KQZ apel qytetarëve: Denonconi online parregullsitë gjatë procesit zgjedhor

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, në një postim në rrjetin social facebook i bën thirrje qytetarëve të denoncojnë parregullsitë që mund të shfaqen gjatë procesit të votimit, të dielën më 11 maj.

“Jeni dëshmitar i ndonjë parregullsie gjatë zgjedhjeve?

Tani mund ta denonconi dhe gjurmoni lehtësisht dhe në mënyrë konfidenciale përmes platformës sonë të përditësuar online.

“Kjo iniciativë synon të forcojë transparencën dhe të rrisë efikasitetin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve zgjedhore, duke i dhënë qytetarëve një rol aktiv në mbrojtjen e procesit demokratik”, shkruan Komisioneri Ilirjan Celibashi duke vendosur në mesazh dhe linkun ku mund të shkruajnë qytetarët.

Celibashi tregon kur do të zbulohen rezultatet e para te zgjedhjeve

Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se synimi i institucionit që ai drejton është shpallja sa më e shpejtë e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit, idealisht para pasdites së ditës së martë, ashtu siç ndodhi në proceset e mëparshme.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë”, Celibashi tha se KQZ është përgatitur për të përmbyllur vlerësimin e votave brenda vendit brenda afatit ligjor. “Do të ishte shumë mirë nëse rezultatin do ta shpallim më shpejt se zgjedhjet e kaluara, më shpejt se pasditja e së martës,” u shpreh ai, duke shtuar se procesi i votave nga jashtë vendit mund të ndikojë në kohën finale të publikimit të rezultatit përfundimtar.

Ai paralajmëroi gjithashtu se ndonëse mund të krijohet një ide e qartë mbi rezultatin që në mëngjesin pas ditës së votimit, ky trend nuk duhet konsideruar i pandryshueshëm. “Mund të ketë një trend publik, shifra domethënëse në mëngjesin pas zgjedhjeve, por rezultati mund të ndryshojë rrugës – askush nuk e di,” theksoi Celibashi.

Celibashi: Do të ishte shumë mirë nëse rezultatin do e shpallim më shpejt se zgjedhjet e kaluara, më shpejt se pasditja e ditës së martë pas ditës së votimit. Nuk e dimë sa do ndikojë numërimi i fletëve të votimit nga jashtë, por votat brenda vendit do vlerësohen brenda parashikimit ligjor. 

Besoj se e marta pasdite do të na gjejë me të dhëna të plota për votimin brenda vendit. 

Do shikojmë çfarë mund të përmirësojmë që për votimin nga jashtë ky rezultat të jetë publik brenda këtij afati. Besoj se mund të ketë  një trend publik, shifra domethënëse në mëngjesin pas zgjedhjeve, por secili e bën interpretimin si do. Rezultati mund edhe të ndryshojë rrugës, askush nuk e di.

Shembja e masivit të dheut, ndërrojnë jetën 2 të rinjtë që po punonin në kantier

Njoftimi i policisë:

Gramsh/Informacion paraprak

Në fshatin Holta, gjatë punës në një kantier ndërtimi, dyshohet se aksidentalisht ka rrëshkitur një masiv dheu, dhe për pasojë kanë humbur jetën shtetasit A. B., 22 vjeç dhe E. Ll., 32 vjeç.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Proda mesazh efektivëve për zgjedhjet: Këto ditë të jenë pasaportë besimi e vlerësimi për Policinë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda u është drejtuar me një mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 11 majit.

Në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë përfundoi paraditen e sotme instruktazhi me punonjësit e Policisë që janë planifikuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet procesi i votimit.

Në instruktazh kanë marrë pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe të Komisariateve, të cilët u kanë përcjellë punonjësve të Policisë porositë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për angazhim, profesionalizëm, barazlargim dhe gjakftohtësi në përmbushjen e detyrave.

“Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit”, thekson kreu i Policisë së Shtetit, Proda në mesazhin drejtuar efektivëve në të gjithë vendin.
Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në procesin zgjedhor u janë shpërndarë librat e xhepit me detyrat që duhet të përmbushë çdo punonjës policie i angazhuar në fazën finale të këtij procesi.

Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit.
Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planëzuar për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore.
Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike, gjatë procesit elektoral, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.

