç, i cili dyshohet se është vetëvarur.

Grupi hetimor po punon për dokumentimin e rrethanave të rastit.

Linja hekurudhore drejt Aeroportit të Vlorës, gati për fazën e ndërtimit në 2026

Projekti për modernizimin e hekurudhës Rrogozhinë–Vlorë dhe ndërtimin e degëzimit që do të lidhë qytetin me Aeroportin e Vlorës po hyn në fazën vendimtare. Sipas Hekurudhës Shqiptare, deri në qershor të vitit 2026 do të përfundojë studimi teknik dhe projekti paraprak, çka i hap rrugë shpalljes së tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e linjës.

Autoritetet sqarojnë se pas përfundimit të këtij dokumentacioni do të përcaktohet trasa për lidhjen hekurudhore me aeroportin, si dhe parametrat teknikë të gjithë aksit. Ndërkohë, mbetet në diskutim burimi i financimit, i cili mund të vijë ose nga buxheti i shtetit, ose përmes fondeve të huaja.

Studimi po realizohet nga kompania austriake ILF Consulting Engineers Austria, e shpallur fituese e kontratës vitin e kaluar. Sipas të dhënave zyrtare, linja aktuale Rrogozhinë–Vlorë, me gjatësi mbi 84 kilometra, është e amortizuar dhe funksionon larg kapacitetit të saj real, ndaj kërkon një ndërhyrje të thellë rehabilituese.

Në të njëjtën kohë, parashikohet ndërtimi i një linje të re hekurudhore drejt aeroportit, e cila do të jetë elektrike dhe do të lejojë shpejtësi deri në 120 km/orë. Ky investim pritet të kthejë zonën në një nyje të rëndësishme transporti.

Sipas Hekurudhës Shqiptare, lidhja direkte mes trenit dhe avionit do të përmirësojë ndjeshëm lëvizjen e udhëtarëve, duke e bërë udhëtimin më të shpejtë, më të sigurt dhe më miqësor me mjedisin. Po ashtu, synohet rritja e sigurisë në transport dhe ulja e ndjeshme e aksidenteve në rrugë.

Ish-presidentja e Kosovës mohon çdo përfshirje në dosjen Epstein

Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht pas raportimeve mediatike që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, të publikuar së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë. Në një sqarim zyrtar, Jahjaga i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta, të pabaza dhe mashtruese për opinionin publik.

“Raportimet mediatike për ‘lidhjen time’ me dosjen ‘Epstein’ janë tërësisht të pavërteta. Si Presidente e Republikës së Kosovës nuk kam pasur asnjëherë njohje, takim apo çfarëdo kontakti me personin në fjalë”, deklaron Jahjaga.

Ajo thekson se përmendja e emrit të saj në disa media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike të palëve të treta, e cila, sipas saj, nuk provon dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale. “Emri im nuk përmendet askund në asnjë dokument të publikuar. Në emailin në fjalë përmendet ‘Presidenti i Kosovës’, pa u specifikuar se për kë bëhet fjalë dhe pa ndonjë kërkesë për takim në emrin tim”, sqaron ish-presidentja.

Jahjaga i ka quajtur insinuata çdo interpretim tjetër të kësaj korrespondence dhe ka kërkuar që sqarimi i saj të publikohet nga të gjitha mediat që kanë përmendur emrin e saj në këtë kontekst. “Nuk e kam njohur, nuk e kam takuar dhe nuk kam kërkuar takim me personin në fjalë në asnjë pozicion që kam mbajtur”, thekson ajo.

Reagimi i ish-presidentes vjen pas publikimit, më 29 janar, të mijëra dokumenteve të dosjes Epstein nga autoritetet amerikane. Në mesin e tyre ndodhet edhe një email i vitit 2012, ku një person me emrin “Daniel”, identiteti i të cilit mbetet i panjohur, përmend “Presidentin e Kosovës” në një kontekst të përgjithshëm, pa emër konkret dhe pa prova për ndonjë takim të zhvilluar. Në atë periudhë, detyrën e Presidentes së Kosovës e ushtronte Atifete Jahjaga, çka ka nxitur spekulime dhe raportime mediatike, të cilat ajo i ka hedhur poshtë kategorikisht.

Shqiptarët “thyejnë” rekord me blerjet vjetore të makinave 

Brenda vetëm një dekade, numri i automjeteve në Shqipëri është rritur me ritme të shpejta, duke kaluar nga rreth 490 mijë makina në vitin 2014, në mbi 1 milion në vitin 2025.

