Ministria e Mbrojtjes paralajmëron reshje të forta dhe shtrëngata në disa qarqe

Ministria e Mbrojtjes ka ngritur nivelin e vëmendjes për shkak të motit të paqëndrueshëm që pritet të përfshijë disa qarqe të Shqipërisë gjatë orëve të pasdites së sotme dhe përgjatë ditës së nesërme.

Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Shërbimit Meteorologjik Ushtarak (SHMU), parashikohen reshje shiu me intensitet të lartë në zona të izoluara, të shoqëruara me shtrëngata dhe fenomene të tjera atmosferike.

Në këtë situatë, strukturave të Mbrojtjes Civile dhe institucioneve përgjegjëse në nivel lokal dhe qendror u është kërkuar të rrisin gatishmërinë dhe të marrin masa parandaluese për të përballuar çdo emergjencë të mundshme.

Bashkitë në zonat me risk më të lartë janë udhëzuar të forcojnë kapacitetet operacionale dhe të monitorojnë vazhdimisht situatën në terren, ndërsa prefekturat duhet të sigurojnë shpërndarjen e informacionit dhe të raportojnë çdo zhvillim pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile.

Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare.

48 mijë fermerë, pagesa cash për naftën – Publikohet lista e plotë. Mbi 14 mijë përfitues për masat e tjera

48.117 fermerë përfitojnë pagesa cash në llogaritë e tyre bankare për naftën që përdorin për punime të mekanizuara në bujqësi. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka publikuar listën e plotë të përfituesve nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi ku vihet re dhe një shpërndarje e gjerë gjeografike e përfituesve. Ndërsa nga masat 1-7 të skemës rezultojnë 14.577 përfitues.

Sa i takon skemës së naftës, aplikantët kanë vetëdeklaruar kulturat bujqësore të mbjella ose të parashikuara për të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit,  plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.

Mbështetja më e lartë ka shkuar në qarqet Fier, Berat dhe Korçë, ku dhe bujqësia ka zhvillim më të lartë.

Vlera e saktë që përfitojnë aplikantët fitues, është e kategorizuar me vendim qeverie sipas kulturës së mbjellë, ndërsa maksimumi i mbështetjes arrin deri në 186 euro për hektarë.

Sa i takon kultivimit të bimëve të arave,  jepen 18,582 lekë/ha për kulturat pranverore si misër, fasule, luledielli, sojë,  sorgum.  12,714 lekë/ha për bimët e lashta si grurë, tërshërë, thekër, elb, foragjerë njëvjeçarë, industriale (patate, duhan, panxhar, pambuk. Dhe 8,802 lekë/ha për foragjerë shumëvjeçarë, bimë aromatike-mjekësore.

Në grupin e drufrutorëve, pagesa për naftën për kultivimin e mollëve është18,582/ ha, 15,648 lekë/ha për të gjitha llojet e frutave, ulli, agrume dhe  vreshta si dhe 13,692 lekë/ha për  arra, bajame, lajthi dhe gështenja të kultivuara si dhe 16,626 lekë/ha për të gjithë fidanët e bimëve farore, bërthamore dhe arrore.

Sa i takon grupit të tretë, kultivimit të perimeve,  pagesat për naftën variojnë nga 14,670 lekë/ha për të gjitha llojet e perimeve të fushës sezoni i parë, përfshi shalqi,  pjepër, luleshtrydhe dhe 16,626 lekë/ha për të gjitha perimet e serës, sezoni i parë.

Fermerët përfitojnë deri në 100% të vlerës, me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra.  Për sipërfaqen mbi 10 ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”.

Ndërsa për skemat e tjera, numri më i lartë i përfituesve është në blegtori, ndjekur nga bletaria.

Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania dhe që janë shpallur fituese,  i janë nënshtruar procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime.

Vitin e kaluar nga kjo skemë kanë përfituar mbi 52 mijë fermerë në të gjithë vendin. Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ka njoftuar se pagesat për fermerët kanë kaluar në llogaritë e bankave tregtare dhe po vijon normalisht disburimi edhe për fermerët që nuk e kanë përfituar ende. Realizmi i fondit për skemën e naftës është në masën 93%, ndërsa për masat e tjera, në nivelin 90%.  Ndërkohë që skema e mbështetjes për këtë vit pritet të pësojë ndryshime duke targetuar më mirë mbështetjen me qëllim rritjen e prodhimit.

