Kur drejtësia ndalet në gjysmë: Rasti Majlinda Bufi dhe zgjedhësi që votoi

Rasti i kryebashkiakes së Roskovecit, Majlinda Bufi, është shndërruar në një provë të vështirë për mënyrën se si kuptohet dhe zbatohet drejtësia penale në Shqipëri. Jo vetëm për atë që akuzohet se ka bërë një zyrtare e zgjedhur, por edhe për atë që nuk po hetohet.

SPAK ka ngritur akuzën për ushtrim presioni ndaj një zgjedhësi, me qëllim pengimin e të drejtës së votës. Një akuzë serioze, sepse vota është themeli i demokracisë dhe çdo përpjekje për ta cenuar përbën rrezik institucional. Por ky rast ka një element që nuk mund të anashkalohet: zgjedhësi i pretenduar si i kërcënuar ka shkuar dhe ka votuar.

Ligjërisht, kjo nuk e rrëzon automatikisht akuzën. Presioni, nëse provohet, mbetet vepër penale edhe kur nuk prodhon efekt. Por politikisht dhe moralisht, fakti që qytetari nuk u bind, e zhvesh çështjen nga dramatizimi që i është veshur. Në këtë pikë, drejtësia duket se po ndëshkon tentativën, jo pasojën.

Por dilema më e madhe nuk qëndron këtu.

Nga vetë aktet hetimore rezulton se i njëjti zgjedhës ka kryer ndërtim pa leje, një vepër penale e parashikuar qartë në Kodin Penal. Ky fakt është pranuar, dokumentuar dhe përdorur si element presioni. Megjithatë, për këtë shkelje nuk rezulton asnjë masë penale apo administrative konkrete.

Këtu lind pyetja thelbësore:
A është ndërtimi pa leje vepër penale apo mjet presioni selektiv?

Nëse është vepër penale, atëherë pse autori nuk procedohet?
Nëse nuk është, atëherë pse përdoret si kërcënim?

Drejtësia nuk mund të funksionojë me standarde të dyfishta. Nuk mund të ndëshkosh zyrtarin për përdorim presioni dhe, në të njëjtën kohë, të mbyllësh sytë ndaj shkeljes që shërben si bazë e atij presioni. Në këtë rast, sistemi duket se po prodhon një viktimë funksionale, të cilës i falet një shkelje penale për të mbajtur gjallë një proces tjetër.

Kjo nuk është drejtësi e plotë. Është drejtësi e pjesshme.

Një shtet ligjor nuk zgjedh cilat shkelje i ndëshkon dhe cilat i toleron sipas nevojës së një dosjeje. Barazia para ligjit nuk është slogan, por detyrim. Kur ajo thyhet, edhe vendimet më të drejta ligjërisht, duken të padrejta në sytë e publikut.

Rasti Majlinda Bufi nuk është thjesht një çështje penale. Është një pasqyrë e asaj se sa e barabartë është drejtësia kur përballet me pushtetin dhe qytetarin njëkohësisht. Dhe për momentin, pasqyra nuk jep një reflektim të qartë.

Hipoteka e Lushnjes me shërbime të kufizuara, ndërhyrje emergjente për shkak të problemeve teknike

Zyra e Hipotekës në Lushnja ka funksionuar me shërbime të kufizuara gjatë ditëve të fundit, për shkak të problemeve serioze me sistemin dhe internetin

Sipas burimeve, për më shumë se një javë sistemi ka qenë jashtë funksioni, duke sjellë grumbullim të aplikimeve dhe vonesa të shumta për qytetarët. Për këtë arsye, disa specialistë janë paraqitur fizikisht në zyrën e KADASTRES FIER, me qëllim çlirimin e aplikimeve dhe vijimin e përkohshëm të shërbimeve, si një zgjidhje emergjente.

Burimet sqarojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje teknike dhe organizative, e diktuar nga situata e krijuar, dhe jo për një mbyllje apo transferim përfundimtar të institucionit, megjithëse mungesa e një njoftimi zyrtar ka krijuar paqartësi dhe reagim në opinionin publik.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për vijimësinë e shërbimeve, ndërsa pritet një sqarim zyrtar nga institucionet përgjegjëse për funksionimin e Hipotekës dhe normalizimin e sistemit në ditët në vijim.

Qeveria do të marrë 40 mln euro kredi për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës

Qeveria do të marrë 40 mln euro kredi për rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, një nga veprat më të rëndësishme elektroenergjetike në vend.

Në Kuvend ka mbërritur marrëveshja e huasë me KfW-në gjermane, teksa në relacionin shoqërues shpjegohet se ky financim shtrihet mbi marrëveshjen e mëparshme të vitit 2022, që përmbante huanë origjinale të KfW-së dhe grante shoqëruese.

