BIRN: Pesticidet kancerogjene të ndalura në Europë tregtohen në Shqipëri

Më 29 nëntor, një ngarkesë me mandarina të prodhuara në Shqipëri u ndalua në Kroaci pasi analizat treguan përmbajtje të Chlorpyrifos – një pesticid i ndaluar nga Bashkimi Europian që në vitin 2020.

Rasti u bë i njohur nga RASFF – Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin, një rrjet që lehtëson shkëmbimin e informacionit mes vendeve anëtare të BE-së për çështje që lidhen me sigurinë ushqimore.

Ky nuk ishte një rast i izoluar i ndalimit të eksporteve me mandarina nga Shqipëria, ndërkohë që mandarina nuk është produkti i vetëm i identifikuar me ngarkesë të pesticideve të ndaluara gjatë viteve të fundit në vend.

Të dhënat e mbledhura nga BIRN dhe intervista me ekspertë, dëshmojnë se qeveria neglizhoi për mungesë kapacitetesh njerëzore dhe paqartësi ligjore monitorimin e vazhdueshëm dhe në kohë, të përdorimit të pesticideve duke çuar në tregtim të produkteve bujqësore mbi normat e lejuara.

Autoritetet gjithashtu mbyllën një sy ndaj përdorimit nga fermerët të pesticideve të rrezikshme, të ndaluara prej vitesh në vendet e BE-së, duke ngritur shqetësime për sigurinë ushqimore dhe cilësinë e eksporteve shqiptare.

Ministria e Bujqësisë pranoi në përgjigje të një kërkesë për informim se vetëm gjatë vitit 2024 janë konstatuar nga analizat laboratorike në fruta perime 7 pesticidet të ndaluara si; ”chlorpyriphos, chlorfenapyr, chlorpyriphos methyl, linuron, dimethoate, myclobutanil dhe omethoate”.

Përfaqësues të laboratorëve privatë i thanë BIRN se kanë konstatuar shumë raste të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) të ndaluara në analizat e tyre.

“Në Shqipëri qarkullojnë rreh 35 pesticide të ndaluara,” i tha BIRN Sokol Abazi, kimist dhe konsulent pranë laboratorit Tenius, duke iu referuar gjetjeve të analizave të këtij laboratori vetëm gjatë vitit 2024.

Pesticide toksike

Qytetare duke blere fruta dhe perime ne tregjet e Tiranes me rastin e festes se Vitit te Ri.

Në dhjetor 2019, Komiteti i Përhershëm për Bimët, Kafshët dhe Ushqimin vendosi ndalimin e përdorimit të pesticideve ‘klorpyrifos’ ‘dhe ‘klorpyrifos-metil’ në vendet anëtare të Bashkimit Europian, bazuar në gjetjet studimore se përdorimi i tyre kishte ndikim negativ në shëndetin e njeriut, me efekt toksik në zhvillimin e sistemit nervor dhe gjenetik.

Për ndalimin e përdorimit të tyre Komisioni Evropian i miratoi zyrtarisht rregulloret në janar 2020, duke parashikuar një  periudhë tranzitore 3 mujore për vendet anëtare për grumbullimin dhe asgjësim në mënyrë përfundimtare të të gjitha Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve (PMB) që kishin me përmbajtje ‘klorpyrifos’ ‘dhe ‘klorpyrifos-metil’. Pas këtij afati ato nuk mund të tregtoheshin dhe përdoreshin më brenda hapësirës së BE-së.

Duke ndjekur shembullin e BE-së, Shqipëria vendosi të çregjistrojë PMB-të që përmbanin këto dy përbërës toksikë, por ndryshe nga BE, tregtarëve shqiptarë iu dha e drejta që të importonin produkte me përmbajtje të këtyre dy pesticide deri në mars 2020, dhe përdorimi i tyre në treg u lejua të paktën edhe për dy vite të tjera.

