Rudina Degjoni – profil i një administratoreje te suksesshme në krye të Spitalit Memorial Fier

Screenshot

Drejtimi i një spitali modern si Spitali Memorial Fier kërkon jo vetëm përgatitje profesionale, por edhe vizion, aftësi menaxheriale dhe ndjeshmëri njerëzore.

Në këtë kontekst, Rudina Degjoni është shndërruar në një figurë kyçe e administrimit shëndetësor në nivel rajonal, duke ndërtuar një model drejtimi të bazuar në eficiencë, bashkëpunim dhe shërbim ndaj qytetarit.

Që prej marrjes së detyrës si drejtoreshë, ajo ka pasur përballë sfida të shumta: konsolidimin e strukturave administrative, koordinimin e stafit mjekësor dhe infermieror, si dhe garantimin e funksionimit të pandërprerë të shërbimeve spitalore për një territor të gjerë që përfshin Fierin dhe gjithë jugun e vendit.

Përmes një qasjeje të organizuar dhe vendimmarrjeje të matur, Spitali Memorial Fier ka arritur të përballojë flukse të larta pacientwsh, duke u shndërruar në një hallkë të rëndësishme të sistemit shëndetësor publik.

Një nga pikat më të forta të drejtimit të Rudina Degjonit është aftësia për të krijuar ura bashkëpunimi mes administratës dhe stafit shëndetësor. Ajo ka promovuar një kulturë pune ku profesionalizmi, përgjegjësia dhe respekti për pacientin janë parime themelore.

Ky bashkwpunim ka ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, në menaxhimin më të mirë të burimeve dhe në rritjen e besimit të qytetarëve ndaj institucionit.

Në aspektin administrativ, drejtimi i saj është karakterizuar nga vëmendja ndaj standardeve, transparencës dhe eficiencës.

Menaxhimi i proceseve, organizimi i shërbimeve dhe përballimi i situatave të ngarkuara, sidomos në periudha me fluks të shtuar pacientësh, janë trajtuar me një qasje profesionale dhe pragmatike.

Kjo ka bwrë që spitali të funksionojë jo thjesht si një strukturë shërbimi, por si një institucion i besueshëm për komunitetin.

Po aq e rëndësishme është edhe dimensioni njerëzor i drejtimit të saj. Rudina Degjoni është perceptuar si një drejtuese e pranishme në terren, e hapur ndaj problematikave dhe e ndjeshme ndaj nevojave të pacientëve dhe familjarëve të tyre. Ky komunikim i drejtpërdrejtë ka ndikuar në krijimin e një klime më pozitive brenda spitalit dhe në forcimin e lidhjes mes institucionit dhe qytetarëve.

Në një realitet ku shëndetësia përballet me sfida të vazhdueshme, drejtimi i Spitalit Memorial Fier nga Rudina Degjoni përfaqwson një shembull se si administrimi i mirë dhe lidershipi i përgjegjshëm mund të sjellin rezultate konkrete. Kontributi i saj ka ndihmuar mijëra pacientë nga Fieri dhe jugu i vendit të marrin shërbime cilësore, duke e pozicionuar këtë spital si një pikë referimi të rëndësishme në hartën e shëndetësisë shqiptare.

© NeoAlb

Ministri i Bujqësisë në terren në Levan: Mbështetje për blegtorët e prekur nga permbytjet e Vjoses

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ishte sot në terren në Levan të Fierit, ku inspektoi nga afër situatën e krijuar nga reshjet intensive dhe masat e marra për mbrojtjen e sektorit blegtoral.

Ministri u ndal pranë blegtorit Bledi Dorda, i cili mbarështon rreth 800 krerë bagëti të imta, të evakuuara në kohë falë koordinimit të strukturave vendore dhe shërbimeve përgjegjëse. Si pasojë e ndërhyrjes së shpejtë, nuk ka dëmtime në gjënë e gjallë.