Arrestime dhe procedime penale nga Policia e Fierit për shkelje të ndryshme ligjore

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A. C., 33 vjeç, banues në Lushnjë, pasi u konstatua duke drejtuar automjetin, pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit L. P., 61 vjeç, dhe A. P., 62 vjeç, pasi drejtonin pa leje drejtimi, motomjete pa targa.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi shërbimet e Policisë i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. Z., 60 vjeç, banues në fshatin Levan, pasi ushtronte aktivitetin në servis automjetesh, pa licencën përkatëse. Gjatë kontrollit në servis u konstatuan automjete për të cilat nuk ishte kryer procedura e zhdoganimit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen F. Y., 31 vjeçe, banuese në Ballsh, pasi ka ushtruar dhunë ndaj vjehrrës së saj, e cila u pajis me urdhër mbrojtjeje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Ndryshon skema e subvencioneve në bujqësi

Skema e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026 pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme, teksa fondi i parashikuar arrin në 5.2 miliardë lekë. Ky buxhet është ndjeshëm më i lartë krahasuar me fondet fillestare të vitit 2025 dhe tashmë ka nisur puna për hartimin e masave të reja, të cilat pritet të miratohen gjatë muajit të ardhshëm.

Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Bujqësisë ka nisur konsultime në terren me fermerët në të gjithë vendin, me synimin që skema e re të reflektojë më mirë nevojat reale të sektorit dhe të rrisë efektivitetin e mbështetjes për prodhimin vendas.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se fondi prej 5.2 miliardë lekësh do të fokusohet kryesisht në mbështetjen e investimeve në bujqësi. Sipas tij, ministria ndodhet në një fazë të rëndësishme pune dhe do të vijojë takimet me fermerët në të gjitha qarqet për të adresuar kërkesat dhe problematikat e tyre.

Një nga çështjet që po diskutohet është edhe mundësia e mbështetjes për njësi prodhimi, një model i aplikuar në disa vende të rajonit dhe që prej kohësh është kërkuar nga shoqatat e fermerëve në Shqipëri. Autoritetet bëjnë me dije se vendimmarrja për këto elemente do të merret pasi të jenë dëgjuar të gjithë aktorët në terren dhe të jenë analizuar pritshmëritë e tyre.

Për kujtesë, fondi fillestar i Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 ishte 3.2 miliardë lekë, ku fermerët përfituan pagesa direkte për naftën si dhe mbështetje financiare për shtatë skema të tjera, sipas kritereve të përcaktuara.

SPAK–Balluku, Kuvendi pret vendimin e Kushtetueses dhe shtyn mbledhjen e Këshillit të Mandateve

Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar shtyrjen e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për Belinda Ballukun.

Mbledhja ku pritej të shqyrtohej kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin ose heqjen e lirisë së zëvendëskryeministres ishte planifikuar të zhvillohej në orën 12:00.

Sipas njoftimit zyrtar, Kuvendi sqaron se vendimi për shtyrjen është marrë pasi në mbledhjen e mëparshme të Këshillit është kërkuar nga një grup deputetësh që shqyrtimi i kërkesës së SPAK për Ballukun të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të një vendimi nga Gjykata Kushtetuese.

Duket se socialistët duan të presin vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra, për të vijuar më pas me kërkesën e SPAK në Këshillin e Mandateve.

“Një shqyrtim i tillë synon garantimin e një procesi vendimmarrjeje të plotë, objektiv dhe në përputhje me parimet kushtetuese, me qëllim shmangien e cenimit të parimit të sigurisë juridike dhe garantimin e rregullsisë kushtetuese të veprimtarisë dhe vendimmarrjes së Kuvendit”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Një datë e re për zhvillimin e mbledhjes nuk është bërë ende e ditur.

Skema e kompensimit për fermerët: Si të përfitoni 10% rimbursim

Administrata Tatimore ka dhënë sqarime të reja mbi skemën e kompensimit që u ofrohet fermerëve, një mekanizëm i krijuar për të lehtësuar barrën financiare të prodhuesve bujqësorë dhe për të nxitur tregtimin e rregullt të produkteve në treg.

