Rritje alarmante e papunësisë , renditja sipas qarqeve ne vend

Sipas statistikave, Lezha mbetet qarku me shkallën më të lartë të papunësisë në vend, me 17.8%. Krahasuar me vitin 2024, situata nuk ka pësuar asnjë ndryshim, duke treguar se tregu i punës në këtë qark vijon të përballet me të njëjtat sfida.

Në vendin e dytë renditet Elbasani, ku papunësia arriti në 16.2% gjatë vitit 2025. Krahasuar me një vit më parë, ky qark ka regjistruar një rritje prej 2.6 pikësh përqindjeje, çka tregon një përkeqësim të situatës së punësimit.

Rritje të ndjeshme të papunësisë ka shënuar edhe qarku i Kukësit. Shkalla e papunësisë u rrit nga 8.8% në vitin 2024 në 13.9% në vitin 2025, duke e renditur këtë qark ndër zonat me nivelin më të lartë të papunësisë në vend.

Edhe Dibra vazhdon të ketë një shkallë relativisht të lartë papunësie, e cila arriti në 11.9%. Megjithatë, ndryshe nga qarqet e mësipërme, ky qark ka shënuar ulje krahasuar me vitin e kaluar, duke sinjalizuar një përmirësim të situatës dhe një rritje të numrit të personave të punësuar.

Një tjetër qark që ka parë përkeqësim është Korça. Papunësia u rrit me rreth 4 pikë përqindjeje krahasuar me vitin 2024, duke e renditur gjithashtu ndër qarqet me nivele të larta të këtij treguesi.

Ndërkohë, në qarqe të tjera situata paraqitet më pozitive. Në Vlorë, shkalla e papunësisë rezulton 10.4%, në Tiranë 6.7%, në Shkodër 6.3% dhe në Durrës 6.0%. Për të gjitha këto qarqe, të dhënat tregojnë një ulje të papunësisë krahasuar me vitin e mëparshëm, çka lë të kuptohet se tregu i punës ka vijuar të krijojë më shumë mundësi punësimi.

Në anën tjetër të renditjes qëndrojnë qarqet me papunësinë më të ulët në vend. Gjirokastra dhe Fieri regjistrojnë secili një shkallë papunësie prej 3.5% dhe 3.9%, ndërsa Berati renditet pas tyre me 4.3%.

Të dhënat sipas gjinisë evidentojnë gjithashtu dallime të rëndësishme mes qarqeve. Për meshkujt, shkalla më e lartë e papunësisë regjistrohet në qarkun e Lezhës, ndërsa për gratë vendin e parë e zë Elbasani.