Pranvera me mot me diell sjell turiste ne Sarande

Me ardhjen e pranverës po shtohet numri i turistëve të huaj në Sarandë

Të rinjë, nga Europa dhe jo vetëm po zgjedhin gjithnjë e më shumë bregdetin e jugut shqiptar, për të pushuar. Peisazhin e bukur natyror, si dhe  ushqimin përmendin ndër faktorët kryesor, se pse ata zgjedhin Shqipërinë për tu shplodhur.

Ollga dhe Viktoria dy të reja polake e panë Sarandën në  internetit, dhe u dashuruan menjëherë me të.

Jemi nga Polonia, une jam Ollga dhe kjo është shoqja ime Viktoria, kemi ardhur në Sarandë sepse këtu ka pamje të bukura, temperatura të mira dhe duam të kalojmë kohë në këtë pamje të mrekullueshme.”

“Ne e pamë Sarandën në Pinterest, në Tik Tok dhe Instagram, e dashuruam këtë vend, dhe erdhëm për herë të parë në këtë vend. Pëlqyem mëse shumti qytetin, plazhin, dhe natyrën, edhe ushqimi është i shijshëm dhe i lirë. Në këtë kohë çdo gjë është më e lirë sesa në sezon dhe mund të ushqehesh shëndetshëm dhe mirë, më lirë sesa në Itali përshembull ose edhe se në Poloni.”

Ndonëse është fillimi i Marsit, për turistët është mjaftueshëm ngrohtë sa për të shijuar ujin e kristaltë të detit.

“Jam Kuba, unë dua të lahem në det kudo ku shkoj dhe sot është temperaturë e mirë kështu që do ta shijoj detin tuaj. Dje hëngrëm pica shumë të mira këtu. Por mendoj se çmimet mund të jenë edhe më të lira. Do të qëndrojmë 4 ditë sepse do të kthehemi në Tiranë sepse kemi shtëpi atje. Deri tani kam kujtime të mrekullueshme për këtë vend.”

Industria e turizmit në Sarandë, është në përgatitjet e fundit përpara çeljes së sezonit turistik, ndërsa prezenca e turistëve nga të gjitha grupmoshat ka vazhduar të ndihet.

Trangulli kornishon, nga serat ne FIER në eksport ne tregjet e rajonit

Në Fier ka nisur sezoni i mbjelljeve në serat diellore. Një nga fermerët më të mëdhenj në këtë sektor është Besnik Bogdani nga fshati Pluk, i cili kultivon sipërfaqen më të madhe me trangull kornishon.

Ai sapo ka përfunduar vjeljen e lakrës së Brukselit, të cilën e ka eksportuar tërësisht në Ukrainë.
Aktualisht, Besniku po mbjell trangull në një sipërfaqe prej pesë dynymësh dhe pret një prodhim mbi 70 ton. Ky produkt ka një treg të garantuar, pasi kontratat për shitjen e tij sigurohen që në momentin e mbjelljes së fidanëve.

Shqipëria tashmë është kthyer lider në rajon për kultivimin dhe eksportimin e trangullit kornishon, duke lënë pas vende si Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Sipas kompanive eksportuese, gjatë vitit 2024 u eksportuan rreth 8.000 tonë trangull kornishon, te prodhuar në Fier,Lushnje dhe Berat të cilët u shpërndanë në mbi 30 fabrika në të gjithë Europën.

Për vitin 2025, parashikohet që prodhimi të arrijë mbi 12.000 tonë, duke siguruar një produkt cilësor, brenda standardeve të Bashkimit Europian.

Aktualisht, në Bashkinë Fier kultivohen mbi 15 hektarë sera me trangull kornishon, dhe çdo vit sipërfaqja e mbjellë me këtë kulturë po rritet ndjeshëm. Arsyeja kryesore është interesi i madh i fermerëve për këtë produkt, i cili ka një treg të sigurt, kontrata të garantuara dhe një çmim të përcaktuar që në fazën e mbjelljes.

Takimi i Ramës me drejtuesit e PS në qarqe! Në listat e mbyllura do jenë gra dhe të rinj

Detaje të reja mësohen në lidhje me takimin që ka pasur kryeministri Edi Rama me secilin nga drejtuesit politikë të qarqeve për PS-në.

Mesohet se Rama ka takuar disa prej drejtuesve politikë të PS në qarqe, ku secili pritet të japë emrat e kandidatëve për deputetë.

Bëhet me dije se në listën e mbyllur do jenë gra dhe të rinj. Ndërkaq, 4 kryebashkiakë aktualë pritet që të kandidojnë për deputetë.

Sot kryeministri ka nisur takime që në orën 9, duke folur me drejtuesit politikë të qarqeve. Blendi Klosi i ka dorëzuar listën e kandidatëve për deputetë të qarkut Dibër. Më pas, është folur me Kumbaron, Becin, Sakon, Niko Peleshin, Bledi Çuçin. 4 kryebashkiakë kanë kërkuar që të jenë kandidatë për deputetë, Ervin Demo, Tërmet Peçi, Agron Malaj dhe kryetarja e Bashkisë së Dimalit, Juliana Memaj.

