Irani publikon video me tunele dronësh, mesazh propagandistik pas sulmeve SHBA–Izrael

Irani ka publikuar një video ku pretendon se shfaqen tunele nëntokësore të pajisura me dronë dhe armë të Gardës Revolucionare, të cilat sipas autoriteteve iraniane janë përdorur për të goditur baza amerikane në rajon.

Pamjet janë shpërndarë nga Agjencia e Lajmeve Fars, e lidhur me shtetin iranian, dhe tregojnë rreshta dronësh të vendosur brenda tuneleve nëntokësore, si edhe mbi raketahedhës. Në muret e ambienteve shihen flamuj iranianë dhe fotografi të Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei.

Në video shfaqen gjithashtu pamje të lëshimit të raketave dhe dronëve nga zona të ndryshme, që sipas Fars synojnë “baza amerikane”. Megjithatë, nuk ka konfirmim të pavarur mbi objektivat reale apo efektet e këtyre sulmeve.

Publikimi i videos, e realizuar me cilësi të lartë, shihet si pjesë e fushatës propagandistike të Iranit pas sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj objektivave në territorin iranian.

Autoritetet nuk kanë sqaruar se kur dhe ku janë filmuar pamjet, as nëse dronët dhe raketat e shfaqura në video janë përdorur realisht në ndonjë kundërpërgjigje konkrete ndaj sulmeve të fundit. Autenticiteti dhe konteksti i plotë i pamjeve mbeten të paqarta.

Rikthehet parkimi me pagesë në Vlorë, përfshihen 20 rrugë dhe sheshe

Screenshot

Në VLORE është rikthyer parkimi me pagesë, duke përfshirë 20 rrugë dhe sheshe të qytetit. Sipas hartës së re të miratuar, në shumicën e akseve kryesore do të aplikohet një tarifë bazë, ndërsa në sheshe do të ketë tarifë të diferencuar.

Masa synon të rregullojë qarkullimin dhe menaxhimin e hapësirave të parkimit, veçanërisht në zonat më të frekuentuara të qytetit. Megjithatë, rikthimi i parkimit me pagesë ka hapur debat mes qytetarëve.

Shumë drejtues mjetesh shprehen kundër këtij vendimi, duke argumentuar se gjendja e infrastrukturës në disa prej rrugëve të përfshira nuk është ende në standardet e duhura. Sipas tyre, pagesa për parkim duhet të shoqërohet me përmirësime konkrete në asfaltim, sinjalistikë dhe organizim të hapësirave.

Nga ana tjetër, autoritetet lokale shprehen se skema e re do të sjellë më shumë disiplinë në parkim dhe do të ndihmojë në uljen e trafikut në zonat urbane. Debati pritet të vijojë edhe në ditët në vijim.

Largohet nga detyra Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda

Ilir Proda është larguar nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Burimet, bëjnë me dije se Ilir Proda nuk do të jetë me Drejtor i Përgjithshëm i Policisë. Mësohet se arsyetimi pas shkarkimit të Prodës është mos garantimi i rendit dhe sigurisë gjatë protestës së opozitës, duke rrezikuar jetën e shtetasve të huaj.

Sipas burimeve, Sokol Bizhga komandohet në krye të uniformave blu.

Ambasada e Francës në Shqipëri dënon s*lmin ndaj Vilës 31

Screenshot

Ambasada e Francës në Shqipëri ka dënuar sulmin e fundit ndaj Vila 31 e Enver Hoxhës – Fondacioni Art Explora, duke e cilësuar atë si një akt dhune të papranueshëm.

Në një reagim, ambasada thekson se Vila 31, që prej vitit 2025, shërben si rezidencë për artistë ndërkombëtarë dhe si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës, nën menaxhimin e një fondacioni francez.

Ambasada nënvizon se vënia në rrezik e rezidentëve dhe se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret si justifikim për dhunë.

Arrestime dhe procedime penale nga Policia e Fierit

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin E. Ç., 28 vjeç, banues në fshatin Zhupan, Fier, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos arrestuan shtetasin M. P., 33 vjeç, banues në Patos, për të njëjtën vepër penale, thyerjen e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit M. Ç., 33 vjeç, dhe A. K., 27 vjeç, të dy banues në Patos, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe iu sekuestrua një sasi lënde e dyshuar narkotike, kanabis.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një shtetas të mitur 13-vjeç, pasi drejtonte automjetin pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Eurostat:Në 4 vitet e fundit nga Shqipëria kanë ikur të paktën 180 mijë persona

Rreth 44 mijë shqiptarë kanë emigruar në vendet e Bashkimit Europian në vitin 2024, sipas të dhënave që u bënë të ditura sot nga Eurostat, në statistikat e imigracionit në BE.

Tendenca ka shënuar rënie në krahasim me periudhën 2022-2023, kur janë konstatuar dhe ritmet më të larta të emigracionit të dekadës së fundit, me rreth 50 mijë persona në vit përkatësisht, por gjithsesi ritmet mbeten më të larta në krahasim me para pandeminë, me përjashtim të 2015-s, kur ishte dhe viti me një rekord kërkesash për azil dhe që ishte fillimi i një cikli të ri emigracioni në vend. (shiko grafikun). Duhet përmendur që këto të dhëna nuk përfshijnë Greqinë, që mbetet një destinacion kryesor për emigrantët.

Që nga viti 2010, në vendet e Bashkimit Europian janë regjistruar 460 mijë emigrantë të rinj nga Shqipëria, duke treguar për një cikël të ri masiv emigracioni, në raport me popullsinë e vendit, që tashmë ka zbritur në 2.36 mijë banorë, nga 2.8 milionë banorë që ishte në Censin e vitit 2011.

