IGJEO: 24 orë reshje të dendura në disa qarqe të vendit

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEO), gjatë pasdites së kësaj të mërkure dhe ditës së enjtes, vendi do të përballet me reshje të ndryshme intensiteti.

  • Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër, priten reshje mesatare deri lokalisht intensive.
  • Në Kukës, Fier, Berat dhe Korçë, reshjet do të jenë më të dobëta deri lokalisht mesatare, të shoqëruara me shtrëngata.
  • Reshje të dobëta priten gjithashtu edhe në qarqet e tjera të vendit.

Temperaturat do të regjistrojnë rënie të ndjeshme gjatë ditës së enjtes, me ulje prej rreth 3°C. Minimat do të jenë rreth 1°C, ndërsa maksimalet jo më shumë se 15°C.

Në lartësitë mbi 1,000 m mbi nivelin e detit, reshjet pritet të jenë në formë dëbore, jo vetëm në Veri, por edhe në Lindje dhe Juglindje të vendit.

Një tjetër shqetësim është era, e cila do të fryjë mesatare deri e fortë sidomos në Jug dhe zonën bregdetare. Për shkak të kushteve, lundrimi i anijeve të vogla dhe të peshkimit do të jetë i pezulluar, ndërsa kjo gjendje pritet të vazhdojë deri të enjten, kur era do të reduktohet në det të hapur.

Rama në Vatikan me ftesë nga Selia e Shenjtë

Me ftesë të Selisë së Shenjtë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nisur një vizitë zyrtare në Vatikan, ku do të pritet në audiencë nga Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV.

Kryeministri Rama është nisur drejt Romës i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, znj. Linda Rama, si dhe nga një delegacion zyrtar.

Gjatë vizitës, Kryeministri do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë. Ceremonia e pritjes do t’i paraprijë audiencës zyrtare me Papa Leonin XIV, e cila do të zhvillohet në Bibliotekën Papnore.

Më pas, vizita do të vijojë në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku Kryeministri Rama do të ndalet në mjediset simbolike si:

Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapela Sistine, si dhe pranë altarit të Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të qëndrimit në Vatikan, Kryeministri dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë edhe vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën Santa Maria Maggiore.

Në kuadër të kësaj vizite janë parashikuar edhe takime të tjera zyrtare, përfshirë një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

Rivlerësimi i pronave nis së shpejti: 5% tatim dhe mijëra kontrata në pritje

Së shpejti pritet të nisë zyrtarisht procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme në të gjithë vendin, një lehtësi fiskale që synon të nxisë tregun e pasurive dhe të ulë barrën tatimore për qytetarët dhe bizneset.

Ligji që u jep të drejtën qytetarëve dhe subjekteve të rivlerësojnë pronat e tyre me një normë tatimore të reduktuar prej 5% ka hyrë në fuqi më 22 janar, por për zbatimin e tij ende pritet udhëzimi përkatës. Sipas burimeve nga Ministria e Financave dhe tregu i pasurive të paluajtshme, ky udhëzim pritet të miratohet brenda muajit shkurt, duke hapur rrugën për nisjen e aplikimeve.

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme (NAREA) bën me dije se aktualisht janë rreth 6 mijë kontrata të bllokuara, në pritje të këtij procesi, pasi pronarët kanë zgjedhur të presin për të përfituar nga norma e ulur tatimore, në vend të asaj aktuale prej 15%.

Nga kjo nismë pritet të përfitojnë drejtpërdrejt rreth 500 mijë familje, ndërsa tregu i pasurive të paluajtshme parashikohet të marrë një shtysë të fortë.

Afatet dhe procedura

Sipas ligjit, kërkesat për rivlerësim të depozituara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), për të cilat është paguar tatimi, por që nuk kanë përfunduar brenda datës 31 dhjetor 2026, do të konsiderohen automatikisht objekt rivlerësimi dhe procedurat do të mbyllen deri më 31 mars 2027.