Listat e mbyllura do jenë për gratë dhe të rinjtë ose që kanë jo më shumë se një mandat. Mbetet për t’u parë nëse takimet do vijojnë apo janë mbyllur. Mbeten ende drejtues të tjerë politikë, me të cilët Rama nuk ka folur ende. 12 marsi është dita e fundit, ku mund të dorëzohet lista e kandidatëve për deputetë. Në anën tjetër, edhe Kryesia e PD pritet që të mblidhet për kandidatët për deputetë.

Zgjedhjet e 11 majit/ KQZ publikon listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar listën paraprake të zgjedhësve nga jashtë.Me anë të një njoftimi KQZ sqaron se vetëm ata zgjedhës nga jashtë, të cilëve u është pranuar kërkesa për t’u regjistruar nëpërmjet PER, janë në përbërje të kësaj liste.

Këta zgjedhës kanë mundësinë, nga data 9 deri më 10 Mars 2025, të kërkojnë çregjistrimin nga lista e zgjedhësve, në rast se për arsye objektive gjykojnë se do të jenë në Republikën e Shqipërisë në ditën e zgjedhjeve më 11 Maj 2025.

Po ashtu mund të ribëjnë edhe një herë kërkesën, ata zgjedhës që kanë ndryshuar vendqëndrim pasi është miratuar kërkesa, duke saktësuar adresën e re së bashku me dokumentin provues të adresës.

Dritarja në KQZ ku mund te vendosni te dhenat tuaja per te pare emrin ne liste

KQZ ka hapur një dritare ku votuesi nga jashtë shkruan NID, më pas vendos emrin, mbiemrin, atësinë dhe datëlindjen.

Kujtojmë që për herë të parë në zgjedhjet e 11 majit do të votojnë edhe diaspora shqiptare.

Në total janë mbi 294 mijë shqiptarë me banim jashtë që mund të marrin pjesë në votim më 11 maj, ndërkohë më shumë se 48 mijë kërkesa u refuzuan për shkak të mangësive të ndryshme.

Gripi i shpendëve, asgjësohen 69 mijë pula-250 mijë kokrra vezë bllokohen, kontroll tregut

Sëmundja e Influencës Aviare, tipi H5N1, apo e quajtur ndryshe gripi i shpendëve, është prezent në vendin tonë dhe ka prekur një stabiliment në Qarkun e Durrësit.

Ministria e Bujqësisë bën me dije se janë masat në mënyrë të menjëhershme, pas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve Tiranë për të izoluar rastin dhe për të parandaluar përhapjen e tij.

Burime nga ky institucion theksojnë se rezultojnë 69 mijë pula të asgjësuara të konstatuara më grip në subjektin “Rea’s” shpk, me vendndodhje në fshati Maliq Muҫo, Njësia Administrative Rashbull, dhe bëhej fjalë kryesisht për shpendë që ishin në fund të ciklit të tyre të prodhimit.

Po ashtu, theksohet se janë 250 mijë kokrra vezë të cilët janë gjetur në datën 3 mars në këtë stabiliment, kur dhe është njoftuar për përhapjen e gripit të shpendëve, të cilat janë bllokuar dhe do të asgjësohen nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.

Ministria e Bujqësisë siguron konsumatorët se asnjë nga këto produkte nuk del në treg dhe së është kontrolluar i gjithë segmenti i tregut për vezët e prodhuara në këto data.

Ndërkohë autoritetet janë në gatishmëri në mënyrë që të kenë situatën nën kontroll dhe të parandalojnë përhapjen e gripit të shpendëve.  

Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka njoftuar gjithashtu 68-subjektet e mbarështimit të shpendëve, të cilët duhet të marrin masa për biosigurinë në stablimentet e tyre, si dhe ka njoftuar shërbimin veterinar rajonal në rang vendi, për rritjen e vigjilencës dhe monitorimin e situatës

Kjo sëmundje ka shkaktuar dëme masive në Shqipëri në vitin 2022 në një numër të lartë shpendësh oborresh, për prodhim, si dhe atyre të egër.

Rama takime kokë më kokë me drejtuesit politikë të qarqeve, në fokus zgjedhjet e 11 majit

Kryeministri Edi Rama do të vijojë edhe këtë të diel takimet me drejtuesit politikë socialistë, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.Mësohet se takimet do të zhvillohen tek Vila 31 në kryeqytet.

Parashikohen takime invididuale të kreut të qeverisë me drejtuesit politikë. Ndërkaq, takimet do të vijojnë edhe të hënën e të martën.

Për dy ditë radhazi, të premten dhe të shtunën, Rama mblodhi ministrat dhe drejtuesit politike të qarqeve në një takim informal në Pallatin e Brigadave.

Të hënën ne selinë rozë, kryeministri Rama do të mbledhë bordin e diasporës, për të përcaktuar edhe  detajet e fushatës elektorale me emigrantët.