Gjatë vizitës, ministri Salla garantoi se do të ofrohet mbështetje për bazën ushqimore, me qëllim sigurimin e vijimësisë së aktivitetit blegtoral dhe minimizimin e pasojave ekonomike për fermerët e prekur nga moti i keq.

“Prioriteti ynë është mbrojtja e gjësë së gjallë dhe garantimi i vazhdimësisë së punës së blegtorëve,” u shpreh ministri, duke theksuar se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Strukturat e emergjencave dhe institucionet përkatëse mbeten në gadishmëri, ndërsa u bëhet thirrje fermerëve të bashkëpunojnë dhe të raportojnë çdo problematikë. 

Situata në Qarkun Fier nën monitorim: Semani me prurje të larta, rreziku mbetet në disa zona të banuara

Situata hidrike në Qarkun Fier paraqitet aktualisht e qëndrueshme, por nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave civile. Sipas informacionit zyrtar të orës 08:00, datë 12 janar 2026, nuk raportohet asnjë dëmtim i infrastrukturës kritike, ndërsa akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa probleme, ndërkohë që hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Sa i përket lumenjve, prurjet në lumin Vjosë janë në kuota normale për këtë periudhë, me tendencë në ulje, ndërsa lumi Shkumbin është tërhequr brenda shtratit të tij.

Ndryshe paraqitet situata në lumin Seman, ku prurjet mbeten të larta përgjatë gjithë argjinaturës nga Lushnja, Roskoveci, Patosi dhe Fieri deri në grykëderdhje. Edhe pse lumi është tërhequr nga banesat dhe rrugët në fshatin Murriz (Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë), vijojnë të jenë të përmbytura qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në zonat Lushnjë, Roskovec–Patos dhe Fier.

Në fshatin Mbrostar, Bashkia Fier, uji ka përmbytur disa kasolle bagëtish dhe depozita bari të ndodhura brenda argjinaturës, ndërsa në fshatin Petov raportohet prezencë uji në oborrin e një banese. Autoritetet bëjnë me dije se rreziku nuk është larguar ende për zonat e banuara përgjatë lumit Seman, konkretisht në fshatrat Belinë, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gërçalli dhe Petov.

Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.

Tiranë-Durrës, korsitë e reja hapen këtë muaj 

“Korsitë e reja të autostradës Tiranë – Durrës, në segmentin që nis pas kthesës së Kamzës dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit parashkohet të hapen për qarkullimin e automjeteve brenda muajit janar”. Gjithçka u bë me dije nga përgjegjësi i Manaxhimit të Kontratave, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar Gëzim Noni

“Si kontrata pritet të hapen për qarkullim të lirshëm të automjeteve shumë shpejt, pavarësisht se njëra prej tyre e ka afatin deri në maj të këtij viti që sapo ka filluar dhe tjetra e ka në shtator të këtij viti. Por, për qarkullimin do të jenë të hapura shumë më përpara. Kuptohet duke bërë pjesën tjetër të përfundimit të punimeve, që nuk lidhen me trafikun. Nuk dua t’ju rrit pritshmëritë njerëzve, pasi janë sensitivë te kjo, por ne pretendojmë që brenda muajit që jemi të ndodhë kjo gjë. Sigurisht që do të varet shumë nga koha sepse një mot i ftohtë nuk e favorizon shtresën e asfaltit të fundit që ka ngelur sepse duke qenë me një trashësi relativisht të vogël është e ndjeshme ndaj temperaturave dhe lagështirës nëse do të kemi”, – tha Noni.

Noni foli edhe për fazën e tretë të punimeve, që përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me autostradën e zgjeruar, një zonë e karakterizuar nga zhvillim i lartë industrial dhe urban.

“Aktualisht që po flasim ka hyrë në zbatim edhe faza e tretë e këtij segmenti, i cili ka një pjesë të punimeve që duhet të përfshiheshin tek 2 të parat dhe vazhdimin deri tek ura e Limuthit, që shkon më tutje se dy lotet e para. Kontrata e tretë është nënshkruar gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2025 kështu që është në fillimet e veta, por që shpresojmë që brenda vitit që jemi do të kemi rezultate konkrete të saj”, – u shpreh Noni.

