GJKKO masa ndaj 6 personave. “Arrest shtëpie” për Mirlinda Karçanaj
Përfundon procesi për masat e AKSHI-t ndaj gjashtë personave, arrest shtëpie për drejtoreshën Mirlinda Karçanaj.
Gjykata e Posaçme ka vendosur që drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, të lihen me masën “Arrest Shtëpie”.
Masat e tjera qëndruan në fuqi nga GJKKO.
Fiona Papajorgji zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese
Gjyqtarja Fiona Papajorgji është zgjidhur kryetare e Gjykatës Kushtetuese për një mandat 3-vjeçar. Ajo pason në kete detyre ish gjytaren e Gjykates Kushtetuese Holta Zaçaj.
Gjyqtarja Papajorgji ishte kandidatura e vetme për këtë pozicion. Vakanca për kryetaren e GJK-së u krijua pas përfundimit të mandatit të Holta Zaçajt në mars të këtij viti, e cila kishte shërbyer njëkohësisht si kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për Ballukun,i ndalohet dalje jashtë vendit.
Për masën e pezullimit, Apeli i GJKKO nuk është shprehur deri në vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
Apeli i GJKKO gjithashtu la në fuqi arrestin shtëpiak për kreu e ARRSH, Gentian Gjyli dhe kreun e KESH, Erald Elezi.
Vendimi i plotë:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Miliana Muça, sot më datë 18.12.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 86 akti, datë 11.12.2025 regjistrimi, mbi ankimet e ankuesve B.B., G.Gj. dhe E.E., me objekt “Ankim ndaj vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar” në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, të parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankimin e ankueses B.B.
- Pezullimin e shqyrtimit gjyqësor të çështjes nr.86 (61007-00414-87-2025), datë regjistrimi 11.12.2025, përsa i përket shqyrtimit të ankimit të ankueses B.B. ndaj vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që ajo ka kundërshtuar caktimin dhe vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter ndalues “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, deri në zgjidhjen me vendim përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese të çështjes së regjistruar për gjykim në atë gjykatë, me kërkues: Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “(i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases B.B. dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës”, çështje për të cilën Gjykata Kushtetuese ka disponuar me vendimin datë 12.12.2025: “Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases B.B., sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës”.
- Miratimin e vendimit nr. 118, datë 19.11.2025 dhe vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket caktimit dhe vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, në lidhje me ankuesin E.E.
- Miratimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, përsa i përket vazhdimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtëpi”, të parashikuara nga neni 237 i K.Pr.Penale, masë e caktuar me vendimin nr. 118, datë 19.11.2025, në lidhje me ankuesin G.Gj.
Tensionet në Kuvend, PS kërkon përjashtimin e 29 deputetëve të PD
Në këto kushte në hapje të seancës dhe përgjatë saj drejtuesi i seancës, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, bazuar në nenet 63, 64, 64/1, 64/2, 65 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, u tërhoqi vëmendjen dhe u kërkoi deputetëve të lironin Foltoren e Kuvendit, hapësirën rreth saj dhe vendet e përcaktuara për anëtarët e Këshillit të Ministrave. Në zbatim të masave përshkallëzuese të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit të Shqipërisë, drejtuesi i seancës, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi i dha sipas Nenit 65 masën disiplinore “përjashtim nga seanca plenare..” deputetëve Klevis Balliu dhe Flamur Noka, të cilët nuk e zbatuan vendimin e marrë ndaj tyre.
Deputetët Klevis Balliu, Flamur Noka, Elda Hoti, Fidel Kreka kanë hedhur sende të forta dhe mjete të tjera (përfshirë pajisjet) drejt Kryetarit të Kuvendit dhe anëtarëve të Këshillit të Ministrave, kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cënuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.
Deputetët Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi kanë penguar anëtarët e Këshillit të Ministrave të ulen në vendet e tyre, të marrin fjalën, kanë përdorur gjuhë joparlamentare, kanë cënuar seriozisht rendin në seancë dhe kanë shkaktuar kaos.
Siç konstatohet qartazi nga pamjet filmike deputetët Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata kanë futur dhe përdorur në seancë lëndë apo mjete piroteknike.
Gjithashtu deputetët Gazment Bardhi dhe Sali Berisha kanë përdorur gjuhë diskriminuese, joparlamentare, kanë cënuar seriozisht rendin në seancë, kanë shkaktuar kaos, kanë zaptuar foltoren duke penguar deputetët të marrin fjalën dhe kanë cënuar personalitetin e drejtuesit të seancës, anëtarëve të Këshillit të Ministrave.
Në zbatim të planit të mirëorganizuar dhe të parapërgatitur deputetët Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti kanë rrethuar Foltoren e Kuvendit duke bllokuar zhvillimin normal të seancës dhe kanë shkaktuar kaos.