Në bashkëpunim me OSBE-në, KQZ-në dhe me Prokurorinë e Përgjithshme, janë trajnuar 6838 punonjës police me uniformë, si dhe 813 specialistë për Hetimin e Krimeve, të angazhuar për hetimin e krimeve zgjedhore.
Gjatë fushatës elektorale, nga strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan maksimalisht 6500 punonjës policie, për mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të zhvilluara në ambiente të hapura dhe të mbyllura.
Në të gjithë vendin janë 93 objekte zgjedhore ku janë vendosur komisionet e KZAZ-ve dhe 5225 objekte që do shërbejnë si Qendra Votimi, ditën e votimit, objekte këto që do të merren në ruajtje nga Policia, ditën e shtunë.
Rreth 5316 punonjës policie dhe automjete policie do të angazhohen për ruajtjen e objekteve zgjedhore dhe shoqërimin e materialeve.

Prokurorët e SPAK zbarkojnë në 12 qarqet e vendit, shoqërohen nga agjentët e BKH! Ja zonat më problematike

Që në orët e para të mëngjesit të sotëm, në 12 qarqet e vendit kanë zbarkuar prokurorët e Prokurorisë së Posaçme. 

Behet me dije se ata shoqërohen nga agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Në qarqet që mund të konsiderohen si zona të nxehta për krimin zgjedhor janë caktuar nga dy prokurorë. Të tilla janë Fieri, Elbasani, Durrësi, Shkodra dhe Lezha.

Ndërkohë në kryeqytet janë caktuar prokurorë të posaçëm.

Karta e Identitetit brenda 3 ditesh,aplikohet procedura e përshpejtuar

Karta e identitetit tashmë mund të merret brenda 3 ditësh nga dita e aplikimit.IdentiTek, kompania shtetërore e prodhimit të dokumenteve biometrike, ka sjellë këtë shërbim të ri për qytetarët shqiptarë.

Përmes një pagese prej 3 mijë lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.Procedura e përshpejtuar është veçanërisht e dobishme për emigrantët, të cilët qëndrojnë për pak ditë në Shqipëri.

Aplikimi kryhet në çdo zyrë IdentiTek në të gjithë Shqipërinë. Procedura nis me blerjen e kuponit. Merrni me vete dokumentin e vjetër ose vetëdeklarimin e humbjes/vjedhjes nga e-Albania, bëni aplikimin në një nga zyrat e IdentiTek dhe më pas tërhiqni kartën e re po aty ku keni bërë aplikimin.

Salmonelë te filetot e pulave importuar nga Brazili, AKU bllokon mishin

Një sasi e konsiderueshme fileto pule e importuar nga Brazili, është bllokuar, pasi u konfirmua prania e salmonelës në mish.Autoriteti Kombëtar i Ushqimit njofton se në një mostër nga filetoja e ngrirë u gjet Salmonella Typhimurium.

AKU thotë se ka ndërhyrë me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, megjithatë nuk dihet ngarkesa e hedhur në treg.Çështja i ka kaluar për hetim e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

Berisha shfaqet me një buf në konferencën për shtyp, i përgjigjet Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është shfaqur me një buf gjatë konferencës për shtyp.Duke iu përgjigjur kryeministrit Edi Rama, Berisha u shpreh se bufi është simboli i mençurisë dhe diturisë.

“Filmojeni pak, ju lutem mos harroni. Pra kjo nuk mund të them se është një dhuratë për Edi Ramën, sepse ky është një simbol i mençurisë, i diturisë dhe i vendimit jo në shekuj, po në mijëvjeçarë.

Dhe vendosa ta sjell këtu para medieve dhe para publikut shqiptar se çfarë varfërie dhe shkretie kulturore ka njeriu që e citon, që e quan Sali Berishën çdo ditë, me emrin e simbolit më të arrirë të dijes, mençurisë dhe vendimit të Greqisë së Lashtë, të Romës së Lashtë.

Athina dhe Minerva, dy perëndeshat e njohura, njëra e grekëve, perëndeshë e diturisë, dhe e Minerva e romakëve, e njëjtë, nuk zgjodhën asnjë shpend tjetër si simbol të fuqisë së tyre mendore, por zgjodhën pikërisht bufin që u bë një personazh i dashur për të gjithë njerëzit e civilizuar. Dhe Edi Rama mendon se mund të më fyeje mua duke më quajtur mua buf. Injoranca nuk është argument, thotë Latini.”, tha Berisha.