Një përplasje e fortë është shënuar në dëgjesën publike për rritjen e tarifave të ujit në Fier. Kreshnik Dapi, në emër të Kryesisë së Këshillit Bashkiak Fier, i ka kërkuar drejtuesve të Shoqërisë Rajonale Ujësjellës-Kanalizime Fier të japin llogari për kostot e larta të operimit, humbjet në rrjet dhe strukturën e shpenzimeve, përpara se t’u kërkojnë qytetarëve të paguajnë më shumë.
Dapi i ka vendosur perfaqesuesit e shoqërisë, përballë shifrave të prezantuara vetë nga Ujësjellësi, duke argumentuar se problemi nuk mund të zgjidhet thjesht duke rritur tarifën.
Sipas të dhënave të paraqitura në dëgjesë, kostoja direkte e operimit është 139.7 lekë për metër kub, ndërsa qytetarët familjarë paguajnë aktualisht 60 lekë/m³. Diferenca, sipas argumentit të Dapit, nuk mund të mbulohet automatikisht duke futur dorën në xhepat e abonentëve.
Në qendër të kritikave ishte kostoja e energjisë elektrike, e cila sipas shifrave të paraqitura arrin në mbi 42% të kostove operacionale. Dapi vuri në dukje se përdorimi i pajisjeve të amortizuara, përfshirë pompat e vjetra në stacionin e Kafarajt, rrit faturën që në fund i faturohet qytetarit.
Edhe kostoja e personelit u vu nën lupë. Rreth 50% e kostove direkte, sipas të dhënave të paraqitura, shkojnë për pagat dhe koston e punës. Për Dapin, përpara rritjes së tarifave duhet të sqarohet nëse kjo strukturë është e justifikuar dhe çfarë masash do të merren për rritjen e eficiencës.
Por një tjetër pikë e fortë e debatit ishin humbjet e ujit. Sipas shifrave të paraqitura në dëgjesë, mbi 55–60% e ujit rezulton i pafaturuar. Pra, qytetarëve u kërkohet të paguajnë më shumë, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e ujit të prodhuar humbet në rrjet ose nuk faturohet.
Dapi ngriti gjithashtu çështjen e detyrimit prej 258.6 milionë lekësh ndaj Bashkisë Fier, duke kërkuar transparencë mbi gjendjen financiare të shoqërisë dhe mënyrën se si menaxhohen fondet.
Mesazhi i tij ishte i drejtpërdrejtë: Përpara se të rritet tarifa e ujit, duhet të ulen kostot, të reduktohen humbjet, të modernizohet infrastruktura dhe të justifikohet çdo shpenzim.
Në përfundim, Kreshnik Dapi i kërkoi perfaqesuesve te Ujesjellesit Fier te tregojë konkretisht se cili është plani për të ulur kostot e energjisë dhe të stafit dhe për të reduktuar humbjet në rrjet.
Pyetja që mbeti në tryezë ishte e thjeshtë: A do të paguajnë qytetarët më shumë për ujin, apo më në fund do të paguajë edhe vetë administrimi i dobët i ndërmarrjes për kostot e tij