Dispozitat ligjore e rregullojnë importin dhe përdorimin e PMB-ve në dy lista; ato që lejohen të importohen – nëse janë të regjistruara më parë të paktën në një vend anëtar të BE-së dhe një listë e dytë, ku PMB-të e ndaluara, por ndërkohë të importuar, lejohen të tregtohen dhe përdoren nga fermerët deri në afatin e skadencës së tyre.

Bazuar në këto kritere Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ndaloi importin e PMB-ve me ‘klorpyrifos’ në janar 2020,  por ato qëndruan në listën e dytë të paktën deri në gusht të vitit 2022 dhe siç sugjerojnë të dhënat zyrtare dhe analizat laboratorike këto lëndë toksike vijojnë të përdoren në fermat shqiptare.

Fermerët që i përdorin duket se nxiten nga efikasiteti i lartë i këtyre PMB-ve dhe çmimi më i lirë në krahasim me produktet e tjera. “Këto i zhdukin insektet”- i tha BIRN-it një fermer që ka sera për kultivim perimesh të ndryshme. Ai po ashtu pranoi se pesticidet e ndaluara ishte e lehtë të gjenden në çdo farmaci bujqësore dhe shiteshin me emërtime të ndryshme tregëtare ose me paketime nën emrin e një produkti tjetër.

Ndërsa një eksportues i frutave dhe perimeve, i tha BIRN-it në kushtet e anonimatit, se ai besonte se tonelatat e PMB-ve të ndaluara në BE iu shitën shumë lirë ose iu falën trëgëtarëve shqiptarë duke bërë që ato të përdoreshin pa asnjë survejim. Tregtari në fjalë, i cili pranoi se një pjesë e ngarkesave të tij ishin ndaluar në kufirin me BE-në, fajësoi institucionet shtetërore që nuk garantojnë prodhimin e produkteve në standardet e kërkuara nga BE. “Kostoja pastaj bie mbi ne”- u ankua ai.

Përdorimi i PMB-ve në bujqësi është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e tyre nga insektet dhe dëmtuesit e tjerë, por sipas ekspertëve, përdorimi i tyre mbi normat e lejuara krijon rrezikshmëri për shëndetin, kryesisht në grupe të popullatës si fëmijët, gratë shtatëzëna, të sëmurët dhe të moshuarit.

Ferdi Braushi, profesor në departamentin e Mjedisit dhe Burimeve Natyrore pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, shprehet se konsumimi i vazhdueshëm i produkteve me pesticide mbi normat e lejuara krijon efekte afatgjata në organizëm duke prekur sistemin endokrin dhe atë nervor.

“Si rregull një PMB nxirret nga përdorimi kur konstatohet se përveç mbrojtjes së bimës nga insektet ai dëmton dhe organizma të tjerë që mund të jenë dëme në mjedisin përreth apo shëndetin e njerëzve”, tha ai për BIRN-in.

Braushi e sheh si problematike vonesën e reagimit të institucioneve shqiptare në nxjerrjen nga tregu të pesticideve të ndaluara nga BE – duke lejuar përdorimin e tyre dhe për 1-2 pasi janë ndaluar, dhe po ashtu mungesën e kapaciteteve për të analizuar në kohë nivelin e përdorimit të pesticideve në ferma. Sipas tij kjo krijon pasiguri për produktet që konsumojmë në përditshmëri.

Dështimi i monitorimit 

red and green oval fruits
Foto ilustruese nga Markus Spiske

Të dhënat e siguruara nga BIRN, nëpërmjet kërkesave për informacion dhe dokumenteve zyrtare, tregojnë se agjencitë shtetërore përgjegjëse për monitorimin e qëndrueshëm të përdorimit të PMB-ve në produktet e tavolinës kanë dështuar, si pasojë e paqartësisë ligjore, neglizhencës dhe mungesës së kapaciteteve.

Agjencia Kombëtare e Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) janë përgjegjës për kryerjen e inspektimeve dhe testimin e mostrave të produkteve që tregtohen, por ato dështuan ta realizonin këtë detyrim ligjor për vite me radhë, duke bërë analiza të pakta në numër, të vonuara në kohë.