Sipas këtij mekanizmi, fermerët që nuk janë të regjistruar për TVSH mund të përfitojnë një kompensim financiar prej 10% për shitjet e dokumentuara të produkteve dhe shërbimeve bujqësore. Llogaritja bëhet mbi vlerën totale të furnizimeve të realizuara gjatë një periudhe gjashtëmujore.

Procesi i kompensimit realizohet përmes blerësve të regjistruar për TVSH, të cilët lëshojnë dokumentacionin tatimor përkatës në emër të fermerit. Këta blerës mund të jenë subjekte grumbulluese, përpunuese apo struktura të certifikuara të agroturizmit.

Për të qenë përfitues, fermerët duhet të jenë të pajisur me numër identifikimi tatimor dhe të tregtojnë produktet e tyre vetëm me subjekte të tatueshme. Kërkesa për kompensim paraqitet çdo gjashtë muaj, ndërsa pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga miratimi i dokumentacionit.

Tatimet theksojnë se respektimi i rregullave të faturimit është kusht kyç për përfitimin nga skema, e cila shihet si një instrument për forcimin e sektorit bujqësor dhe rritjen e transparencës në treg.

BERZH: Shqipëria kryeson rajonin për emigrimin, shumë të kthyer planifikojnë largimin sërish

Emigrimi mbetet një fenomen i përhapur në Shqipëri, duke e renditur vendin në krye të rajonit për nga përvoja e jetesës jashtë vendit. Sipas Raportit të Tranzicionit të BERZH, rreth 30% e popullsisë shqiptare ka jetuar të paktën një herë jashtë vendit, një përqindje ndjeshëm më e lartë se mesatarja e vendeve fqinje.

Një studim i Bankës Kombëtare Austriake tregon se një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve të kthyer nuk e shohin rikthimin si përfundimtar, pasi shumë prej tyre planifikojnë të emigrojnë sërish. Po ashtu, emigrimi shpesh ka karakter afatshkurtër, ndërsa periudhat e gjata të qëndrimit jashtë janë më të zakonshme në disa vende të rajonit.

Raporti vë në dukje edhe vështirësitë e riintegrimit në tregun e punës, ku papunësia është më e lartë mes individëve me përvojë emigrimi. Sipas BERZH, nevojiten politika më të fokusuara për të shfrytëzuar aftësitë dhe përvojën e të kthyerve, duke e parë migrimin si një proces dinamik dhe jo një lëvizje me një drejtim të vetëm.

Elektrifikimi i hekurudhës Tiranë–Durrës përfshihet në paketën 171 mln euro të BE

Bashkimi Evropian ka miratuar një paketë të re financimi në vlerë 171 milionë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus në përmirësimin e infrastrukturës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, fondet do të shpërndahen për Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, me synimin për të forcuar lidhjet rajonale dhe për të mbështetur procesin e afrimit me Bashkimin Evropian.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj pakete do të përdoret për projekte infrastrukturore, ku për Shqipërinë parashikohet elektrifikimi i linjës hekurudhore Durrës–Tiranë, si edhe zhvillimi i internetit me shpejtësi të lartë. Ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut do të financohet përmirësimi i rrjetit të transmetimit të energjisë, ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi do të mbështetet modernizimi energjetik i objekteve arsimore. Projekte për furnizimin me ujë do të zbatohen edhe në Bosnjë e Hercegovinë.

Përveç infrastrukturës, një pjesë e konsiderueshme e fondeve do të shkojë për mbështetjen e sektorit privat, kryesisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe për nxitjen e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat.

Gjithashtu, është parashikuar ndihmë teknike për Shqipërinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, e cila do të synojë forcimin e investimeve në energji, ujë, inovacion dhe kërkim shkencor.

Komisioni Evropian ka bërë të ditur se zbatimi i projekteve do të realizohet në bashkëpunim me institucionet vendore dhe partnerët financiarë ndërkombëtarë, ndërsa Kosova dhe Serbia nuk përfshihen në këtë paketë financiare.