Sa më sipër, bazuar në provat filmike bashkangjitur, pamjet e bëra publike nga mediat dhe në prova të tjera që do t’ju vendosen në dispozicion në vijim, bazuar në nenin 63, pika 1 gërma d), dhe nenin 65/1 pika 1 gërma a) dhe pika 6 dhe 7, të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar; dhe nenit 6 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, paraqesim kërkesën si më poshtë:
1. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Albana Vokshi, Ledina Alolli dhe Denisa Vata, të cilët sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 7 paragrafi a) kanë futur dhe përdorur lëndë apo mjete piroteknike, tymuese brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit.
2. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 60 ditë ndaj deputetëve Klevis Balliu, dhe Flamur Noka, të cilët sipas parashikimeve të nenit 65 pika 2, nuk kanë pranuar të dalin nga salla, sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 1 paragrafi a) kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave dhe sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Duke qenë se këta dy deputetë kanë kryer disa shkelje, masat disiplinore për të cilat janë të ndryshme, kërkojmë marrjen e masës më të rëndë të parashikuar, pra 60 ditë. Gjithashtu këta deputetë dhe të tjerë të paidentifikuar deri më tani kanë goditur punonjësit e Gardës së Republikës, veprime për të cilat i takon Prokurorisë të vendosë nëse janë goditje për shkak të detyrës, për fillimin e ndjekjes penale ndaj personave të dyshuar.
3. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 30 ditë ndaj deputetes Elda Hoti e cila sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 1 paragrafi a) kanë kryer veprime të qëllimshme duke dëmtuar pajisjet dhe hequr funksionalitetin e tyre në sallën e seancave dhe sipas parashikimeve të nenit 6 pika 1 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu këta deputetë dhe të tjerë të paidentifikuar deri më tani kanë goditur punonjësit e Gardës së Republikës, veprime për të cilat i takon Prokurorisë të vendosë nëse janë goditje për shkak të detyrës, për fillimin e ndjekjes penale ndaj personave të dyshuar.
4. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 30 ditë për deputetët Gazment Bardhi dhe Sali Berisha, të cilët sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 6 paragarfi c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara në nenin 65/1 pika 1, pra deputetët kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë fyer anëtarët e Këshillit të Ministrave dhe sipas sipas parashikimeve të nenit 6 pika 2, paragrafi a) i Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
5. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 10 ditë ndaj deputetëve Besart Xhaferri, Xhelal Mziu, Bledjon Nallbati, Luçiano Boçi dhe Saimir Korreshi të cilët sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 1 paragrafi a) kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës, kanë shkaktuar kaos, kanë dhunuar punonjës të institucioneve shtetërore (Gardës së Republikës).
6. Marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare” për 10 ditë ndaj deputetëve Edi Paloka, Ina Zhupa, Klodiana Çapja, Oerd Bylykbashi, Enno Bozdo, Tomorr Alizoti, Ivi Kaso, Gent Strazimiri, Luan Baçi, Bledi Himçi, Greta Bardeli, Manjola Luku, Flamur Hoxha, Kliti Hoti, të cilët sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 1 paragrafi a) kanë penguar zhvillimin e rregullt të seancës plenare.
Policia e Fierit: Arrestime, procedime penale dhe aksidente rrugore në 24 orët e fundit
Drejtoria Vendore e Policisë Fier
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin A. M., 34 vjeç, banues në fshatin Kashtbardhë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Xh., 20 vjeç, banues në fshatin Savër, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 28 vjeç, banues në Patos, pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur një këmbësor, i cili po merr mjekim në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier:
-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin L. G., 59 vjeç, dhe për djalin e tij, shtetasin Q. G., 23 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me grushte një 24-vjeçar;
-shpallën në kërkim shtetasin E. K., 44 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me sende të forta një 40-vjeçar. Punohet për kapjen e shtetasit E. K.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen D. Ç., 43 vjeçe, banuese në Divjakë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. M., 62 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka bllokuar një pjesë të rrugëkalimit të këmbësorëve në fshatin Klos, si dhe i ka dëmtuar banesën një shtetaseje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
Ditën e djeshme, rreth orës 18:00 në fshatin Sheq Marinas, është konstatuar pa shenja jete, në banesën e tij, shtetasi V. F., 61 vjeç, i cili vuante nga shëndeti mendor dhe paraprakisht dyshohet të ketë humbur jetën për shkaqe natyrale. Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë vijon punën për përcaktimin e shkakut të humbjes së jetës së 61 vjeçarit.