Mosbërja e analizave nga ISUV bëri që të dështojnë planet e AKU-së për analizimin dhe kontrollin e cilësisë së pesticideve për vitet 2017, 2018 dhe 2019. Në rastet e pakta që mostrat e marra nga AKU u analizuan, rezultatet e tyre dolën me  6-7 muaj deri në një vit vonesë, kur produktet ushqimore të gjetura me pesticide mbi normën e lejuar ishin shitur tashmë në treg.

Të dhënat e mësipërme u gjetën në dokumentin ‘draft-planveprimi’ për përdorimin e qëndrueshëm të PMB-ve të Ministrisë së Bujqësisë, ku moskthimi në kohë i përgjigjeve së analizave nga ISUV, konsiderohet si problem kryesor i monitorimit të qëndrueshëm në përdorimin e PMB-ve.

“Vonesa në marrjen e përgjigjeve të analizave ose mosmarrja e përgjigjet e analizave nga laboratori ISUV mbetet shqetësuese, pasi zvogëlon efektivitetin e marrjes së masave të duhura në garantimin e sigurisë ushqimore, për të ndjekur gjurmimin nga njësia tregtare ose vendi i grumbullimit, te fermeri prodhues”, shkruhet në dokument.

Ndërkohë i vetmi monitorim në shkallë të gjerë i përdorimit të PMB-ve u krye në vitin 2023, nga fundi i qershorit deri në fund të gushtit, dhe rezultatet treguan se nga 178 kampione të marra në rrënjë në 56 prej tyre kishte gjurmë të lëndëve të ndaluara.

Ministria e Bujqësisë nuk vuri në dispozicion raportin e analizave, por pranoi në një përgjigje me shkrim, se në bimët e analizuara ishin gjetur “12 lëndë vepruese të paregjistruara – 3 nga të cilat lejohen në BE’.

“Nga analiza e bërë lidhur me lëndët vepruese të ndaluara dy prej tyre si Chlorfenapyr dhe Chlorpyrifos mbeten problematikë e vazhdueshme në një qasje rajonale dhe nga vendet e BE-së si Itali dhe Greqi evidentuar edhe në sistemin RASFF dhe në analizat e ISUV”, i tha kjo ministri BIRN-it.

Konsumatorë të pambrojtur

Qytetare duke blere fruta dhe perime. Foto: LSA

AKU i merr mostrat e analizave tek tregtari fundor, pa mundur të gjurmojë fermën ku janë prodhuar, detyrë që ligjet ia ngarkojnë një tjetër agjencie e ngritur me qëllim identifikimin e problemeve të bimëve që në rrënjë.

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), e ngritur në vitin 2019 me shtrirje rajonale, nuk arriti të bënte inspektime në ferma si rrjedhojë e paqartësive ligjore dhe i mori kompetencat e inspektoriatit vetëm në shtator 2024, pas daljes së një urdhri të kryeministrit.

“Synimi është fillimi i inspektimeve nga nga ky institucion prej datës 01.03.2025”, tha Ministria e Bujqësisë.

Edhe pse nuk ka pasur funksion inspektues, sipas ministrisë, kjo ka agjenci i është përgjigjur kërkesave të drejtorive rajonale të AKU-së dhe gjatë vitit 2024 ka kryer verifikimin e gjurmueshmërisë për 73 raste me mbetje pesticidesh mbi nivelin e lejuar dhe ka shpërndarë regjistrat e PMB-ve tek mijëra fermerë, një dokument që pritet të ndërgjegjësojë këta të fundit në përdorimin e përgjegjshëm të pesticideve.

Ministria thotë se rezultatet e analizave të kryera dhe monitorimet e kanë nxitur atë të marrë një sërë masash dhe strategjish për të përmirësuar situatën, por për ekspertët situata e përdorimit pa kontroll e PMB-ve në produktet që konsumohen është alarmante dhe institucionet shtetërore nuk po e luajnë rolin e tyre duke e lënë konsumatorin para pasigurisë ushqimore.

