Mbi 81 mijë automjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë periudhës janar-tetor 2026, ndërsa regjistrimi i mjeteve plotësisht elektrike ka shënuar një rritje prej 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në dhjetë muajt e parë të vitit janë regjistruar 81 mijë e 761 mjete, ku autoveturat përbëjnë rreth 79.3% të totalit.
Një nga zhvillimet më të rëndësishme është zgjerimi i flotës elektrike. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 8 mijë e 891 automjete plotësisht elektrike, me një rritje prej 93% në raport me janar-tetor 2025. Sipas DPSHTRR-së, përdorimi i tyre sjell edhe përfitime mjedisore, me një reduktim të përllogaritur prej mbi 11.7 milionë kilogramësh dioksid karboni në vit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një orientim drejt automjeteve më të reja. Mbi 21 mijë e 500 mjete të regjistruara janë të moshës 0-4 vjeç, 31% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, 83.3% e autoveturave të regjistruara plotësojnë standardin mjedisor Euro 5 ose më të lartë.
Edhe në segmentin e automjeteve me zero kilometër vihet re një tendencë drejt teknologjive alternative, pasi 73.1% e tyre janë elektrike, hibride ose Plug-in Hybrid.
Paralelisht me regjistrimet e reja, po vijon edhe largimi i automjeteve të vjetra nga qarkullimi. Në dhjetë muaj janë çregjistruar përfundimisht 8 mijë e 570 mjete, me një moshë mesatare prej 22 vitesh. Numri i çregjistrimeve është rritur me 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
Sa i përket origjinës së automjeteve, Koreja e Jugut kryeson me 26.3% të totalit, e ndjekur nga Kina me 16.2%. Në listën e vendeve kryesore renditen Gjermania me 12%, Italia me 11.4%, SHBA-ja me 8.1% dhe Zvicra me 6.9%.
Shifrat e dhjetëmujorit dëshmojnë rritjen e regjistrimeve të automjeteve, zgjerimin e flotës elektrike dhe një tendencë graduale drejt rinovimit të parkut të automjeteve në vend.










