Protesta e opozitës, ambasada e SHBA thirrje qytetarëve amerikanë: Shmangi vendet ku zhvillohet tubimi

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një njoftim zyrtar për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e planifikuar të mbahet nesër, në orën 18:00 në Tiranë nga Partia Demokratike.

Sipas njoftimit, protesta pritet të zhvillohet përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin mes Sheshit “Skënderbej” dhe Sheshit “Nënë Tereza”, me grumbullimin e protestuesve pranë godinës së Kryeministrisë. Nuk përjashtohet mundësia që tubimi të shtrihet edhe në zona të tjera përreth.

Ambasada thekson se pritet prani e shtuar e Policisë së Shtetit, mbyllje rrugësh dhe bllokime të qarkullimit në orët para dhe gjatë zhvillimit të protestës. Sipas autoriteteve shqiptare, protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime të ndryshme në qendër të qytetit.

Personeli i Ambasadës Amerikane është këshilluar të shmangë zonën e protestës, ndërsa qytetarëve amerikanë u rekomandohet të ndjekin mediat lokale dhe udhëzimet e autoriteteve ligjzbatuese për informacione të përditësuara.

Në njoftim theksohet se edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh nisin në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt. Për këtë arsye, Ambasada këshillon shmangien e zonave ku zhvillohen protesta dhe qëndrim vigjilent për sigurinë personale.

Mes rekomandimeve për qytetarët amerikanë janë:

-Shmangia e pjesëmarrjes apo pranisë në protestë

-Vëmendje ndaj rrethinës

-Kufizimi i shpërqendrimeve si përdorimi i telefonit apo kufjeve në ambiente publike

-Ndjekja e mediave lokale

-Pasja e një plani emergjence ose strategjie daljeje

-Mbajtja e një profili të ulët në publik

Ambasada nënvizon rëndësinë e marrjes së masave paraprake për sigurinë personale gjatë kësaj periudhe.

Këshilli Bashkiak Fier miraton rritjen e pagave me 2,5% për administratën

Këshilli Bashkiak i Fierit ka miratuar rritjen e pagave për administratën vendore, në zbatim të vendimit të Keshillit te Ministrave për indeksimin e pagave me 2.5 për qind.

Vendimi vjen si pjesë e politikës së përgjithshme të indeksimit të pagave në sektorin publik dhe synon të kompensojë efektet e inflacionit, duke përmirësuar të ardhurat e punonjësve të administratës së Bashkise Fier. Kunder ketij vendimi ka dale keshilltari i opozites ILIA FILI sipas te cilit ky vendim i miratuar ne kete periudhe do te tingellonte keq per shtresen e pensionisteve te cilet kane pensione teper te uleta

Rritja do të zbatohet sipas kategorive përkatëse të administratës, në përputhje me aktet ligjore në fuqi

Procedime penale në Fier dhe Divjakë, shkelje në qarkullim, ndërtim pa leje dhe dëmtim prone publike

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për dy shtetas. Një 72-vjeçar u kap duke drejtuar një motomjet pa leje drejtimi dhe pa targa, ndërsa një 22-vjeçar, banues në Fier, u konstatua duke drejtuar automjetin pa leje drejtimi.

Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier kanë nisur procedim penal ndaj një shtetasi 55 vjeç, i cili u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse.

Në Divjakë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë referuar materialet në Prokurori për dy të mitur 15-vjeçarë, vëllezër, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar dyert e një shkolle në fshatin Çermë-Sektor.

Po ashtu, ditën e djeshme në Spitalin Memorial Fier është paraqitur për ndihmë mjekësore një 54-vjeçare, banuese në fshatin Imësht, Lushnjë, e cila dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga një karrocë pune. Ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po merr trajtim mjekësor.

Të gjitha materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Rama e shkarkoi nga Ministria e Jashtme, reagon me nje deklarate ,Elisa Spiropali

🇦🇱Dje përfundoi një detyrë, por jo një rrugëtim. Në jetën publike funksionet mbyllen me një vendim, ndërsa përgjegjësia vazhdon me ndërgjegjen.

Politika është një territor ku koha lëviz shpejt, por kujtesa lëviz ngadalë. Në fund ajo që mbetet nuk është posti që ke mbajtur, por mënyra se si e ke mbajtur atë dhe çfarë peshe i ke dhënë fjalës dhe qëndrimit tënd.

Shërbimi ndaj Shqipërisë për mua ka qenë dhe është i lidhur pazgjidhshmërisht me dashurinë për Shqipërinë, zgjedhje e vetëdijshme dhe jo aksident karriere, një akt besimi se vendi ynë mund dhe duhet të qëndrojë në anën e duhur të historisë, ashtu siç në momentet kyçe të saj Shqipëria ka ditur të zgjedhë orientimin perëndimor, edhe kur kjo zgjedhje ka qenë e vështirë. Nga koha kur rilindasit kërkonin dritë në Europë, te vendimi historik për anëtarësimin në NATO dhe rruga drejt Bashkimit Europian, projekti ynë kombëtar ka qenë gjithmonë projekt për t’u bërë pjesë e qytetërimit politik që ndërtoi shtetin e së drejtës, dinjitetin institucional dhe njerëzor.

