Studentë shqiptarë nga të gjitha trevat janë mbledhur sot në Shkup për të protestuar kundër mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Protesta po zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë një zëri”, pranë Urës së Gurit në Shkup, me kërkesën që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Në organizim marrin pjesë studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare, të cilët kërkojnë respektimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë qytetare, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së gjuhës shqipe në institucionet arsimore dhe profesionale.
“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në njoftimin e studentëve.










