Policia aksion në disa qytete të vendit, 25 në pranga

Policia e Shtetit ka zhvilluar një aksion të gjerë në disa qytete të vendit duke çuar në pranga 25 persona deri në këto momente ndërsa vijojnë kontrollet në baza të ndryshme.

Burime pranë Policisë së Shtetit konfirmuan se aksioni ka në shënjestër persona të dyshuar për çështje droge, armësh dhe persona në kërkim.

Njoftimi i Policise: 

Policia e Shtetit/Nis operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”.

Operacioni “Sundimi i ligjit”, në zbatim të planit operacional të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesë armë, municion ose drogë.

Në nisje të këtij operacioni u përfshinë 1852 punonjës policie, nga Forcat e Sigurisë Kombëtare, Reparti Special “RENEA”, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe strukturat e drejtorive vendore të Policisë.

Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, janë vënë në pranga 25 shtetas, nga të cilët:

✅️19 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar dhe 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, kryesisht për vepra penale kundër personit, pronës dhe në fushën e narkotikëve;
✅️5 shtetas janë arrestuar në flagrancë, për armë e drogë.

Gjithashtu, janë sekuestruar:

✅️gjithsej 9 armë, zjarri, sportive e gjahu, një mjet prerës dhe sasi e konsiderueshme municioni luftarak;
✅️lëndë narkotike cannabis sativa dhe kokainë, si dhe një shumë e konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Që prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, si rezultat i angazhimit maksimal të strukturave të Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin, për zbatimin e planit operacional të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe të atyre që mbajnë në banesa armë, municion dhe/ose drogë, ka nisur operacioni policor kombëtar i koduar “Sundimi i ligjit”.

Në rang kombëtar, deri në këto momente:

-Në Dibër është kapur një 26-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë, i akuzuar për vrasje dhe për grabitje me armë;

-19 shtetas të tjerë të kërkuar kombëtarisht: për tentativë për vrasje të dyfishtë në Shkodër; për plagosje të rëndë me dashje ose për armëmbajtje pa leje në Dibër; për llogari të SPAK-ut; në kuadër të megaoperacionit “Tempulli” (3 shtetas në Tiranë dhe 1 shtetas në Durrës); për raste të tjera në fushën e narkotikëve në qarqet Tiranë, Vlorë dhe Berat; për vjedhje në Tiranë dhe në Fier ose për veprimtari të tjera kriminale, janë kapur dhe janë vënë në pranga;

-3 armë zjarri (pushkë dhe 2 pistoleta), armë gjahu dhe municion luftarak janë sekuestruar nga Policia, në Dibër, Tiranë dhe në Fier. Të katër poseduesit e tyre janë vënë në pranga;

-61.5 gramë kokainë dhe 500 doza cannabisi janë sekuestruar në Tiranë dhe në Dibër, si dhe janë arrestuar në flagrancë 2 shtetasit që i posedonin lëndët narkotike, me qëllim shitjen.

Materialet procedurale për secilin rast i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme hetimore.

Operacioni “Sundimi i ligjit” vijon në të gjithë vendin.

Policia e Shtetit garanton qytetarët se është maksimalisht e angazhuar, për të vijuar aksionet dhe operacionet policore mbarëkombëtare, për përmbushjen e objektivave madhore: kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, të shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri, që janë rrezik potencial për të kryer ngjarje kriminale, si dhe të atyre që janë të implikuar në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

Ftojmë qytetarët që të bashkëpunojnë më shumë me Policinë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me ju mund të realizojmë përmbushjen e misioneve të Policisë së Shtetit, garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe të zbatimit të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.

Ngacmoi seksualisht një të mitur, arrestohet një 59-vjeçar 

Vihet në pranga një 59-vjeçar pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur në fshatin Pojan të Maliqit.

Arrestimi i A.S u bë ditën e djeshme nga komisariati i Maliqit. Sipas burimeve, bëhet me dije se i arrestuari ka ngacmuar me fjalë dhe ka përndjekur një vajzë 13-vjeçare, nxënëse shkolle.

Ka qenë e mitura që i ka treguar gjyshes së saj, e më pas në praninë edhe të psikologes së shkollës, kanë bërë denoncimin pranë policisë.

Këta të fundit kishin informacion për autorin, pasi konstatohej edhe si përdorues i alkoolit, dhe prej pak kohësh po mbahej nën mbikëqyrje nga ana e policisë.

Deputetët e PD-së mësyjnë në Komsionin për Çështjet Evropiane, nuk lejojnë zhvillimin e mbledhjes

Incident në orët e para të mëngjesit në mbledhjen e Komisionin për Çështjet Europiane. 

Deputetët e PD-së kanë kërkuar që komisioni të mbyllet, duke mos lejuar që mbledhja të vazhdojë.