Në këtë kuptim, detyra ime si Ministre e Jashtme nuk ishte thjesht funksion, por vazhdim i një narrative historike që e sheh Shqipërinë si pjesë të pandashme të Perëndimit politik.

I jam mirënjohëse Partisë Socialiste dhe Kryeministrit për besimin e dhënë ndër vite, sepse mirënjohja është kulturë politike dhe jo nënshtrim personal.
Ne kemi ndërtuar së bashku një model që e ka zhvendosur Shqipërinë nga psikologjia e tranzicionit drejt normalitetit europian, duke zgjedhur reforma kur ishte më e lehtë të zgjidhej kompromisi me mediokritetin dhe duke zgjedhur përgjegjësinë kur populizmi ofronte duartrokitje të shpejta. Ky model nuk është i përsosur, por është i qartë në orientim dhe i vendosur në qëllim.

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se politika nuk është zotërim apo pronësim, por kujdestari e përkohshme. Institucionet janë më të mëdha se individët, por janë individët ata që u japin atyre frymë, ton dhe karakter. Në çdo funksion që më është besuar, si deputete, kryetare Kuvendi e ministre, kam zgjedhur të jem zë me bindje dhe jo jehonë pa peshë, sepse dinjiteti i shtetit mbrohet jo vetëm me marrëveshje e dokumente, por me qëndrimin që mban kur përfaqëson flamurin tënd përballë të tjerëve. Në Europën politike, nga De Gasperi te Schuman, modeli që mbeti ishte ai i burrështetasit që ndërton mbi parime dhe jo mbi kalkulime afatshkurtra, dhe ky mbetet edhe për mua standardi ideal i shërbimit publik.

Vendimet politike janë pjesë e një vizioni më të gjerë dhe si të tilla respektohen, por historia personale e secilit prej nesh nuk matet me kohëzgjatjen e një mandati, as me fuqinë e përkohshme politike, por me gjurmën që lë në kulturën politike dhe morale të vendit. Në histori, figurat që mbeten nuk janë ato që mbajnë më gjatë pushtetin, por ato që nuk relativizojnë kurrë karakterin, sepse dinjiteti nuk është dekoratë ceremoniale, por qëndrueshmëri përballë kohës dhe aftësi për të mos u frikësuar as nga e kaluara, as nga e ardhmja.

Socialistëve u detyrohem gjithmonë besnikëri ndaj idealeve dhe jo ndaj komoditetit, sepse e majta europiane që kemi synuar të ndërtojmë në Shqipëri nuk është retorikë, por përpjekje për drejtësi sociale, shtet funksional dhe integrim të pakthyeshëm në Bashkimin Europian. Këto janë busulla që nuk ndryshojnë me rrethanat dhe nuk zbehen me rotacionin e detyrave.

Forca e një projekti politik matet nga aftësia për të prodhuar modele që qëndrojnë edhe kur rrethanat ndryshojnë, sepse modelet nuk rrëzohen me dekrete, ato provohen me kohën.

Shqipëria është më e rëndësishme se çdo rol dhe Partia është më e rëndësishme se çdo individ, por dinjiteti personal mbetet themeli mbi të cilin ndërtohet çdo shërbim publik i ndershëm dhe i qëndrueshëm. Në këtë kuptim, për mua përfundimi i një detyre nuk është tërheqje, por vazhdim i angazhimit me të njëjtën bindje dhe të njëjtën përgjegjësi.

Mesazhet tuaja më të shumta në largim, se në marrjen e detyrës, ma përforcojnë detyrimin dhe vendosmërinë për të dhënë më shumë.

Sepse pozicionet janë kalimtare, ndërsa gjurma është zgjedhje e vetëdijshme.

Ulqini bëhet qendër e spektaklit madhështor kushtuar Shën Terezës

Ngjarja më e madhe televizive kushtuar figurës së Shën Terezës do të zhvillohet këtë vit në Ulqin, duke sjellë një mbrëmje të veçantë artistike dhe shpirtërore, të mbushur me emocione dhe mesazhe humanizmi.

Publiku do të ndjekë spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, një homazh për figurën shqiptare që u kthye në simbol botëror të dashurisë, përkushtimit dhe shërbimit ndaj njeriut, veçanërisht ndaj më të dobëtve.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ulqin do të ngjiten 14 personalitete të biznesit dhe humanistë shqiptarë nga e gjithë bota, të cilët përmes veprës dhe angazhimit të tyre mishërojnë vlerat që përfaqëson Shën Tereza.

Producenti dhe prezantuesi Sokol Guga sjell këtë vit një spektakël të konceptuar ndryshe, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë nga Kosova dhe diaspora, të cilët pritet të krijojnë emocione të forta për publikun. Çdo element skenik do të jetë në funksion të mesazhit universal të dashurisë dhe humanizmit.