Sipas ekspertit të sigurisë mjedisore, Ferdi Brahushi, konsumatorët shqiptarë janë të pambrojtur.

“Duhet ta mbrojnë institucionet, të cilat duhet të kryejnë analizë dhe të monitorojnë produktet me risk potencial të lartë të pesticideve mbi normat e lejuara, siç janë kultivimet me intensitet të lartë në sera, vreshta, ullishte”- i tha ai BIRN-it.

Ai sqaron se a nuk mund të pretendohet që të mos ketë gjurmë të PMB-ve në produkte, madje ato mund të shfaqen edhe pas 2-3 dekadash pas daljes nga përdorimi i tyre, pasi qëndrojnë në tokë e ajër.

“Ajo që duhet pasur parasysh është që PMB-të të mos jenë mbi normat e lejuara”, theksoi Brahushi, duke shtuar se “kur nivelet e tyre janë mbi normë atëherë nëpërmjet ushqimit ose ujit akumulohen në organizmin e njeriut dhe mund të dëmtojnë sistemin endokrin, nervor, apo ndikon në sistemin e riprodhimit, si dhe kanë efekte kancerogjene”.

Për Sokol Abazin situata është më shumë se alarmante dhe papërgjegjshmëria institucionale ka çuar në rrezikimin e jetës së qytetarëve.

“Ka një mungesë kontrolli totale, të produkteve që hamë, të ujit, të ajrit,” thotë ai. “Ky është një genocid ndaj popullsisë”, shtoi Abazi.

Sipas tij, asnjë institucion shtetëror nuk ka kapacitete t’i kontrollojë të gjithë zinxhirin e importit dhe tregtimit të PMB-ve dhe përdorimit të tyre në ferma.

Mungesë kapacitetesh

Sipërfaqja totale e tokës bujqësore e kultivuar me perime, perime sere, agrume, pemishte, ullishte dhe vreshta kalon 66 mijë hektarë në Shqipëri, ndërkohë të dhënat sugjerojnë se ekzistojnë 280 subjekte të licencuara deri në vitin 2020 për importin dhe tregtimin e PMB-vë.

Ekspertët vënë në dukje se problematikat në sektor nuk kanë të bëjnë vetëm me monitorimin e nivelit të PMB-ve, por dhe  kontrollin e importit, tregtimin,  magazinimin dhe asgjësimi i tyre.

Brahushi sugjeron që dispozitat ligjore për nxjerrjen nga përdorimi të një PMB-je, e cila konsiderohet e rrezikshme, duhet të përshtaten me ato të BE-së.

“Duhet të ngushtohet hapësira kohore nga ndalimi i importit nga koha e lejuar për përdorimin e produkteve të ndaluara dhe të detyrohen pikat tregtare për grumbullimin dhe eliminimin e tyre”, thotë ai.

Por, kjo sipas tij, kërkon që të ketë një inventar të hyrjes së pesticideve, një analizë të lëndëve aktive në PMB-të që importohen dhe monitorimin e asgjësimit të tyre.

Vetë Ministria e Bujqësisë pranon se nuk ka kapacitete për eliminimin e PMB-ve të ndaluara duke rrezikuar që ato të qarkullojnë tek fermerët në mënyrë të paligjshme.

Kontrollet e AKU-së konstatuan se në njësitë e tregtimit me pakicë dhe shumicë të PMB-ve, janë konstatuar PMB-të që nuk plotësojnë kërkesat ligjore si: afati i përdorimit të tejkaluar/skaduar ose PMB-të e paregjistruara në Shqipëri, të cilat janë të bllokuara në sasi totale prej 1.3 ton dhe 1271.1 litra, për vitet 2017-2020.

Ndërsa të dhënat e Ministrisë e Bujqësisë, që citohen në “plan-veprimin 2022-2032” tregojnë për mungesë kapacitetesh për asgjësimin e PMB-ve të bllokuara dhe ndaluara për shitje, duke i lënë këto produkte për vite në ambientet e njësive të tregtisë me shumicë dhe pakicë.

