FBI paralajmëron 1 miliard përdorues të iPhone të fshijnë menjëherë këtë SMS

FBI -ja ka lëshuar një paralajmërim urgjent për përdoruesit e telefonave celularë, duke u bërë thirrje më shumë se një miliard njerëzve në të gjithë botën që të fshijnë menjëherë disa mesazhe mashtruese që mbërrijnë me anë të SMS-ve, të cilat duket se vijnë nga Departamenti i Transportit (DMV).

Kjo formë e re mashtrimi ka shënuar një rritje alarmante prej 700% muajin e fundit, me mashtruesit që synojnë si përdoruesit e iPhone ashtu edhe ata të Android.

Sipas autoriteteve, mesazhet e dyshimta zakonisht përfshijnë fraza të tilla si “shumë e papaguar” ose kërcënime për pezullimin e lejes së automjetit. Marrësit i kërkohet të paguajë menjëherë një gjobë fiktive nëpërmjet një lidhjeje që të çon në një faqe të rreme pagese. Lidhja imiton faqet zyrtare të internetit të qeverisë për të mashtruar dhe për të nxjerrë informacione personale dhe financiare.

Qendra e Ankesave për Krimin në Internet (IC3) e FBI-së vëren se termi “shumë e papaguar” shfaqet vazhdimisht në ankesat që ka marrë, gjë që tregon një valë mashtrimi të organizuar mirë dhe të përhapur gjerësisht.

Mashtrimi është raportuar në disa shtete të SHBA-së, duke përfshirë Xhorxhian, Floridën, Kalifornian, Nju Jorkun dhe Teksasin, me autoritetet lokale që kanë lëshuar paralajmërimet e tyre. Në Nju Xhersi, Komisioni i Automjeteve Motorike (NJMVC) publikoi një deklaratë në mediat sociale, duke theksuar se:

“NJMVC nuk dërgon kurrë email-e ose SMS të padëshiruara në lidhje me shërbimet e automjeteve, patentat e drejtimit ose regjistrimin. Të gjitha komunikimet kufizohen në përkujtesa për takime.”

Autoritetet këshillojnë publikun të jetë jashtëzakonisht i kujdesshëm ndaj çdo komunikimi të pakërkuar që:

Përmban kërcënime për gjoba ose penalizime,

Kërkon informacion personal ose financiar,

Përfshin link që duken si adresa zyrtare qeveritare,

Përdor gjuhë të fortë, të dhunshme ose kërcënuese.

Në çdo rast, përdoruesve u kërkohet të mos klikojnë në lidhje (link) të dyshimta dhe të fshijnë menjëherë mesazhet. Në rast dyshimi, komunikimi duhet të verifikohet vetëm përmes faqeve zyrtare të internetit ose linjave telefonike të shërbimeve përkatëse.

Gjendet ars*nal ar*ësh në një banesë në Vlorë

Gjenden të fshehura në murin e një ndërtese dhe sekuestrohen 2 armë zjarri automatike, mbi 2200 fishekë luftarak dhe 12 granata difensive. 

Armët e zjarrit dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim.

Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, pronari i ndërtesës. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një ndërtesë të vjetër të pabanuar, në lagjen “Hajro Çakërri”, Vlorë, në katin e dytë të së cilës gjetën të murosura disa armë dhe municion luftarak. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 2 armë zjarri automatike, 12 granata difensive pa ndezës, 14 ndezës granatash të mbështjellë me letër dhe rreth 2200 fishekë luftarak. 

Armët dhe municioni do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim të mëtejshëm, me qëllim përcaktimin nëse janë përdorur në ngjarje kriminale. 

Nga verifikimet rezultoi se ndërtesa ku u gjetën armët dhe municioni është në pronësi të shtetasit Gj. K., 67 vjeç, banues në lagjen “Hajro Çakërri”, i cili, në përfundim të veprimeve procedurale, është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës dhe të gjendjes shëndetësore.

Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq për ‘Vr*sje me paramendim’ 2 shtetas, një prej të cilëve i mitur

Vranë shtetasin G.B. pas konfliktit të nisur në rrjetet sociale, Prokuroria e Fierit dërgon në gjyq për ‘Vrasje me paramendim’ dy shtetas, një prej të cilëve i mitur

Prokuroria pranë Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit F.M. dhe K.M. për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e kryer në bashkëpunim dhe ‘Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta’, të parashikuara nga nenet 78/1 e 25 dhe 279/2 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera mbi procedimin penal nr. 382 të vitit 2025, rezultoi e provuar se, në datën 11.03.2024, rreth orës 11:30, në lagjen “Kongresi i Përmetit” të qytetit të Fierit, gjatë një takimi për t’u sqaruar lidhur me një konflikt të ndodhur ditë më parë dhe të publikuar në rrjetet sociale, të pandehurit F.M. dhe K.M., të cilët kanë pasur me vete armë të ftohta, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë goditur viktimën G.B., duke i shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier kërkoi Deklarimin fajtor të të pandehurit F.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 të Kodit Penal dënimin e tij me 25 vjet burgim. Si dhe deklarimin fajtor të të miturit në konflikt me ligjin K.M. për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim, dhe në bazë të neneve 78/1 e 25 dhe 51 të Kodit Penal dhe 97/2 të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur, dënimin e tij me 12 vjet dhe 6 muaj burgim.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Tensionet mes Izraelit dhe Iranit, Erdogan akuzon Netanyahun

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka përshkallëzuar tensionet në Lindjen e Mesme duke akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, si “kërcënimin më të madh” për sigurinë e rajonit.Kjo deklaratë u bë gjatë një telefonate me emirin e Katarit, sipas njoftimit zyrtar të presidencës turke.

Erdogan theksoi se do të vazhdojë përpjekjet për t’i dhënë fund spirales së dhunës që ka përfshirë rajonin, duke fajësuar Netanyahu për rritjen e kërcënimeve dhe pasigurisë.

Zyra e presidentit tha se Netanyahu “ka dëshmuar edhe një herë se është kërcënimi më i madh për sigurinë e rajonit”.

Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet midis Izraelit dhe vendeve fqinje vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon zgjidhje për konfliktet e fundit në Lindjen e Mesme.

Komisioni Europian gjobit 400 mln euro Greqinë për mashtrim me subvencionet bujqësore

Komisioni Europian i vendosi Greqisë një gjobë të lartë prej gati 400 milionë eurosh për dështimin në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë dhe për kontroll të pamjaftueshëm, raporton sot portali Politiko.

Brukseli ka urdhëruar Athinën të paguajë 392.2 milionë euro nga fondet e BE-së për shkak të dështimeve sistemike në menaxhimin e subvencioneve të BE-së për bujqësinë në periudhën nga viti 2016 deri në vitin 2023.

Agjencia greke përgjegjëse për mbikëqyrjen e subvencioneve të BE-së është akuzuar gjithashtu për kryerjen e pagesave pa kontrolle ose inspektime të mjaftueshme në terren

Vendimi për gjobën pasoi një skandal të madh rreth mashtrimit në lidhje me fermat greke, i cili është objekt i një hetimi nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO), kujton Politiko.

EPPO po heton dhjetëra raste ku qytetarët grekë kanë marrë fonde bujqësore të BE-së të destinuara për të zhvilluar kullota që nuk i zotëronin ose nuk i kishin marrë me qira, ose për aktivitete bujqësore në të cilat nuk ishin angazhuar kurrë, duke i privuar kështu fermerët e vërtetë nga paratë që meritonin.

Qeveria greke njoftoi muajin e kaluar se do të mbyllte agjencinë shtetërore për mbikëqyrjen e subvencioneve bujqësore, OPEKEPE, e cila është nën hetim.

Deputeti PS, Plarent Ndreca,paraqitet ne SPAK

Deputeti i Partisë Socialiste, Plarent Ndreca, u paraqit në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në seancën e parë gjyqësore ndaj tij, pasi SPAK e ka akuzuar zyrtarisht. Ndreca, i cili nuk arriti të rizgjidhet në zgjedhjet e 11 Majit, akuzohet për keqpërdorim të tenderave gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Brendshme.