Sipas relacionit, huaja e re prej 40 mln euro, së bashku me një grant prej 1 mln euro do të mundësojnë përfshirjen e komponentëve shtesë elektromekanikë, përmirësimin e sistemeve të monitorimit në kohë reale dhe optimizimin e pajisjeve për një efikasitet më të lartë operativ. Këto ndërhyrje janë identifikuar si të domosdoshme pas një verifikimi të detajuar, që evidentoi se specifikimet fillestare të projektit nuk kapnin të gjitha nevojat teknike të impiantit.

Po ashtu, në relacion thuhet se këto ndërhyrje do të kontribuojnë në zgjatjen e jetës së impiantit për të paktën 30 vjet dhe në rritjen e efikasitetit të tij të përgjithshëm, në përputhje me strategjitë kombëtare për energji të qëndrueshme.

Ndërkaq, mungesa e ndërhyrjeve të plota deri më tani ka sjellë pasoja të konsiderueshme. Sipas të dhënave të përfshira në relacionin shoqërues, kapaciteti i prodhimit të hidrocentralit është reduktuar me rreth 4% në vit, përkatësisht një humbje prej 53,123 gWh në vit, që përkthehet në një humbje të të ardhurave prej rreth 2.656 milion eurosh për sektorin elektroenergjetik. Ky impakt negativ ekonomik lidhet drejtpërdrejt me mosrealizimin e rehabilitimit të plotë të turbinave dhe pajisjeve kryesore të energjisë.

Rriten prurjet në Fierzë, nisin shkarkimet me 1000 m³/s

Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të prurjeve në Hidrocentrali i Fierzës, duke detyruar autoritetet të nisin shkarkimet e kontrolluara me rreth 1000 metër kub ujë në sekondë.

Aktualisht, niveli i ujit në liqenin e Fierzës ka arritur kuotën 294 metra, vetëm 2 metra larg kapacitetit maksimal prej 296 metrash, në basenin më të madh ujor të vendit. Sipas burimeve nga HEC-i i Fierzës, reshjet kanë rritur prurjet deri në 500 metër kub ujë në sekondë, ndërsa hidrocentrali po operon me kapacitet maksimal për prodhimin e energjisë elektrike.

Moti i keq, ndalohet dalja në det e mjeteve lundruese

Kapiteneria e Portit Sarandë ka njoftuar se për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike dhe detare, përfshirë erërat me intensitet të lartë dhe dallgëzimin përtej normave të lejuara për lundrim të sigurt, që arrinë deri ne 6 Beaufor, ditën e sotme, është ndaluar dhënia e lejeve dhe çdo dalje në det e mjeteve lundruese.

Këtu përfshihen edhe mjetet turistike, peshkarexhat dhe skafet e vogla, në të gjithë gjirin dhe zonën bregdetare të Sarandës, Ksamilit dhe Borshit.

Njëherazi kjo situatë do të vijojë edhe për lëvizjen e tragetit të linjës Sarandë-Korfuz dhe anasjelltas, që nuk do të lëvizin deri në një njoftim te dytë.

Pse po zhvlerësohet euro?

Prej një kohe të gjatë tashmë, Leku vijon të jetë i fortë kundrejt monedhës europiane.  Por cilat janë arsyet e mbiçmimit të tij dhe si është luhatur ndër vite?

Referuar një analize të bërë nga ALTAX, të sjelljes së kursit të këmbimit në Shqipëri gjatë periudhës 2015–2025 tregon se marrëdhënia midis lekut dhe faktorëve makroekonomikë nuk është e njëtrajtshme në kohë dhe as simetrike në intensitet. Kursi nuk reagon njësoj në të gjitha situatat ekonomike, por shfaq sjellje të ndryshme në varësi të fazës së ciklit ekonomik, nivelit të presionit në treg dhe strukturës së flukseve valutore. Në këtë kuptim, lëvizjet e lekut nuk mund të interpretohen si rezultat i një mekanizmi të thjeshtë monetar, por si produkt i një strukture ekonomike të karakterizuar nga asimetri, euroizim, sezonalitet i theksuar dhe ndërhyrje selektive institucionale.

Një nga gjetjet më të qëndrueshme është se lekut i mungon një mekanizëm i qartë vetërregullues. Sipas analizës, në periudhat kur leku forcohet ndjeshëm, ai ka tendencë të mbetet i fortë për më gjatë sesa do të justifikohej nga fundamentet reale të ekonomisë.