Ndërkaq, hapja për qarkullim e segmentit nga kthesa e Kamzës, deri në mbikalimin e Rinasit pritet të sjellë një përmirësim të trafikut, që në këtë zonë është tejet problematik.

“Në këtë drejtim presim shumë sepse është pjesa që është dalja kryesore e Tiranës në drejtim të veriut dhe veriperëndimit. Dalja e saj korrespondon me degëzimin e Rinasit, korrespondon me lidhjen e autostradës Thumanë – Kashar, një aks shumë i rëndësishëm i vënë në qarkullim kohët e fundit, vazhdimin për në Durrës dhe këtu bëhet një ndarje e trafikut, që del nga Tirana, që degëzohet të paktën në tre drejtime”, – tha Noni.

Pas përfundimit, autostrada do të ketë 8 korsi në total, nga 4 në secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar do të variojë nga 90 -140 km në orë.

SCAN-Tv -Inside News

Policia e Fierit: arrestime dhe procedime për aksident fatal, dr*gë, dh*në dhe mashtrim

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme për një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit E. P., 60 vjeç, ju informojmë se specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan drejtuesin e automjetit, shtetasin E. K., 34 vjeç, banues në fshatin Fiershegan, Lushnjë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. V., 30 vjeç, banues në Lushnjë, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet dhe sekuestrua një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike, kanabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin V. O., 42 vjeç, banues në Lushnjë, pasi për motive të dobëta ka goditur me grushte një shtetas.

Po këta specialistë shpallën në kërkim shtetasin T. Gj., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se, nëpërmjet mashtrimit, i ka marrë një shtetasi një shumë parash. Po punohet për kapjen e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
• F. M., 43 vjeç, banues në fshatin Aranitas, pasi dyshohet se ka zaptuar një sipërfaqe toke në pronësi shtetërore;
• F. M., 43 vjeç, banues në Ballsh, pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj kunatit të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Patos referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin I. R., 47 vjeç, banues në Patos, pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Lumi Seman del nga shtrati, përmbytje në fshatin Mbrostar

Capture

Lumi Seman ka dalë nga shtrati në fshatin Mbrostar, duke shkaktuar përmbytje dhe dëme të konsiderueshme në zonë. Si pasojë e rritjes së nivelit të ujit, janë përmbytur stalla bagëtish dhe pulari.

Në zonën e prekur ka qenë i pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili ka zhvilluar takime me fermerët e dëmtuar. Banorët kanë shprehur shqetësimin për situatën dhe kanë kërkuar ndihmë urgjente nga shteti për nxjerrjen e bagëtive nga uji dhe për minimizimin e dëmeve të mëtejshme.

Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa pritet angazhimi i strukturave përkatëse për ndërhyrje në terren dhe mbështetje të fermerëve të prekur nga përmbytjet.

Situata e përmbytjeve në qarkun Fier, 11 janar 2026

Qarku Fier | Informacion zyrtar

Aktualisht në qarkun Fier nuk ka reshje shiu, ndërsa situata hidrologjike vijon të monitorohet nga strukturat përkatëse.

Sipas të dhënave të orës 08:00, nuk raportohet asnjë dëmtim i infrastrukturës kritike. Akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është në normalitet. Hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.

Ndërkohë:

  • Prurjet në lumin Vjosë vijojnë të jenë në kuota të larta, por me tendencë rënieje, sipas matjeve nga ura e Memaliajt.
  • Po vazhdon tërheqja e ujërave drejt Hidrovorit të Darëzezës nga tokat bujqësore të përmbytura si pasojë e daljes së Vjosës nga shtrati.
  • Lumi Seman paraqet prurje të larta dhe ka dalë nga shtrati në fshatin Murriz, Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë, duke sjellë prani uji në oborret e banesave.
  • Po ashtu, Semani ka përmbytur qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në zonat Roskovec–Patos dhe Fier.
  • Lumi Shkumbin ka dalë nga shtrati në fshatin Thanasaj, duke kaluar nivelin e argjinaturës dhe duke prekur rreth 20 banesa.