Rivlerësimi i pronës mund të kryhet:

  • nga një ekspert i licencuar për vlerësimin e pasurive,
  • nga institucionet përkatëse, ose
  • nga drejtoritë vendore të ASHK-së.

Nëse individi zgjedh që vlera të llogaritet sipas çmimit të tregut, ai përzgjedh një ekspert të licencuar dhe i bashkëlidh aktin e vlerësimit aplikimit të tij. Tatimi përkatës llogaritet nga ASHK-ja.

Në rast se rivlerësimi bëhet sipas çmimeve minimale fiskale, aplikimi kryhet drejtpërdrejt pranë ASHK-së, e cila bën edhe përllogaritjen e tatimit me normën 5%.

Arrestime dhe procedime penale në disa zona të Fierit, Patosit, Lushnjës dhe Mallakastrës

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos arrestuan shtetasit L. Sh., 32 vjeç, R. Sh., 28 vjeç, dhe M. Sh., 48 vjeç, të tre banues në Patos, pasi dyshohet se kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, një 55-vjeçar, për motive të dobëta. 55-vjeçari po merr ndihmë mjekësore në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. Ç., 42 vjeç, banues në fshatin Çermë, pasi Gjykata e Fierit e ka dënuar me 6 muaj burgim, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. D., 52 vjeç, banues në fshatin Frakull e Madhe, pasi nga verifikimet rezultoi se fshihte të ardhurat e përfituara nga veprimtaria në servisin e automjeteve, si dhe iu gjetën në servis, pjesë automjetesh pa dokumentacionin përkatës.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi është konstatuar duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-F. Y., 66 vjeç, banues në fshatin Varibob, Fier, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër;
-L. M., 43 vjeçe, banuese në fshatin Levan, Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur me grushte një 25-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin M. Ll., 31 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj të dashurës së tij. Gjithashtu, për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. M., 29 vjeç, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë veprimeve procedurale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. T., banues në fshatin Kapaj, Mallakastër, pasi ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të një shtetasi tjetër.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Polonia krijon komision qeveritar për dosjen Epstein, Tusk: Dyshohet për operacion të inteligjencës ruse

Polonia është bërë vendi i parë në botë që ka ngritur një komision qeveritar për të hetuar çështjen e Jeffrey Epstein, duke e lidhur atë me dyshime serioze për përfshirje të inteligjencës ruse.

Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se dokumentet e publikuara deri më tani përmbajnë mbi 1,000 dosje që lidhen drejtpërdrejt me Vladimir Putinin dhe rreth 9,000 materiale të tjera që kanë lidhje me Moskën.

Sipas Tusk, FBI ka pasur informacione që sugjeronin se Epstein menaxhonte një pjesë të pasurisë së Vladimir Putinit. Ai shtoi se Epstein arkivonte të gjitha komunikimet e tij – mesazhe, email-e dhe dokumente – si dhe ruante materiale video dhe fotografi.

“Epstein regjistroi dhe filmoi liderë perëndimorë me ndikim – presidentë, kryeministra dhe drejtues të korporatave të mëdha globale”, u shpreh Tusk.

Ai shtoi se gjithnjë e më shumë ekspertë dhe komentues dyshojnë se i gjithë rrjeti mund të ketë qenë një operacion i mirëorganizuar i shërbimit sekret rus, i njohur si një “vazo mjalti” – një kurth për komprometimin e elitave perëndimore, veçanërisht në SHBA.

“Nuk ka nevojë të shpjegohet se sa serioz është ky rrezik për sigurinë kombëtare të Polonisë, nëse inteligjenca ruse ka qenë e përfshirë në një operacion të tillë”, deklaroi Tusk.

Drejt përfundimit argjinatura e Karavastasë, mbrohen tokat bujqësore të Bedatit

Punimet për ndërtimin e argjinaturës në zonën e Karavastasë po shkojnë drejt përfundimit, duke siguruar mbrojtjen e tokave bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut.

Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thekson se kjo ndërhyrje garanton edhe funksionimin normal të sistemit të kullimit drejt hidrovorit.

Sipas Ramës, projekti nuk ndalet me argjinaturën, pasi do të vijojë me rikonstruksionin e plotë të infrastrukturës, me qëllim ofrimin e zgjidhjeve të qëndrueshme për fermerët e zonës.

“Mirëmëngjes dhe me përfundimin e punimeve për argjinaturën në Karavasta, që mbron tokat bujqësore të Bedatit nga ujërat e Adriatikut dhe garanton funksionimin e sistemit të kullimit drejt Hidrovorit, ndërsa vijon puna për rikonstruksionin e plotë me zgjidhje të qëndrueshme në shërbim të fermerëve, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në “Facebook”.

Trump përplaset me gazetaren e CNN në Shtëpinë e Bardhë: “Nuk thua kurrë të vërtetën”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përplas me gazetaren e CNN, Kaitlan Collins, gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, të martën.

Përplasja nisi pasi Trump deklaroi se vendi duhet të fokusohet në çështje të tjera dhe të lërë pas skandalin e dosjes Epstein. Collins e pyeti sërish presidentin nëse kishte një mesazh për viktimat e Jeffrey Epstein, të cilat ende nuk kanë marrë drejtësi.

Në vend që t’i përgjigjej drejtpërdrejt pyetjes, Trump zgjodhi të sulmojë personalisht gazetaren. Ai tha se e njihte “që e vogël” dhe se nuk e kishte parë kurrë të buzëqeshte, duke shtuar se, sipas tij, ajo “nuk thotë kurrë të vërtetën”.

Reagimi i presidentit u pa si një tjetër episod tensioni mes tij dhe mediave kritike, veçanërisht CNN, me të cilën ka pasur përplasje të vazhdueshme.

BE ka investuar 830 milionë euro në Shqipëri, 60% për transportin dhe hekurudhat

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) ka financuar rreth 830 milionë euro për Shqipërinë deri në fund të vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare të institucionit. Sektori i transportit ka qenë përfituesi kryesor, duke përthithur rreth 60% të totalit, ose 474,5 milionë euro.

Pesha kryesore e këtyre fondeve ka shkuar për rehabilitimin e hekurudhave, ku spikasin dy projekte madhore:

  • Në prill 2025 u nënshkrua marrëveshja për financimin e 90 milionë eurove për rehabilitimin e linjës Durrës–Rrogozhinë, pjesë e Korridorit VIII. Nga kjo shumë, 60,5 milionë euro janë grant, ndërsa 30 milionë euro kredi e butë.
  • Në mars 2024, BEI akordoi një kredi prej 100 milionë eurosh për rehabilitimin e hekurudhës Vorë–Hani i Hotit, një nga boshtet kryesore hekurudhore të vendit.

Energjia renditet si sektori i dytë më i financuar, me 188,9 milionë euro, ku spikat kredia 105 milionë euro për gazsjellësin Trans-Adriatic Pipeline (TAP).

Në sektorë të tjerë, financimet janë shpërndarë si më poshtë:

  • Ujësjellës-kanalizime: 110,1 milionë euro
  • Linja kreditimi për biznesin: 30 milionë euro
  • Arsimi: 12,5 milionë euro
  • Zhvillimi urban: 7,3 milionë euro
  • Shërbimet: 4,5 milionë euro

Banka Evropiane e Investimeve, në pronësi të 27 qeverive të Bashkimit Evropian, është një nga investitorët dhe kreditorët më të mëdhenj globalë. Ajo siguron fonde nga tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe i jep ato hua me kushte të favorshme për projekte që përmbushin standardet e saj.

BEI ka nisur financimin e Shqipërisë që në vitin 1995, ndërsa vitin e kaluar ka hapur edhe zyrën e saj të përfaqësisë në Tiranë, duke forcuar më tej praninë në vend.