Për periudhën 2017-2020, ka pasur rreth 2.5 tonë pesticide të tilla të bllokuara/të ndaluara, ndërsa ministria pranon se “bllokimi i PMB-ve prej vitesh për mosndjekje të procesit të asgjësimit të tyre mbetet një shqetësim serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin.”

Ekspertët po ashtu kërkojnë që protokollet e kontrolleve të ndiqen njësoj si për produktet vendase dhe ato që importohen, për të cilat deri tani shteti shqiptar duket se është mjaftuar një certifikatë origjinës së mallit.

“Prania e tyre (Chlorfenapyr dhe Chlorpyrifos) është konstatuar edhe në importet nga Italia dhe Greqia, e cila ka bërë që të ritet kontrolli për importet nga këto dy vende”, pranoi Ministria e Bujqësisë.

Vetëm në vitin 2024 ka pasur 9 raste të produkteve të importit që i janë adresuar sistemit RASFF.

“TikTok”, Rama paralajmeron qytetarët: Kujdes me VPN-të, hakerat bëjnë namin!

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se ka përfunduar mbyllja e aplikacionit TikTok në telefonat smart. Në serinë “Sy m’sy” në komunikim me qytetarët, kreu i qeverisë ka paralajmëruar edhe për përdorimin e VPN si një mjet për të pasur akses në aplikacion.

Rama u shpreh se VPN falas paraqesin rrezik pasi përdoren nga hakerat për të pasur akses në telefon apo të dhënat e qytetarëve. Së shpejti, sipas kreut të qeverisë përfaqësues të kompanisë TikTok do të vijnë në Shqipëri ku do të paraqesin edhe planin për rritjen e sigurisë për fëmijët e adoleshentët

Procedura për mbylljen e TikTok ka përfunduar në telefonat smart. Përdorimi i VPN është i rrezikshme sepse me VPN falas hakerat bëjnë namin, në grabitjen e të dhënave të telefonit. Kështu që duroni disa kohë pa TikTok deri kur të përfundojë edhe programi i përbashkët me kompaninë e cila do të vijë në Shqipëri së shpejti për të paraqitur planin për rritjen e sigurisë për fëmijët e adoleshentët në mënyrë që të gjithë të jeni të lumtur, kompania, prindërit, fëmijët, mësuesit por edhe ne”, tha ai.

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se drejtësia e re është një nga arritjet më të mëdha të Partisë Socialiste dhe një nga sfidat më të mëdha të vendit.

Ai e quajti Fatos Nanon “të burgosurin e fundit politik” në Shqipëri dhe theksoi se, ndërsa ka përpara një luftë të gjatë, kthesa është e dukshme dhe e vlerësuar nga Bashkimi Evropian dhe familja e madhe europiane.

Rama theksoi se e ardhmja e Shqipërisë brenda BE-së kalon përmes një sistemi të drejtësisë që ofron barazi për të gjithë, pa dallim. Ai nënvizoi se Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian pa demonstruar se ka arritur nivel barazie përpara ligjit.

 folur për 11 majin, ai bëri thirrje për një mbështetje të gjerë të Partisë Socialiste, duke theksuar se vota e socialistëve dhe jo socialistëve është e nevojshme për të mos u kthyer në të kaluarën e një sistemi të drejtësisë që ai e cilësoi si jo të drejtë.

Edi Rama: “Fatos Nano është i burgosuri i fundit politik në vend. Është një luftë e gjatë dhe kthesa është e dukshme dhe e vlerësuar lart nga BE dhe familja e madhe, tek e cila duam që të hyjmë e ku nuk bashkohemi dot nëse nuk tregojmë se kemi barazi para ligjit. Drejtësia e re është bëma më e madhe e PS. Kjo luftë udhëhiqet nga unë, që drejtësia të bëjë drejtësi.

