ARTIKUJT E FUNDIT

Balla: Numri 0900 është linjë e gjelbër e BE- se teksa i kerkon ndjes Vokshit nese eshte ndjere e fyer

Taulant Balla sqaroi në Kuvend deklaratën e tij për numrin telefonik “0900”, duke akuzuar opozitën se është e turpshme prishja e seancës për një numër telefoni linjë e gjelbër që jep informacione.
Balla theksoi se deklarata e tij nuk kishte lidhje me asnjë fyerje personale, por i referohej një linje informacioni që përdoret në Bashkimin Europian për të marrë të dhëna mbi vendimmarrjen dhe funksionimin e institucioneve europiane.
Kreu i grupit parlamentar socialist shtoi se nëse deputetja Albana Vokshi është ndjerë e fyer nga deklarata e tij, ai i kërkon ndjesë, duke theksuar se diskutimi i tij në seancë kishte të bënte me reformën dhe debatet aktuale në Bashkimin Europian.

“Kush ka kush ka nevojë të marrë informacion mbi Bashkimin Europian ka një numër “green line” ku ti mund të marrësh informacion për vendimmarrjen e Bashkimit Europian. Sa i përket keqinformimit nëse kolegia Vokshi, ndihet e fyer unë i kërkoj ndjesë. Por nuk ka asnjë… isha duke folur për reformën në Bashkimin Europian.
Ja ku e keni numrin me 0900 të Bashkimit Europian ku çdo qytetar i Bashkimit Europian merr informacion për vendimmarrjen në Bashkimin Europian. Kush do që ta përdorë këtë situatë për të nxitur protestat, për të frymëzuar dështimin e protestave le ta marrë. Zonja Vokshi, nëse ndihesh e fyer nga fjala ime edhe njëherë ndjesë”, tha Balla.

Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, do reflektohet edhe ne Shqiperi

Rritja e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare, në mënyrë të pashmangshme do të reflektohet edhe në tregun e brendshëm të shitjes me pakicë të hidrokarbureve.

Eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, deklaroi në një intervistë për TV Scan se, e rëndësishme është që të tregu të reflektojë në kohë rritjen ose rënien e çmimeve dhe të mos abuzohet.

Gjithashtu, Civici shprehet se Shqipëria mund të preket nga dy faktorë; rritja e inflacionit të brendshëm, si pasojë e rritjes së çmimeve të naftës, dhe nga inflacioni i importuar.

Nafta Brent e Londrës, që është referenca globale, është rritur me rreth 10 dollarë për fuçi, që kur filloi konflikti dhe po tregtohet në rreth 83 dollarë për fuçi.

Ndërsa, nafta e përpunuar në bursën e Londrës, që merret si referencë nga importuesit e hidrokarbureve në Shqipëri, është rritur nga 730 dollarë për ton, përpara konfliktit, në rreth 1,075 dollarë të enjten.   

Burimi -/Scan/-

Mbi 16 mijë automjete dështojnë në kontrollin teknik në fillim të vitit

Një numër i lartë automjetesh nuk kanë arritur të kalojnë kontrollin teknik gjatë dy muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në periudhën janar–shkurt plot 16.301 mjete nuk kanë përmbushur kriteret e kërkuara për të kaluar kontrollin.

Nga statistikat rezulton se pjesa më e madhe e problemeve lidhet me sistemin e shkarkimit të gazrave, që përbën rreth 34.5 për qind të rasteve të konstatuara. Defektet në këtë sistem ndikojnë në funksionimin e automjetit dhe në rritjen e ndotjes së ajrit.

Një tjetër pjesë e konsiderueshme e mangësive lidhet me elementët vizualë dhe funksionalë të mjeteve, të cilat përbëjnë rreth 30 për qind të rasteve. Ndërkohë, rreth 20 për qind e automjeteve kanë shfaqur probleme në sistemin e drejtimit dhe të amortizimit, elementë të rëndësishëm për stabilitetin gjatë lëvizjes.

Po ashtu, rreth 15.5 për qind e automjeteve nuk kanë kaluar kontrollin për shkak të defekteve në sistemin e frenimit, i cili konsiderohet ndër komponentët më të rëndësishëm për sigurinë në rrugë.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të kontrollojnë rregullisht gjendjen teknike të automjeteve dhe të kryejnë mirëmbajtjen e nevojshme, për të rritur sigurinë në qarkullim dhe për të shmangur rrezikun e aksidenteve.

Miratohen ne Kuvend emrat e ministrave te rinjë

Kryeparlamentari, Niko Peleshi ka hapur votimin për dekretet e presidentit, Bajram Begaj për ministrat e rinj. Shkarkimi i Belinda Ballukut u votua me 85 vota pro dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Gjithashtu u votua edhe shkarkimi i Elisa Spiropalit nga posti i ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme. Spiropali u shkarkua me 83 pro pro, 2 kundër dhe 0 abstenim.

Shkarkimi i Ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu u votua me 81 pro, 0 kunder dhe 0 abstenim. Gjithashtu u votuan ministrat e rinj. 

Ministri i ri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha u votua me 83 vota pro. Ministri i ri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u miratua me 83 vota pro dhe 4 kundër. Me 83 vota pro dhe 3 kundër, Parlamenti miratoi emërimin e Albana Koçiut në postin e zëvendëskryeministres.