Vetë kryesocialisti Edi Rama ka shprehur ambicien për afro 1 milion vota, tanimë që në zgjedhje do të marrin pjesë edhe shtetasit që jetojnë jashtë Shqipërisë. Referuar të dhënave zyrtare peshën më të madhe vota e diasporës do e ketë në qarkun e Tiranës dhe Fierit. 

Makina përplas 2-vjeçarin në rrugë, humb jetën në spital

Rreth orës 17:30, një ngjarje tragjike ndodhi në Kamëz, ku një i mitur rreth 2 vjeç, i dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës nga familjarët, humbi jetën pas aksidentit me një automjet.

Drejtuesi i automjetit ende nuk është identifikuar.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri u plagos rëndë pas aksidentit, duke rezultuar në vdekjen e tij në spital.

Grupi hetimor ka nisur punën për të sqaruar rrethanat e plota të këtij rasti dhe për të identifikuar autorin e aksidentit.

Në vazhdim të hetimeve për aksidentin tragjik që ndodhi në një fshat të Vorës sot, ku një i mitur rreth 2 vjeç humbi jetën, autoritetet policore kanë arrestuar drejtuesin e automjetit të përfshirë në ngjarje.

Raportohet se autori është identifikuar si 57-vjeçari Y. M., i cili mësohet se ishte edhe komshi me familjen e viktimës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 17:30, kur fëmija u përplas pranë banesës së tij në Fushë Domje. Pasi mori ndihmën e parë nga familjarët, ai u dërgua në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk arriti të mbijetojë.

Sakaq, grupi hetimor vazhdon të punojë për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit dhe për të siguruar të gjitha provat e nevojshme.

BOTËRORI 2026 NË AMERIKË! Trump do drejtojë përgatitjet, takon kreun e FIFA-s

Donald Trump krijoi një task forcë për të koordinuar sigurinë dhe përgatitjet e Kupës së Botës 2026, e cila do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë mes tensioneve tregtare dhe politike në rajon. FIFA e përshkroi turneun si një sfidë logjistike të jashtëzakonshme, ndërsa Trump tha se tensioni e bën me emocionues aktivitetin në tre shtete.

Presidenti i SHBA  Donald Trump zyrtarizoi një task forcë për përgatitjen e Kupës së Botës 2026, e cila do të sjellë turneun më prestigjioz të futbollit në Amerikën e Veriut, në një kohë kur e ashtuquajtura luftë e tarifave ka rritur tensionet në rajon e më gjerë.“Besoj se do ta bëjë akoma më emocionuese,” tha Trump për zhvillimin e Kupës së Botës mes retorikës së ashpër mes liderëve të vendeve pritëse. “Tensioni është një gjë e mirë” Shtoi AI.

Task forca, në krye të së cilës do të jetë vetë Trump, do të koordinojë sigurinë dhe planifikimin federal për turneun, i cili pritet të tërheqë miliona turistë në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

“Është një nder i madh për vendin tonë që e kemi këtë mundësi,” tha Trump pas takimit me zyrtarë të FIFA-s, duke shtuar se dëshiron të ndjekë disa ndeshje.

Përgatitjet për turneun po intensifikohen paralelisht me tensionet midis SHBA-së dhe fqinjëve të saj, pasi Trump ka kërcënuar shpesh me tarifa tregtare, duke ndikuar tregjet dhe duke nxitur frikën për një krizë ekonomike.

Në 2026, Kupa e Botës do të zgjerohet në 48 ekipe dhe 104 ndeshje në tre vende, duke u bërë për herë të parë një turne i shpërndarë në më shumë se një shtet.78 nga 104 ndeshjet do të luhen në SHBA, ndërsa 13 ndeshje do të mbahen në Meksikë dhe Kanada, me deri në gjashtë ndeshje në ditë.

Finalja do të luhet më 19 korrik në “MetLife Stadium” në Neë Jersey.

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, tha se task forca do të sigurojë që çdo vizitor nga e gjithë bota “të ndihet i sigurt, i lumtur dhe të përjetojë diçka të veçantë”.

“Ne jemi këtu për të krijuar dhe organizuar shfaqjen më të madhe që ka parë ndonjëherë planeti,” tha Infantino.

Ai i dhuroi Trump një top të personalizuar dhe prezantoi një trofe të madh që do t’i jepet fituesit të Kupës së Botës për Klube FIFA 2025, turne që do të zhvillohet këtë verë si parapërgatitje për garën e kombëtareve vitin e ardhshëm.

Trump tha se SHBA-ja, ku futbolli është rritur në popullaritet por mbetet ende një sport dytësor, është një treg i madh për zhvillimin e futbollit.

Infantino krahasoi organizimin e Kupës së Botës me tre Super Bowl në ditë për një muaj rresht, duke theksuar sfidat logjistike dhe të sigurisë për vendet pritëse.

Administrata e Trump do të përballet me një tjetër sfidë të madhe sportive në vitin 2028, kur Lojërat Olimpike Verore do të mbahen në Kaliforni, hera e parë që SHBA pret Olimpiadën që nga Salt Lake City 2002.