Kjo përkthehet në afro 500 mijë mjete të shtuara në 10 vite. Mesatarisht, çdo vit i janë shtuar rrugëve shqiptare rreth 45 mijë makina të reja, por pas vitit 2018, trendi është përshpejtuar ndjeshëm.

Në 2021 u regjistruan mbi 60 mijë automjete të reja, ndërsa në 2023 shtesa kaloi 70 mijë. Rekordi u shënua në vitin 2024, me më shumë se 90 mijë makina të shtuara brenda një viti. Edhe 2025 ka vijuar me të njëjtën prirje, duke çuar totalin përtej pragut simbolik të 1 milionit.

Sipas të dhënave, rritja dominohet nga makinat për përdorim personal, ndërsa automjetet për biznes janë rritur shumë më ngadalë.

Në raport me popullsinë, Shqipëria ka sot rreth 1.9 milionë të rritur mbi 18 vjeç, çka do të thotë se gati një në dy qytetarë zotëron një makinë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria renditet ndër shtetet me densitet më të lartë të automjeteve, duke reflektuar një prirje të fortë dhe të qëndrueshme drejt rritjes së përdorimit të makinës.

Kamion del nga rruga dhe përfundon në plazh në Vlorë, shoferi pl*goset r*ndë

Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar këtë të martë në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pranë vendit të njohur si “Kalaja”.

Sipas informacioneve paraprake, një kamion ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në zonën e plazhit. Dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e lartë ose një defekt në sistemin e frenimit.

Si pasojë, drejtuesi i mjetit, Përparim Kapaj, 62 vjeç, ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë Rrugore dhe forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të këtij aksidenti.

Rama për zhvendosjen e Kadastrës së Vlorës: Nuk po mbyllet shërbimi, por po kalon plotësisht online

Kryeministri Edi Rama ka komentuar në podkastin e tij “Flasim” zhvendosjen e Zyrës së Kadastrës së Vlorës drejt Tiranës, duke sqaruar se vendimi nuk ka të bëjë me mbylljen e shërbimit për qytetarët, por me transformimin e tij në një model plotësisht digjital.

Sipas Ramës, reagimet dhe debatet publike janë nxitur nga keqinterpretimi i situatës, duke u ngatërruar qëllimisht ose nga mungesa e informacionit adresa fizike e zyrës me vetë shërbimin për qytetarët.

Ai theksoi se Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga modeli tradicional me sportele, radhë dhe zvarritje, në një sistem online përmes platformës e-Albania, ku shumica e procedurave kryhen pa paraqitje fizike.

“Kjo lëvizje nuk lidhet me vendndodhjen fizike të zyrës, por me transformimin e shërbimit në një model të qëndrueshëm dhe të aksesueshëm për çdo qytetar, përmes celularit apo kompjuterit më të afërt,” u shpreh Rama.

Kryeministri shtoi se zhvendosja e Kadastrës së Vlorës nuk është një rast i izoluar dhe se në të ardhmen edhe drejtori të tjera vendore do të përqendrohen, në funksion të një administrate pa sportele dhe pa ndërtesa fizike të shpërndara në territor.

Sipas tij, objektivi është që i gjithë cikli i shërbimit të mbyllet online, pa aplikime që përfundojnë me dërgim dokumentesh me postë apo paraqitje fizike në sportele.

“E nesërmja e afërt e Kadastrës është një shërbim pa sportele dhe pa godina fizike, por me akses për çdo qytetar, si një e drejtë themelore që merret përmes celularit ose kompjuterit,” tha Rama.

Ai theksoi se qeveria po punon për një sistem më efikas, modern dhe të aksesueshëm, ku shërbimet publike të jenë të disponueshme nga çdo pikë e vendit, pa pengesa burokratike.

Bllokohet totalisht rruga Librazhd–Prrenjas nga rrëshqitjet e gurëve

Prej orës 11:00 të paradites, qarkullimi në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas është bllokuar plotësisht, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet.

Shkak për këtë situatë të rëndë janë bërë rrëshqitjet masive të gurëve, me dhjetëra e qindra metra kub material shkëmbor, të cilat kanë rënë mbi trasenë e rrugës në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”.

Masat e mëdha shkëmbore kanë pushtuar të gjithë segmentin rrugor, duke e bërë të pamundur kalimin e mjeteve dhe duke paraqitur rrezik serioz për sigurinë e drejtuesve të automjeteve.

Si pasojë, qindra drejtues mjetesh kanë mbetur të bllokuar për orë të tëra në një nga arteriet më të rëndësishme kombëtare që lidh Librazhdin me juglindjen e vendit. Autoritetet pritet të ndërhyjnë për pastrimin e rrugës dhe normalizimin e qarkullimit.