Rinovimi i pallateve për uljen e konsumit të energjisë dhe ndërhyrjet në banesat e familjeve në varfëri energjetike janë përfshirë në projektbuxhetin e vitit 2027. Investimet parashikojnë ndërhyrje në disa qytete të vendit, mes tyre edhe Fierin dhe Lushnjën, me synim rritjen e eficiencës energjetike dhe reduktimin e kostove të konsumit.
Sipas listës së investimeve me financim të brendshëm, për rinovimin me eficiencë të lartë energjie të ndërtesave shumëfamiljare në Elbasan, Fier, Lushnjë, Divjakë, Lezhë, Kukës dhe Berat janë parashikuar rreth 146 milionë lekë gjatë vitit të ardhshëm. Fondi përfshin punimet e rinovimit dhe auditimin përfundimtar, ndërsa mbikëqyrja e punimeve financohet veçmas.
Nga qytetet përfituese, financimin më të lartë e ka Lezha me 38.8 milionë lekë, e ndjekur nga Kukësi me 29.3 milionë lekë dhe Berati me 21 milionë lekë. Për Lushnjën janë parashikuar 19.5 milionë lekë, për Fierin 16.1 milionë lekë, për Divjakën 14.3 milionë lekë dhe për Elbasanin rreth 6.9 milionë lekë.
Një tjetër program i rëndësishëm, i financuar nga Bashkimi Evropian përmes instrumentit IPA, parashikon ndërhyrje në banesat private dhe familjet që përballen me varfëri energjetike. Projekti synon mbështetjen e investimeve në energjinë e rinovueshme dhe eficiencën energjetike, me një vlerë totale prej 578.4 milionë lekësh për periudhën 2027-2030. Për vitin e parë është parashikuar një grant prej 115.7 milionë lekësh.
Në projektbuxhet janë përfshirë gjithashtu 13.2 milionë lekë për instalimin e paneleve diellore për prodhimin e ujit të ngrohtë sanitar në disa shkolla 9-vjeçare.
Ndërkohë, për vitin 2029 është programuar nisja e projekteve të tjera për rinovimin energjetik të pallateve në Malësinë e Madhe, Shkodër, Pukë, Klos, Kavajë, Librazhd, Peqin dhe Belsh.
Rritja e eficiencës së energjisë është renditur ndër prioritetet e qeverisë për periudhën 2027-2029, me fokus te modernizimi i ndërtesave, përdorimi i burimeve të rinovueshme dhe ulja e shpenzimeve për energjinë.










