Shqiptarët rrisin konsumin e karburanteve pavarësisht rritjes së çmimeve

Edhe pse çmimi i karburanteve pësoi rritje gjatë muajit mars 2026, importet në vend kanë vijuar në trend pozitiv, duke reflektuar një kërkesë të qëndrueshme në treg.

Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se gjatë marsit janë importuar dhe zhdoganuar 53.577 ton karburante, më shumë se në dy muajt e parë të vitit dhe gjithashtu mbi nivelin e marsit 2025.

Krahasuar me shkurtin, sasia e importuar është rritur me 2.294 ton, ndërsa ndaj janarit shtesa arrin në 2.769 ton. Në raport me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, rritja llogaritet në rreth 1.454 ton.

Muaji mars shënoi edhe një rritje të ndjeshme të çmimit të naftës, e cila arriti deri në rreth 224 lekë për litër, por kjo nuk duket të ketë ndikuar në uljen e konsumit.

Sipas analizës së tregut, rritja e importeve mund të lidhet me furnizimin paraprak të kompanive për shkak të pasigurive në tregjet ndërkombëtare, shtimin e aktivitetit ekonomik sezonal dhe ruajtjen e nivelit të konsumit nga qytetarët.

Ndërkohë, për tremujorin e parë të vitit janë importuar gjithsej 155.6 mijë ton karburante, shifër që mbetet më e ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Ndryshe paraqitet situata për mallrat e tjera të akcizës. Importet e cigareve, kafes dhe birrës kanë shënuar rënie gjatë marsit në krahasim me një vit më parë.