Sipas SPAK, ai bashkëpunoi me zyrtarë të tjerë të ministrisë për të favorizuar Gjon Radovanin, duke e shpallur fitues të një tenderi për rikonstruksionin e katër komisariateve.

Hetimet tregojnë se Ndreca dhe bashkëpunëtorët e tij i dhanë përparësi Radovanit gjatë gjithë procesit të prokurimit dhe në fund i dhanë kontratën bashkë me kompaninë tjetër Derbi-E shpk, megjithëse ajo nuk përmbushte kushtet ligjore.

Nga dokumentet rezulton se Radovani është mik me ish-ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj, me të cilin ka pasur komunikime, dhe kjo miqësi mund të ketë ndikuar që kompania e tij të fitonte tendera pranë Ministrisë së Brendshme.

Gjithashtu, nga hetimet dalin emaile mes Radovanit, i cili ka qenë edhe konsulent për këtë tender në Ministrinë e Brendshme, dhe Ndrecës, në të cilat diskutohen detaje për ambientet e komisariateve në Vlorë, Pogradec dhe Mirditë, që ishin planifikuar për rikonstruksion.

Gjykata e Fierit shtyn seancën për ish-deputetin e PD, Ervin Salianji

Pas përfundimit të seancës avokati i ish- deputetit demokrat Ervin Salianji, Ledio Braho , në një prononcim për mediat ka pohuar se seanca është shtyrë disa ditë pasi IEVP Fier, nuk kishte dërguar raportin e vlerësimit .

“Besoj se do të ketë dy seanca deri në marrjen e një vendimi ka thënë Braho dhe ka pohuar se është në të drejtën e tij për të fituar lirinë , edhe pse nuk bëjmë dot orakullin për proceset gjyqësore në Shqipëri”, tha ai.Salianji u shpall fajtor me vendim të formës së prerë për kallëzim të rremë nga gjykata e Apelit për dosjen ‘Babale’, duke e dënuar me 1 vit burg.

Ai e cilësoi procesin si të montuar dhe e quajti veten një të dënuar politik. Në muajin mars, Gjykata e Lartë i rrëzoi rekursin kundër dënimit me 1 vit burg.

Deri më 15 shtator kufizohen nga policia mjetet e rënda në fundjavë dhe ditët e pushimit zyrtar

Për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë sezonit veror 2025, Policia e Shtetit ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan të detajuar masash. Ky plan synon sigurinë në zonat bregdetare, liqenore dhe lumore, lehtësimin e qarkullimit në pikat e kalimit kufitar, parandalimin e aksidenteve rrugore dhe veprimtarive kriminale, zbatimin e orarit të ndalimit të muzikës dhe mbrojtjen e mjedisit dhe zonave turistike.

Këtë vit shërbimi 12-orësh do të aplikohet vetëm në zonat bregdetare dhe Në ndihmë të policive vendore do të dërgohen shërbime shtesë, që do të kompensohen sipas legjislacionit përkatës.

Në funksion të planit janë vënë në dispozicion ndër të tjera punonjës policie me biçikleta që patrullojnë në plazhe, njësia Policore Detare për kontrollin dhe ndëshkimin e lundrimeve të rrezikshme brenda zonave të ndaluara, si dhe dronë që do të përdoren për kontrollin e perimetrit të sigurisë në plazhe, si dhe për evidentimin dhe ndëshkimin e shkeljeve rrugore.

Njëkohësisht, janë shtuar patrullat në zonat turistike për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për garantimin e lëvizjes së lirë të automjeteve. Nga 16 qershori deri më 15 shtator 2025, do të kufizohet qarkullimi i mjeteve të rënda për transport mallrash në fundjavë dhe në ditët e pushimit zyrtar.

Gjithashtu, do të ushtrohen kontrolle për zbatimin e orarit të muzikës dhe ndëshkimin e shkelësve të nivelit të zhurmës. Tashmë, punonjësit e Policisë janë pajisur me aparate të matjes së zhurmave.

Ndërkohë, krahas planit të masave, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar ngritjen e grupeve të monitorimit të shërbimeve në terren, për zbatimin rigoroz të Kodit të Etikës, nga çdo punonjës policie, në komunikim dhe në veprim.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo paligjshmëri në numrin pa pagesë 112.