Të dielën e 30 marsit kthehet ora verore! Akrepat shkojnë 60 minuta përpara, si ndikon në shëndetin tonë

Në natën mes të shtunës dhe të dielës, më 30 mars 2025, akrepat e orës do të kalojnë 60 minuta përpara, duke shënuar kalimin në orën verore. Kjo do të ndodhë në orën 02:00 të mëngjesit të së dielës, kur akrepat do të zhvendosen në 03:00, duke filluar periudhën e kursimit të energjisë. Ky sistem, i njohur si orari veror, ka filluar të aplikohet për herë të parë gjatë Luftës së Parë Botërore dhe është përdorur gjerësisht që nga viti 1972, me qëllimin e fillimit për kursimin e energjisë.

Megjithatë, me avancimin e teknologjisë, qëllimi origjinal i tij është bërë më pak i efektshëm, pasi zgjatja e ditës ka çuar në përdorimin më të madh të ajrit të kondicionuar, duke krijuar një efekt “bumerang” që mund të sjellë më shumë shpenzime energjie.

Sipas ekspertëve, ky ndryshim i orës mund të ketë efekte negative për shëndetin. Beth Ann Mallou, profesoreshë e Neurologjisë dhe Pediatrisë në Universitetin Vanderbilt, shpjegon se pas kalimit në orën verore, individët mund të përjetojnë simptoma si lodhje gjatë ditës, irritim, performancë të ulur mendore dhe fizike, çrregullime të urisë dhe rritje të mundësisë për sulme në zemër, goditje, migrenë, dhimbje koke, shtim të peshës dhe më shumë aksidente trafiku.

Një orë humbje gjumi mund të duket e vogël, por ka një ndikim të madh në trup. Sipas kërkimeve nga Akademia Amerikane e Mjekësisë së Gjumit, 55% e të rriturve ndihen të lodhur pas kalimit në orën verore. Ky ndryshim ka një ndikim të drejtpërdrejtë në prodhimin e melatoninës, hormonit që rregullon ciklin e gjumit dhe zgjimit, duke e vonuar prodhimin e tij për shkak të ekspozimit të shtuar ndaj dritës.

Konstituohet Këshilli Drejtues i RTSH. Petrit Beci zgjidhet me 10 vota nënkryetar i KDRTSH

Këshilli drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, RTSH, ka zhvilluar mbledhjen e parë që nga 17 marsi ku parlamenti miratoi kryetarin dhe anëtarët e tij.

Këshilli Drejtues i RTSH, u njoh me aktet e parlamentit për mandatin e gjithsecilit dhe më pas u votua për nënkryetarin, që u zgjodh z. Petrit Beci me 10 vota pro.

Në këtë mbledhje të parë, Këshilli Drejtues propozoi edhe ngritjen e një grupi pune për hartimin e një procedure të standardizuar për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm sipas përcaktimit ligjor të Statutit të RTSH.

Gjatë mbledhjes u diskutua dhe u ra dakord për të gjitha pikat e rendit të ditës.

Një pikë e rëndësishme e mbledhjes së parë ishte diskutimi për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës, që mbahet në datat 13–17 maj në Bazel të Zvicrës.

Për shkak të afateve të përcaktuara nga organizatorët e Eurosong, anëtarët u dakordësuan që të thërrasin një mbledhje tjetër brenda kësaj jave për të vijuar me procedurat e nevojshme.

Shqipëria do të përfaqësohet nga grupi “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjerm”, me të cilën fituan edhe Festivalin 63 të Këngës në RTSH.

Nuk të vjen mirë që dikush që është këtu sot, nesër e sheh para gjykatës”, Rama për SPAK-un: Është një moment kthese historike që duhet të vazhdojë

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje nga Shkodra që qytetarët të votojnë Partinë Socialiste që të vijojë zbatimi i reformës në drejtësi.Gjatë fjalës së tij, ai komentoi edhe arrestimet e anëtarëve apo ish anëtarëve të PS, ku u shpreh se “nuk të vjen mirë që dikush që është këtu sot, nesër e sheh para gjykatës”, por theksoi se kjo është një moment kthese historike që duhet të vazhdojë dhe të mbështetet.

