Shpërthim me lëndë plasëse në një lokal në Vlorë, dëmtohet edhe një automjet
Një shpërthim me lëndë plasëse, që dyshohet të jetë tritol, është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit të kësaj të enjteje në një lokal në qytetin e Vlorës.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e biznesit, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet i parkuar pranë vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Vlorës dhe grupi i ekspertizës kriminalistike, të cilët kanë nisur këqyrjen e zonës dhe grumbullimin e provave për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Deri më tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorit ose autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.