Skenografia i është besuar Bledar Gërcaliut, ndriçimi Olsi Tufës, audio Andri Gjinit, grafikat Taulant Hyso me stafin e tij, ndërsa drejtimi artistik realizohet nga regjisori Armelin Llanaj. Organizatorët garantojnë një produksion dinjitoz dhe spektakolar.

Pas suksesit të vitit të kaluar në Luginën e Preshevës, spektakli zhvendoset këtë vit në Ulqin, duke sjellë një homazh artistik që dëshmon se figura e Shën Terezës vazhdon të frymëzojë breza të tërë dhe mbetet më aktuale se kurrë.

Spektakli zhvillohet nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

Dënohen me nga 25 vite burg dy autorët në Fier me akuzen për tentativë vr*sje për hakm*rrje

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka dhënë dënime të rënda për Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të cilët u gjetën fajtorë për një tentativë atentati dhe për mbajtje të paligjshme të armëve. Sipas vendimit gjyqësor, të dy do të vuajnë gjithsej 50 vite burg.

Ngjarja ka ndodhur më 30 mars 2023, kur ndaj Marius Hasallës u organizua një atentat si pasojë e një gjakmarrjeje familjare. Gjatë sulmit, i plagosur mbeti halla e tij, Bajame Seneja, pasi të dy ndodheshin në të njëjtin automjet.

Prokuroria ka konstatuar se Laert Hasalla ka qenë porositësi i atentatit, me qëllim eliminimin e Marius Hasallës. Motivi lidhej me hakmarrjen e vrasjes së Romeo Hasallës, vëllait të Laert Hasallës, nga i ati i Marius Hasallës.

Të akuzuarit u gjykuan për veprat penale: “Vrasja në rrethana cilësuese, kryer në bashkëpunim dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjykata vendosi masa të rrepta, duke theksuar rrezikshmërinë e veprimeve dhe ndikimin e tyre në sigurinë publike.

VENDIMI
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u shpallën fajtorë dhe u dënuan me 25 vite burgim, shtetasit Laert Hasalla dhe M.M. për veprat penale ‘Vrasja në rrethana cilësuese’ në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79, gërma ‘ë’, 25 dhe 22 të Kodit Penal dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal. 

Në përfundim të hetimit dhe gjykimit mbi procedimin penal nr. 150/2023, me të pandehur shtetasit L. H. dhe M.M. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të përgjithshëm, Fier arriti të provojë se i pandehuri L.H., me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij R.H., ka bashkëpunuar me të pandehurin M.M., të cilit i ka porositur eleminimin fizik të shtetasit M.H. Në datë 30.03.2023, rreth orës 16.00, në vendin e quajtur “Pisha”, fshati Garunjë, Lushnjë, i pandehuri M.M., pasi është informuar mbi targën e automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi R.H., ka siguruar armën e zjarrit e ka përgatitur vendin nga do shtinte, ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të këtij mjeti. Si pasojë e sulmit ka mbetur e plagosur shtetasja B.S., pasagjere në vendin e parë të mjetit. Shtetasi M.H., shënjestra e sulmit, ka kuptuar sulmin dhe ka shtuar shpejtësinë duke bërë të mundur largimin e mjetit.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, shpreh angazhimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

Sherr mes 2 të rinjve në Greqi, humb jetën 17-vjeçari shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korinth, ku një 17-vjeçar shqiptar ka humbur jetën pas një sherri me një të ri grek.

Sipas autoriteteve greke, shqiptari Aleks Vangjeli, është paraqitur në spital me plagë ne zonën e barkut. Fillimisht ai deklaroi se ishte përplasur me makinë.

Ai u dërgua me ambulancë drejt Athinës, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.

Në të njëjtën kohë në një klinikë private në Korinth u paraqit edhe një 19-vjeçar grek, po ashtu i lënduar me thikë, ku po ashtu deklaroi se është përfshirë në një aksident.

Ende nuk dihen shkaqet e përleshjes mes ty të rinjve, por dyshohet se mes tyre ka pas sherr për motive të dobëta.

Vizitë akademike në Spitalin Rajonal Memorial Fier, theksohet bashkëpunimi ndërkombëtar në shëndetësi

Spitali Rajonal Memorial Fier mirëpret Prof. Dr. Elias Mossialos, fokus te autonomia financiare dhe menaxhimi modern

Spitali Rajonal Memorial Fier zhvilloi një vizitë zyrtare me Prof. Dr. Elias Mossialos, një nga figurat më të njohura të shëndetit global dhe drejtues akademik në London School of Economics.

Gjatë takimit u diskutua ecuria e spitalit, objektivat strategjikë për vitin 2026, si dhe përvoja e Memorial-it si model referimi për zbatimin e autonomisë financiare në sistemin spitalor. U theksua rëndësia e menaxhimit modern dhe e qëndrueshmërisë financiare si elementë kyç për rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore.

Vizita u konsiderua një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimit të ekspertizës profesionale në fushën e shëndetësisë.

Drejtuesit e Spitalit Rajonal Memorial Fier shprehën mirënjohje për vizitën dhe kontributin e dhënë, duke riafirmuar angazhimin për standarde të larta dhe shërbime cilësore për qytetarët.