Vetëm pas pandemisë, në 4 vjet, për periudhën 2021-2024, nga vendi kanë ikur të paktën 180 mijë persona dhe këtu nuk përfshihen të dhënat e Greqisë dhe as Mbretërisë së Bashkuar, me këtë të fundit që pa një valë ikjesh që kulmoi në 2022-n.

Sipas Eurostat, destinacioni kryesor në 2024-n ishte Italia, me gati 28 mijë emigrantë në 2024-n, nga 29-30 mijë dy vitet e mëparshme.

Në vend të dytë është Gjermania, që vitet e fundit është bërë një magnet për profesionistët, kryesisht mjekë infermierë e specialistë të teknologjisë së informacionit, me gati 12 mijë emigrantë të regjistruar në 2024-n.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2024, rreth 4.2 milionë emigrantë mbërritën në BE nga vende jashtë BE-së, ndërsa 1.5 milionë persona që jetonin më parë në një shtet anëtar u zhvendosën në një tjetër vend të BE-së. Këto shifra nuk përfshijnë refugjatët nga Ukraina nën mbrojtje të përkohshme për disa vende. Nga ana tjetër, rreth 3.2 milionë persona emigruan drejt një vendi tjetër të BE-së ose jashtë saj. Prej tyre, rreth 1.6 milionë u raportua se u larguan nga një shtet i BE-së për të emigruar në vende jashtë BE-së.

Për krahasim, në vitin 2023 u vlerësua se rreth 4.4 milionë emigrantë mbërritën në BE nga vende jashtë saj dhe 1.5 milionë persona që jetonin në një shtet anëtar u zhvendosën në një tjetër vend të BE-së. Po atë vit, rreth 1.5 milionë persona emigruan nga BE drejt vendeve jashtë saj.

Në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, numri i emigrantëve që mbërritën nga vende jashtë BE-së në vitin 2024 ishte më i lartë se numri i emigrantëve që vinin nga vende të tjera të BE-së. Përjashtim bënin vetëm Luksemburgu (ku 85.5% e emigrantëve vinin nga vende të tjera të BE-së) dhe Rumania (56.0%).

Përqindjet më të larta të emigrantëve nga vende jashtë BE-së u regjistruan në Çeki (87.0%), Itali (86.2%) dhe Spanjë (84.5%). 

Burmi: Monitor

Lufta mes Iranit dhe Izraelit “tr*ndit” tregjet/ Ngrihet çmimi i naftës

Tensionet e fundit në Lindjen e Mesme kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës, duke e çuar Brent drejt niveleve më të larta në muajt e fundit, ndërsa investitorët largohen nga asetet me rrezik, duke bërë që Bitcoin të bjerë ndjeshëm. Ekspertët paralajmërojnë se pasiguria gjeopolitike dhe frika nga ndërprerjet e furnizimit global po ndikojnë menjëherë në tregjet energjetike dhe kripto.

Çmimet e naftës bruto janë në nivelet më të larta në muajt e fundit, pasi tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë rritur, me tregjet që po përballen me rrezikun e ndërprerjeve të furnizimit, çka mund të çojë Brent deri në rreth 80 dollarë për fuçi, nëse ka ndërprerje serioze në furnizim. Kjo pasqyron pasigurinë e tregjeve mbi furnizimin global të naftës pas bisedimeve bllokuar për programin bërthamor iranian dhe rritjen e pranisë së SHBA-së në rajon. Irani ka paralajmëruar gjithashtu në të kaluarën të mbyllë kalimin e rëndësishëm detar ‘Ngushticën e Hormuzit’, në rast se sulmohet, një kufizim ky që do të trondiste rëndë tregtinë e naftës dhe do të çonte në rritje të çmimeve.

Ndërkohë, Bitcoin është duke rënë ndjeshëm, duke u tregtuar nën 64,000 dollarë, pasi investitorët largohen nga asetet me rrezik gjatë fluksit të tensioneve gjeopolitike dhe raportimeve për sulme ushtarake në Iran. Kjo lëvizje pasqyron një sentiment ‘risk‑off’ në tregje ku kriptomonedhat si Bitcoin humbasin vlerë ndërsa kërkohet siguri.

Rama për shkarkimet në qeveri: Lëvizje të planifikuara, Balluku u largua për rrethana të jashtme

Kryeministri Edi Rama ka folur për valën e fundit të ndryshimeve në kabinet gjatë podcastit të tij Flasim, ku u ndal veçanërisht te largimi i ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Rama sqaroi se gjatë mbledhjes së zgjeruar mujore të grupit parlamentar të PS ka trajtuar raportin mes politikës dhe drejtësisë, duke e cilësuar këtë fazë si pozitive, por ende me nevojë për përmirësime të mëtejshme.

Ai theksoi se deputetëve u ka prezantuar edhe planin e ndryshimeve në qeveri, të cilat sipas tij janë pjesë e një qasjeje të re të shpallur që në fillim të mandatit aktual. Kryeministri i krahasoi lëvizjet në kabinet me ndryshimet në një ekip sportiv, duke nënvizuar se riformatimi dhe përshtatja janë të domosdoshme për funksionimin e skuadrës.

Sa i përket Ballukut, e cila po hetohet nga SPAK, Rama tha se largimi i saj lidhet me rrethana specifike dhe jo me performancën në detyrë. Sipas tij, në kushte të tjera, ajo nuk do të ishte larguar, pasi rezultatet e saj në punë i cilësoi si “të jashtëzakonshme”.

Kreu i qeverisë bëri me dije se për këtë çështje ka folur shkurtimisht në mbledhjen e grupit parlamentar, ndërsa paralajmëroi se do të mbajë një qëndrim më të detajuar pasi të njihet me raportin e Këshillit të Mandateve.