Sipas analizës, flukset valutore nga turizmi dhe hyrjet e parave nga burime të ndryshme luajnë një rol kyç. Gjatë viteve të fundit, rritja e ndjeshme e numrit të turistëve dhe rritja e dërgesave nga emigrantët dhe burime të tjera kanë krijuar një tepricë strukturore euroje në treg, e cila nuk neutralizohet plotësisht nga kërkesa për importe apo investime. Kjo ka prodhuar një presion të vazhdueshëm drejt forcimit të lekut, veçanërisht në periudhat kur këto flukse janë në kulmin e tyre. E thënë ndryshe, ekonomia shqiptare është më e ndjeshme ndaj hyrjeve valutore se sa ndaj mungesës së tyre çka krijon një prirje strukturore drejt mbiçmimit të lekut.

Po ashtu, në analizë thuhet se inflacioni dhe normat e interesit ndikojnë vetëm kur kalojnë pragje të larta perceptimi, jo në kushtet “normale”. Ndërsa ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë janë efektive vetëm në situata ekstreme, jo si instrument i përditshëm stabilizimi.

Referuar analizës, ekonomia është thellësisht e euroizuar dhe ende Euro përdoret për ruajtje vlere, ndërsa leku mbetet kryesisht njësi kontabël. Ndërsa theksohet se forcimi i lekut ndihmon importet dhe inflacionin, por dëmton eksportet dhe prodhimin vendas.

Gjetjet sugjerojnë se kursi i këmbimit në Shqipëri nuk është thjesht rezultat i ofertës dhe kërkesës në tregun valutor, por pasqyrë e një arkitekture ekonomike të ndërtuar mbi euroizim, sezonalitet dhe pritje të paqëndrueshme.

Politikat monetare kanë rol të kufizuar dhe funksionojnë kryesisht në kushte ekstreme, ndërsa faktorët strukturorë dhe institucionalë mbeten determinantët realë të dinamikës së lekut.

A do t’i heqë Kuvendi imunitetin Ballukut? Rama kujton forcën e kartonit të PS

Kryeministri Edi Rama deklaroi se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut do të trajtohet me përgjegjësi të plotë nga Kuvendi, ndërsa kujtoi se qeveria e tij ka forcën e kartonit si shumicë. 

Në një mbledhje grupi me PS-në, kryesocialisti Rama tha se çështja e ndryshimeve ligjore që u prodhua pas debatit me GJK-në dhe SPAK, nuk ka lidhje me kërkesën për heqjen e imunitetit. 

“Thirrja jonë e brendshme për gjak, për të parë tjetrin me këmbët lartë kokën poshtë, vjen nga e kaluara për të ardhmen tonë. Ne do ta mbajmë parasysh këtë. Duke e mbyllur dua të them se nisma thjesht dhe vetëm adreson një ..ok…boshllëk e quajnë jurisitët, por nuk duhet të shfaqet më që me fuqinë e prokurorit dhe verbërinë e gjykatësit që i shkon nga pas të marrë peng një gjykatë. Kjo është pak dhe thjesht. Rasti konkret është në proces në Kuvendi e Shqipërisë dot ë trajtohet me përgjegjësi që kemi si shumicë qeverisëse. Kush i lidh këto të dyja, edhe në aspektin kohor, nëse unë nuk gaboj, parlamenti dot ës hrep0et për imunitetin dhe më pas me votë për ndryshim. Sot nuk është dita për të folur, do të flasim në momentin e duhur kur të bëhen procedurat. Këto kisha unë.”, tha ai. 

Rama /Urdhër-arrestet plotësohen si ftesa dasmash”, Vetëm për Vit të Ri 40 kontrolle banesash.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur kritika ndaj mënyrës se si, sipas tij, po vepron sistemi i drejtësisë ndaj administratës publike. Ai deklaroi se urdhër-arrestet po lëshohen me lehtësi, duke i konsideruar shpesh si mjete për të forcuar profilin profesional të disa prokurorëve.Ai u shpreh se fletët e arrestit plotësohen lehtësisht, duke shtuar se shpesh kjo shihet si mundësi nga prokurorët që të shtojnë CV-në e tyre. 

“Të kryesh 40 kontrolle banesash ditën e Vitit të Ri do të thotë që nuk ke asnjë kuptim për efektin psikologjik që ka për shoqërinë. 

Nëse nuk do ta vijojmë përpjekjen nuk do të ketë kurrë drejtësi të pavarur në Shqipëri, kjo është rruga me të gjitha dhimbjet e problemet tona, Ne duhet të bëjmë çmos të ruajmë balancën. 

Punonjësit e administratës nuk janë mish për top të askujt dhe shënjestra për të mbushur prokurorët CV-në. Është e pa pranueshme ajo që ndodh në prokuroritë e rretheve me fletët e arresteve që plotësohen si ftesa për dasëm”, tha ai.