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 07:30, në rrugën “Kastriot Muço”, automjeti me drejtues shtetasin F. R. është përplasur me motomjetin me shtetasin R. S., 26 vjeç. Nga aksidenti është dëmtuar shtetasi R. S., i cili po merr ndihmë mjeksore në spital dhe jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Tensione në Kuvend, opozita ndez flakadanë
Tensione në Kuvend.
Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka ndezur në vendin ku ulen ministrat flakadanë. Ndërkohë i kanë hedhur bidonë me ujë dhe drejt kreut të Kuvendit Niko Peleshi.
garda ka ndërhyrë për qetësimin e situatës, por opozita nuk lëshon vendet e ministrave.
Ndërkohë në kakofoni e sipër dëgjohet Erjon Braçe që thotë: Ky është Kuvendi që duam?
OBSH/“Supergripi” pritet të ushtrojë presion serioz mbi Bashkimin Europian
Një rritje e ndjeshme e rasteve të gripit të shkaktuara nga një lloj i ri dominues i virusit po përfshin Evropën, duke i vënë sistemet e kujdesit shëndetësor në disa vende nën një presion të rëndë, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.
OBSH-ja tha të mërkurën se të paktën 27 nga 38 vendet në rajonin e saj evropian raportuan “aktivitet të lartë ose shumë të lartë të gripit”, me më shumë se gjysmën e pacientëve me simptoma të gripit që rezultuan pozitivë në gjashtë vende, përfshirë Irlandën, Serbinë, Slloveninë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sezoni i gripit kishte filluar rreth katër javë më herët se vitet e kaluara, tha OBSH-ja, dhe u bëri thirrje njerëzve të kufizojnë transmetimin duke u vaksinuar, duke qëndruar në shtëpi nëse ndihen keq dhe duke mbajtur maskë në vende publike nëse kanë simptoma të frymëmarrjes.
OBSH-ja tha se varianti i ri i gripit sezonal – nëntipi A(H3N2) K – ishte shkaku i infeksioneve, duke përbërë deri në 90% të të gjitha rasteve të konfirmuara të gripit në rajonin evropian, por shtoi se nuk kishte prova që të sugjeronin se po shkaktonte sëmundje më të rëndë.
Hans-Henri Kluge, drejtor rajonal i OBSH-së për Evropën, tha: “Gripi ndodh çdo dimër, por këtë vit është pak më ndryshe. Ai tregon se si një ndryshim i vogël gjenetik në virusin e gripit mund të ushtrojë presion të madh në sistemet tona shëndetësore.”
Kluge theksoi gjithashtu rrezikun e dezinformimit.
“Është thelbësore në klimën aktuale të kërkohet informacion i besueshëm nga burime të besueshme, siç janë organizatat kombëtare të shëndetit dhe OBSH-ja”, tha ai. “Në një sezon të vështirë gripi, informacioni i besueshëm dhe i bazuar në prova mund të jetë shpëtues.”
OBSH tha se të dhënat e hershme nga Mbretëria e Bashkuar konfirmuan se vaksina kundër gripit uli rrezikun e sëmundjeve të rënda nga lloji A(H3N2), megjithëse mund të mos parandalojë infeksionin, dhe tha se vaksinimi mbeti hapi më i rëndësishëm parandalues.
“Kjo është veçanërisht e rëndësishme për ata që janë në rrezik më të lartë, përfshirë të moshuarit, ata me probleme shëndetësore, gratë shtatzëna dhe fëmijët”, tha ai. Punonjësit e kujdesit shëndetësor janë gjithashtu një grup prioritar për të mbrojtur shëndetin e tyre dhe shëndetin e pacientëve të tyre.
“Ashtu si në raste të tjera, fëmijët në moshë shkollore janë agjentët kryesorë të përhapjes në komunitet”, shtoi ai. “Megjithatë, të rriturit e moshës 65 vjeç e lart përbëjnë shumicën e rasteve të rënda që kërkojnë shtrim në spital.”
Kluge tha se sezoni i gripit pritet të arrijë kulmin në fund të dhjetorit ose në fillim të janarit.
“Sezoni aktual i gripit, ndonëse i rëndë, nuk përfaqëson nivelin e emergjencës globale me të cilën u përballëm gjatë pandemisë Covid-19”, tha ai, duke shtuar: “Sistemet tona shëndetësore kanë dekada përvojë në menaxhimin e gripit, kemi vaksina të sigurta që përditësohen çdo vit dhe kemi një manual të qartë të masave mbrojtëse që funksionojnë.”
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar (NHS) i Britanisë tha javën e kaluar se po përgatitej për një nga dimrat më të këqij të regjistruar ndonjëherë, mes presionit në rritje mbi klinikat, spitalet dhe shërbimet e ambulancës. Instituti Robert Koch në Gjermani tha se sezoni i gripit në vend kishte filluar dy deri në tre javë më parë.