Ministri i ri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u miratua me 83 pro, 0 abstenim dhe 6 vota kundër. Ministri i ri i Drejtësisë, Toni Gogu u miratua me 83 pro 0 abstenim dhe 5 kundër.

Ministri i ri Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u votua me 83 vota pro, 0 abstenim, 6 kundër. Ministrja e re Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili u miratua me 82 pro, 0 abstenim dhe 4 kundër. Pas votimit, Kuvendi u ndërpre për 5 minuta pushim.

Gr*bitje me a*më në Tiranë në një pikë këmbimi valutor

Një grabitje me armë raportohet të ketë ndodhur në Tiranë, në një pikë këmbimi valutor. Sipas burimeve, 1 milionë e 200 mijë lekë të vjetra dyshohet se është shuma që ai ka marrë. Autori pas grabitjes dyshohet se është larguar me motorr nga qendra tregtare.Sipas informacioneve, autori ishte me jelek të zi, xhup blu dhe me kapuç. Më konkretisht, autori ka kryer vjedhjen në një exchange në 5 Maj.

Euro zbret në minimum të ri historik

Euro ka humbur pikë përballë monedhës tonë kombëtare, dhe në kursin zyrtar të Bankës Qendrore këmbehet me 96.1 lekë.

Rënia e monedhës Europiane është pjesë e një cikli më të gjerë të dobësimit të disa monedhave kryesore kundrejt lekut. Edhe dollari amerikan ka pësuar një rënie të mëtejshme, duke u këmbyer me 82.6 lekë, ose 0.3 lekë më pak se në përditësimin e mëparshëm. Ndërkohë, në të njëjtën linjë kanë lëvizur edhe dollari australian, dollari kanadez dhe juani kinez, të cilat gjithashtu kanë shënuar rënie të lehtë në raport me monedhën shqiptare.

Forcimi relativ i lekut është lidhur shpesh me disa faktorë, mes tyre rritja e hyrjeve valutore nga turizmi, investimet e huaja direkte, si dhe remitancat nga emigrantët.

Ky trend ka ndikime të ndryshme në ekonomi. Nga njëra anë, një euro më e dobët favorizon importet dhe ndihmon në frenimin e inflacionit, pasi produktet e importuara bëhen relativisht më të lira. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i monedhës europiane mund të ndikojë negativisht te eksportuesit dhe sektorët që gjenerojnë të ardhura në euro, të cilët përballen me të ardhura më të ulëta në lekë.

Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të karburanteve

Autoriteti i Konkurrencës njofton se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë te çmimet e benzinës dhe naftës në pikat e shitjes me pakicë.

Sipas njoftimit zyrtar, të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtarinë e tregtimit të karburanteve janë aktualisht nën monitorim. Në rast se konstatohet se luhatjet e çmimeve në tregun vendas tejkalojnë masën e ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, Autoriteti do të ndërmarrë masat e nevojshme në përputhje me kompetencat e tij.

“Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen vazhdimisht, duke reflektuar faktorë si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si edhe zhvillime ekonomike apo gjeopolitike. Për rrjedhojë, pritet që edhe çmimet në tregun vendas të ndjekin të njëjtin drejtim dhe të jenë proporcionale me ndryshimet e regjistruara në bursë. Çdo devijim i pajustifikuar, përfshirë rritje më të shpejta apo më të theksuara se ecuria e çmimeve ndërkombëtare, përbën tregues të mundshëm të sjelljeve jo konkurruese në treg”, thuhet në njoftim.

Autoriteti thekson se nuk do të tolerojë luhatje të pajustifikuara të çmimeve, praktika që bien ndesh me logjikën e tregut ndërkombëtar, si dhe çdo formë koordinimi të çmimeve, abuzimi me pozitën dominuese apo praktika të bashkërenduara mes operatorëve të tregut.

Me këtë proces monitorimi synohet garantimi i transparencës, funksionimi i rregullt i tregut dhe mbrojtja e konsumatorëve nga çmime të padrejta apo sjellje që cenojnë konkurrencën.

Autoriteti sqaron se të gjitha monitorimet dhe procedurat e mundshme hetimore kryhen vetëm në zbatim të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, pa u ndërthurur me kompetencat e institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend.

Zbulohen rreth 160 predha të pashpërthyera të Luftës së Dytë Botërore

Rreth 160 predha të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore janë zbuluar pranë urës së Vodiçës, në fshatin Vodiçë, Njësia Administrative Kotë, Bashkia Selenicë.
Zbulimi u bë nga një firmë që po kryente punime në zonë, e cila njoftoi menjëherë forcat xheniere për praninë e municioneve të rrezikshme. Ekspertët e xhenios mbërritën në vendngjarje dhe për dy ditë me radhë zhvilluan operacionin për identifikimin dhe largimin e predhave.

Gjatë ditës së djeshme u gjetën dhe u siguruan rreth 140 predha mortaje, ndërsa gjatë ditës së sotme u evidentuan edhe 20 predha të tjera.
Në total, në zonë janë zbuluar 160 predha të Luftës së Dytë Botërore, të cilat janë transportuar nga specialistët për në Tiranë, ku do të kryhen procedurat për asgjësimin e tyre në mënyrë të kontrolluar.

Ndërhyrja e shpejtë e forcave xheniere shmangu çdo rrezik të mundshëm për banorët dhe për punonjësit që po kryenin punimet në këtë zonë.