Kryeministri ripërsëriti se edhe nga ana e institucioneve të drejtësisë së re ka lajthitje dhe gafa, por PS duhet të japë mbështetjen.

Rama: Shpata ishte tek zyra ime, Altin Dumani nuk është 22 vjeç, mund të ketë 20 vite që është prokuror, e kishit dëgjuar më parë për Altin Dumanin, kishit dëgjuar më parë ndonjë ministër apo ata që hyjnë e dalin në televizor të shkonte në gjykatë, të dënohej apo arratisej? As prindërit, as gjyshërit nuk kishin parë, ka pas vetëm njerëz të dënuar nga i pari i qeverisë, jo nga një gjykatë apo prokuror më parë, si ndodhi kjo, ra nga qielli apo një ditë të bukur u çuan një grup prokurorësh dhe hodhën hov.

E vërtetë që është që ligjin këta e bënë po kush e kërkoi, se kush e kërkoji nuk ka nevojë të diskutojmë shumë, mjafton të kthehesh pas e të shohësh kur ishim në opozitë, ne kërkuam një pakt kombëtar, ia kërkuam bufit të kënetës në 2009, në 2013 e kishim në program, kur u bë reforma u ngujuan në bulevard ishte Luli, vinte çdo natë dhe këndonte himnin para zyrës sime. Ja ku e keni bufin thotë në 11 maj do fitojmë, në 12 maj do shkrijmë SPAK, do shkrijë Ndoc Rrokun, se ky është edhe qyteti i Ndoc Rrokut.

Është e vetmja mënyrë e sigurt që të bëhemi anëtarë të BE. Përderisa ne i hymë detit në këmbë e dinim që gjërat do shkonin pak a shumë siç do të shkojnë, edhe nga ana e drejtësisë së re ka lajthitje, gafa, por dhe duhet të japim mbështetjen tonë.

Njeriut nuk i vjen mirë që dikush që është këtu sot nesër e sheh duke shku në prokurori, pastaj para gjykatës, por nga pikëpamja e ambicies sonë për të bërë histori që është fati ynë dhe i Evropës janë përputhur në një pikë, duhet të jemi krenarë, ndryshe kurrë nuk do të ndodhte të pastrohej, por mbi të gjitha të ndjente që është një hapësirë ku barazia para ligjit nuk është një slogan.

Cilat janë bashkitë më “borxhe? – Stoku i detyrimeve ndaj bizneseve dhe qytetarëve arrin në 33 milionë euro

Pushteti vendor rezulton me  një stok detyrimesh ndaj bizneseve dhe qytetarëve në vlerën e 3.3 miliardë lekëve apo 33 milionë eurove në fund të Dhjetorit 2024.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ajo që vihet re është se ka një ulje shumë të lehtë të borxheve në raport me shtatorin 2024, por në krahasim me dhjetorin 2023, ecuria ka qenë pozitive, pasi rënia e këtij stoku regjistrohet me afro 15 milionë euro.

Detyrimi i vendosur nga qeveria për shlyerjen e stokut duket se po ecën në rrugën e duhur, pasi tashmë çdo bashki në vend nuk e arrin më vlerën prej 1 miliardë lekësh, që më parë ka qenë e zakonshme.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave, tregojnë se nga  totali i detyrimeve të prapambetura ndaj bizneseve dhe qytetarëve 933 milionë lekë janë detyrime të papaguara për investime publike, 528 milionë lekë për shërbime,  rreth 380 milionë lekë vendime të gjykatave dhe 1.3 miliardë lekë shpenzime të tjera.

Por a ka ndryshuar renditja e bashkive që kanë më shumë detyrime dhe cilat janë ato që kryesojnë? Referuar listës, vlera e borxheve që kanë bashkitë nuk lidhet domosdoshmërish me sipërfaqen e tyre apo numrin e popullsisë, përveç Bashkisë së Tiranës.