Arrestohet në Turqi porositësi i pengmarrjes dhe vrasjes së Jan Prengës.

Arrestohet në Stamboll Dritan Rexhepi. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala. 

Rexhepi, i cilësuar si kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Siç raportojnë mediat turke, Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap gjatë një operacioni në Stamboll. Ministri i Punëve të Brendshme, Ali Yerlikaya tha se është konstatuar se Rexhepi ka hyrë në Turqi nga aeroporti i Stambollit me pasaportë kolumbiane të regjistruar në emrin e Benjamin Omar Perez Garcia.

Ndër të tjera ministri Yerlikaya, i cili njoftoi operacionin në llogarinë e tij në rrjetet sociale, deklaroi se policia e Stambollit arrestoi liderin e kartelit Rexhepi në Beylikdüzü si rezultat i ndarjes së informacionit me policinë italiane.

Ministri Yerlikaya tha: “Lufta jonë kundër tregtarëve të drogës dhe organizatave të krimit të organizuar do të vazhdojë të rritet me vendosmëri.”.

Ulje temperaturash, stuhi dhe rrebeshe shiu! Parashikimi i motit për sot

Për ditën e premte vendi ynë pritet të ndikohet nga kalimi i një fronti të ftohtë atmosferik shoqëruar me masa ajrore të lagështa me origjinë perëndimore.

Moti parashikohet fillimisht me kthjellime e vranësira në shtim deri të dendura. Pas orëve të mesditës mot i vranët në të gjithë territorin shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave. Duke filluar nga orët e pasdites përgjatë ultësirës perëndimore reshjet në periudha afatshkurtra me intensitet deri të lartë. Këto reshje do të jenë në formën e stuhive të forta dhe rrebesheve si dhe problematike për një periudhë të shkurtër kohore. Në majat e maleve në lindje të territorit reshje të dobëta dëbore.

Era do të fryjë relativisht intensive me drejtim jugperëndim – juglindje dhe shpejtësi mesatare 3-11 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetarë dhe lugina era intensive dhe shpejtësi 14-22 m/sek shoqëruar me valëzim në dete të forcës 4-6 ballë.

Temperaturat parashikohen:

-në zonat malore 7 deri 10°C

-në zonat e ulëta 10 deri 19°C

-në zonat bregdetare 12 deri 18°C

Sekuestrohen 24 800 euro të padeklaruara në Kakavijë, procedohet penalisht 26-vjeçari

PKK Kakavije/Si rezultat i kontrolleve të detajuara nga shërbimet e Policisë Kufitare, goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. 

Sekuestrohen 24 800 euro, procedohet penalisht 26-vjeçari që nuk i deklaroi në dalje të RSh-së. 

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Kakavije, për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, krahas punës për ofrimin e një shërbimi cilësor dhe etik, qytetarëve në hyrje/dalje, është goditur një tjetër rast i mosdeklarimit të të hollave. 

Në bazë të analizës së riskut, në dalje të vendit, u kalua për kontroll në vijë të dytë, shtetasi S. T., në çantën e të cilit u gjetën 24 800 euro që ai po tentonte t’i nxirrte nga vendi ynë, pa i deklaruar siç e përcakton ligji. 

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. P., 26 vjeç, banues në Terihat, Dropull. 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Makina perplas motorcikleten , humb jeten drejtuesi i motorit

Një aksident me pasoje vdekjen ka ndodhur mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Qerret-Mali i Robit, në Kavajë.Një makinë është përplasur me një motoçikletë dhe si pasojë drejtuesi i motoçikletës, shtetasi F.D. ka humbur jetën në vend. Ndërsa shtetësja I.G., drejtuesja e makinës ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Sakaq grupi hetimor është në vendngjarje dhe po vijon punën për sqarimin e rrethanave të aksidentit fatal.

Njoftimi i Policisë:

Kavajë/Informacion paraprak

Në aksin rrugor Qerret-Mali i Robit, një automjet me drejtuese shtetasen I. G., është përplasur me një ciklomotor me drejtues shtetasin F. D, i cili ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Drejtuesja e automjetit shtetasja I. G, ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të shkakut të aksidentit.

Humb jetën 18-vjeçarja nga konsumimi i fostoksines

Një 18-vjeçare nga Kopliku i ka dhënë fund jetës, pasditen e kësaj të enjteje. Policia thotë se reja dyshohet se ka konsumuar fostoksinë dhe për pasojë ka humbur jetën. Grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Njoftimi i policisë: 

Mesditën e sotme, shtetasja 18 vjeçe, banuese në Koplik, dyshohet se ka pirë fostoksinë, e cila u dërgua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por rreth orës 17:00, ka humbur jetën.