Në terren ndodhen strukturat e Bashkisë Lushnjë, të cilat po shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të banorëve të prekur.

Situata mbetet nën monitorim të vazhdueshëm nga autoritetet përgjegjëse.

Prokurori i SPAK-ut, Belinda Balluku dhe “gjyqi” në panele i disa gazetarëve!


Nga Gazetar VLADIMIR MUÇAJ

Në një shtet të së drejtës, funksionimi i drejtësisë nuk mund dhe nuk duhet të kushtëzohet nga perceptimet mediatike, aq më pak nga debatet emocionale të paneleve televizive që shpesh e zëvendësojnë analizën juridike me retorikë politike. Rasti i znj. Belinda Balluku ka nxjerrë në pah një fenomen shqetësues: zhvendosjen e “gjykimit” nga sallat e gjykatave në studio televizive, ku disa gazetarë kanë marrë rolin e prokurorit, gjyqtarit dhe ekzekutuesit, pa asnjë përgjegjësi ligjore.

Është paradoksale dhe në të njëjtën kohë absurde mënyra se si një proces hetimor, ende i papërfunduar dhe pa një vendimmarrje gjyqësore përfundimtare, trajtohet si faj i provuar në opinionin publik. Media, e cila në parim duhet të informojë dhe jo të dënojë, në disa raste ka kaluar çdo kufi profesional, duke u bërë më e konsumuar dhe më pak e besueshme sesa vetë politika që pretendon të kritikojë.

Rregulli themelor i shtetit të së drejtës është i qartë: prokurori heton, mbledh prova dhe, nëse çmon se ka elementë të veprës penale, e dërgon çështjen në gjykatë. Vetëm gjykata ka kompetencën kushtetuese për të vlerësuar fajësinë ose pafajësinë e një individi. Deri në atë moment, çdo person gëzon prezumimin e pafajësisë, një parim ky themelor që nuk mund të cenohet nga titujt mediatikë apo nga opinionet personale të komentatorëve televizivë.

Në këtë kontekst, lind natyrshëm pyetja: si është e mundur që kërkohen masa izoluese ndaj znj. Balluku, ndërkohë që hetimi, sipas vetë deklarimeve, vijon ende në terren për mbledhjen e provave? Kjo qasje kontradiktore jo vetëm që krijon konfuzion në opinionin publik, por rrezikon të minojë besimin tek procesi i rregullt ligjor, duke i dhënë përparësi spektaklit mbi substancën juridike.

Opinioni publik i informuar, ai që e kupton funksionimin minimal të ligjit dhe institucioneve, pret që të prevalojë logjika juridike dhe jo interpretimet selektive apo emocionet e servirura në panele mediatike. Drejtësia nuk mund të administrohet nga studio televizive, as të diktohet nga qëndrime personale të individëve që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për pasojat e fjalës së tyre.

Mbështetja ndaj znj. Belinda Balluku në këtë fazë nuk është mbështetje politike, por mbrojtje e parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Është mbrojtje e prezumimit të pafajësisë, e ndarjes së pushteteve dhe e rolit ekskluziv të gjykatës për të dhënë drejtësi. Çdo devijim nga këto parime na afron më shumë me gjyqin popullor sesa me drejtësinë moderne që synojmë të ndërtojmë.

Si përfundim, drejtësia nuk ka nevojë për zhurmë, por për prova; nuk ka nevojë për panele, por për gjykata; nuk ka nevojë për opinione të nxituara, por për vendime të arsyetuara. Respektimi i këtyre parimeve është detyrim institucional dhe qytetar, sot për znj. Balluku dhe nesër për këdo tjetër. Vetëm kështu mund të pretendojmë se po ndërtojmë një shtet ku ligji sundon mbi emocionin dhe drejtësia mbi spektaklin.