Konkretisht në vendin e parë renditet Bashkia Kavajë, duke lënë pas Tiranën e cila ka kryesuar për një periudhë të gjatë. Kavaja rezulton me një vlerë detyrimesh afro 738 milionë lekë.

Më pas renditet bashkia Tiranë me 570  milionë lekë borxhe, shifra më e ulët e regjistruar ndër vite, ndjekur nga  bashkia Pogradec me 238 milionë lekë, më pas vjen bashkia Rrogozhinë me 161 milionë lekë dhe Vorë me 154 milionë lekë, duke ia lënë radhën Dimalit, Dibrës dhe Cerrikut.  

Ajo që vihet re është se nga top lista e 5 bashkive me më shumë detyrime krahasuar me Shtatorin 2024,  ka zbritur bashkua Lezhë dhe është përmirësuar në renditje Vora.  

Ndërsa në fund të listës së bashkive sa i takon vlerës së borxheve renditen bashkitë Malësi e Madhe, Kuçovë,  Korçë,  Has, dhe Patos.

Bashkitë kanë pasur si detyrim që të dorëzojnë pranë Ministrisë së Financave një plan të detajuar për shlyerjen e stokut të detyrimeve dhe ti përmbahen atij.

Balluku: Synojmë që në 2030 të kemi 1 miliardë euro eksporte bujqësore

Zv.kryeminstrja Balluku inspektoi një kompani bujqësore ALBASEED, që furnizon me shumicë pikat bujqësore me inpute bujqësore.

“Në të gjitha takimet që unë bëj me fermerët, një nga problemet më të mëdha që kemi dëgjuar kohët e fundit është cilësia e farës, sepse që të japësh një farë me cilësi jo të  mirë dhe bujku të investohet në kohë për ta mbjellë dhe për të pritur që të ketë rezultat dhe rendimenti të jetë shumë i ulët, atëherë me të vërtetë për ata është problem jetik. Kështuqë, ti para se ta ndash me ta ti bën testet, ke parcelat e testimit.”

Nga ana tjetër, në fjalën e saj zv.kryeministrja Belinda Balluku theksoi se do të subvencionohet mbrojtja biologjikë në mënyrë që produktet shqiptare të hyjnë në supermarketet e Evropës.

“Kjo është ajo që synojmë, qeveria shqiptare synon që në 2030 të arrijmë 1 miliardë eksporte bujqësore, sot jemi 540 mln. Këtë vit synojmë të subvencionojmë edhe mbrojtjen biologjike, duam të kalojmë në një etapë tjetër atë që na garanton mbrojtjen biologjike që produket shqiptare të futen në supermarketet e Evropës.”

Objektivi i qeverisë shqiptare është që deri në vitin 2030 të arrijë 1 miliardë eksporte bujqësore.

Rama:Kush bën punë të pandershme, të shkojë ku e ka vendin”

Kushdo që bën punë jo të ndershme, të shkojë atje ku e ka vendin”, është shprehur sot Rama, duke ritheksuar se Partia Socialiste do të vijojë të mbështesë pa kushte punën e SPAK.Rama iu referua Sali Berishës në lidhje me deklaratat e tij se do ta shkrijë  SPAK nëse vjen në pushtet, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe se garant është PS.

“Pushteti politik nuk ka në dorë shpatën, tani ne duhet të ulim kokën për këtë? Përkundrazi, përtej të gjitha lajthitjeve e gabimeve, është një proces historik i domosdoshëm që do ta mbështesim deri në fund.Ata që nuk do të kenë kurrë gjë në dorë, SPAK-un e shohin si të vetmen shpresë, aleat për të bërë opozitë. Bufi thotë më 12 maj do ta shkrijmë. Jemi ne garantët për reformën në drejtësi dhe duhet të jemi shumë krenar për këtë gjë.

Kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe përdor fuqinë që i  jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës sonë, të shkojë atje ku e ka vendin”, tha ai.